LDK kritikon Thaçin për biografinë, Qeverinë për dialogun

Aktuale

LDK kritikon Thaçin për biografinë, Qeverinë për dialogun

Më: 16 mars 2018 Në ora: 11:48
Konferenca e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur sot konferencën javore për media, ku Shefi i këtij Grupi Parlamentar, Avdullah Hoti ka shpalosur dy tema.

Ai kritikoi Presidentin Hashim Thaçi se ka shfrytëzuar paranë publike për të ndihmuar biografinë e tij personale.

Kritika për dialogun me Serbinë, ishte tema e dytë për të cilën Hoti ka folur, duke shtuar se, sipas tyre, Qeveria e Kosovës pa mbikëqyrje dhe me përfaqësues të pa përgatitur po merr pjesë në këtë dialog.

Hoti: Thaçi ndihmoi biografinë e tij me paratë e shtetit

“Njëra prej temave u shpalos në Kuvend nga deputeti Lumir Abdixhiku, që ka të bëjë me shpenzimet e parasë publike pa asnjë bazë ligjore për gjoja lobime. Raportimet që kanë qenë në media gjatë kësaj periudhe janë mjaft shqetësuese, duket se janë shpenzuar shuma të mëdha të buxhetit për interesa personale. Është bërë publike letra e Jeffrey Nice, drejtuar Qeverisë për t’i kryer këto obligime”, tha ai, duke shtuar se sipas kësaj letre, marrëveshjet financiare për këtë janë bërë në mënyrë personale.

Hoti tutje ka akuzuar Thaçin se me paratë publike janë ndihmuar autorët e biografisë së tij. LDK-ja bëri të ditur se do të nis komision hetimor parlamentar për shpenzimin e parasë publike.

Hoti: Parlamenti të mbikëqyrë Dialogun

“Tema e dytë që dua të diskutoj para juve ka të bëjë me dialogun me Serbinë, këtu jemi  duke parë javët e fundit që bashkësia ndërkombëtare dhe Serbia janë duke bërë përgatitje për fazën përfundimtare, ndërkaq Qeveria në Prishtinë është krejt jashtë zhvillime, nuk është e fokusuar në këtë çështje të rëndësishme”, tha ai, duke kritikuar edhe ekipin negociues të Kosovës.

Hoti edhe me këtë rast ka pasur akuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se ai po kryen takime të pa autorizuara me palën serbe.

Ai ka bërë thirrje që platforma për dialogun të shkojë në Kuvend, ku deputetët do të diskutojnë për temat që duhet biseduar dhe po ashtu të caktohet roli i parlamentit si mbikëqyrës i këtij dialogu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat