Policia mban ligjërata në shkolla për sigurinë në trafik

Aktuale

Policia mban ligjërata në shkolla për sigurinë në trafik

Më: 15 mars 2018 Në ora: 15:26
Policia mban ligjërata në shkolla për sigurinë në trafik

Njësia e Trafikut në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, ka vazhduar edhe gjatë muajit mars me implementimin e planit ‘Njohuri elementare për sigurinë në trafik’, duke mbajtur ligjërata nëpër shkolla të ndryshme të rajonit të Mitrovicës që përfshinë komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për KosovaPress se këto ligjërata ku janë përfshirë nxënës të ciklit të ulët dhe ata parashkollorë, kanë për synim të plotësojnë nxënësit me njohuri shtesë dhe të domosdoshme në fushën e rregullave primare të sigurisë në trafik.

Zahiti: Kjo po bëhet për t’i mësuar nxënësit për rregullat e trafikut

“Këto ligjërata përmbajtje kanë njohuri elementare të sigurisë në trafik. Janë të ilustruara edhe përmes broshurave të cilat u shpërndahen nxënësve, me qëllim që në mënyrë figurative të kenë mundësi të mësojnë dhe shohin disa nga rregullat e trafikut për njohje elementare dhe bazike për nxënës të këtij cikli”, ka thënë mes tjerash Zahiti.

Në anën tjetër, Suela Selimi, nxënëse e shkollës fillore ‘Mustafë Venhari’ në Vushtrri, tha se ka mësuar shumë për sigurinë në trafik nga ligjërimi i zyrtarëve policorë. Sipas saj, ligjëratat e tilla janë shumë të rëndësishme për nxënësit dhe ndihmojnë në ruajtjen e jetës së tyre.

Selimi: Këto ligjërata për neve janë të rëndësishme

“Këtë herë kemi mësuar si duhet të jemi në trafik, si të sillemi me rregullat e saj… Kemi mësuar se natën këmbësorët duhet të mbajnë një këmishë të veshur e cila e thithë dritën dhe shkëlqen natën, në mënyrë që makinat të dinë se kalojnë këmbësorët. Po ashtu kemi mësuar se nëpër shtegun e këmbësorëve duhet të kalojmë, por jo të dalim në mes të rrugës sepse mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi…Për neve nxënësve këto ligjërata janë shumë të rëndësishme sepse ato na nevojiten që të mos rrezikojmë jetët tona”, tha ajo.

 Përveç ligjëratave teorike në fushën e sigurisë në trafik, nxënësve u janë shpërndarë edhe broshura me përmbajtje ilustruese të rregullave primare e elementare për sigurinë në trafik. Ndryshe, gjatë këtyre ligjëratave u bë e ditur se angazhimet policore për ofrimin e sigurisë si dhe lëmin e këshillimit, edukimit dhe aktiviteteve tjera do të jenë të vazhdueshme përgjatë tërë vitit shkollor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat