U vendos për të martën, publicisti tregon të mirat nga miratimi i Demarkacionit

Aktuale

U vendos për të martën, publicisti tregon të mirat nga miratimi i Demarkacionit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 15 mars 2018 Në ora: 19:01
Ilustrim

Të martën e javës së ardhshme është caktuar që ta mbahet seanca në të cilën pritet që të bëhet ratifikimi i shënimit të kufirit me Malin e Zi.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se beson fuqishëm që më 20 mars do të përfundojë ratifikimi i kufirit me Malin e Zi.

Për më tepër, ai ka thënë se ka konsensus brenda Kuvendit të Kosovës për ta votuar këtë marrëveshje, të cilën e quajti  ‘dramë’.

“Besoj fuqishëm se më datën 20 mars 2018, do ta përfundojmë ratifikimin e marrëveshjes së shënimit të kufirit me Malin e Zi. Jam i bindur se bashkërisht mund t’ia arrimë këtë, është interes nacional. Ratifikimi i marrëveshjes është forcim i sovranitetit. Si koalicion qeveritar kemi një konsensus të plotë për ta votuar, në të njëjtën kohë kemi një deklarim shumë të qartë se Lidhja Demokratike e Kosovës do ta votojë. Në të njëjtën kohë jemi në kontakte intensive me të gjithë kolegët deputetë, të cilët ia duan të mirën Kosovës dhe të cilët e duan Kosovën të integruar në Bashkimin Evropian,  e duan Kosovën me fuqizim të sovranitetit, e duan Kosovën perëndimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jam shumë i sigurt se ditën e 20-të, para ditës së pranverës, do ta përfundojmë një çështje dramë, e cila pa të drejtë iu ka shtuar si rrethanë ngarkuese jetës së qytetarëve tanë dhe t’i japim perspektivë shtetit dhe në të njëjtën kohë edhe qytetarëve tanë”, ka thënë Veseli në konferencën për media.

Image
Selim Daku

Ndërsa, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku ka thënë për “Bota sot” se ratifikimi i demarkacioni në kuvend do të shpejtonte procesin e arritjes së lëvizjes pa viza nëpër shtetet e zonës shengen.

“Miratimi i marrëveshjes për “demarkacionin” e kufirit me Malin e Zi është një kriter që për mua paraqet një standard të dyfishtë të BE-së për Kosovën. Konsideroj që ratifikimi i demarkacioni në kuvend do të shpejtonte procesin e arritjes së lëvizjes pa viza nëpër shtetet e zonës shengen.  Për qytetarët e Kosovës lëvizja pa viza nënkupton edhe lëvizje sociale-kulturore, politike e ndoshta edhe ekonomike. Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk fitojnë vetëm lëvizje në kuptimin fizik”, ka përfunduar Daku për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat