Tri vjet rrena të politikanëve për demarkacionin

Aktuale

Tri vjet rrena të politikanëve për demarkacionin

Më: 16 mars 2018 Në ora: 18:58
ilustrim

Këtë javë, atë javë. Këtë muaj atë muaj. Këtë ditë e atë ditë. Por kaluan tri vjet e demarkacioni nuk u ratifikua.

E premtimet e ditëve dhe datave vazhdojnë dhe në ditët e sotme. Premtime të tilla vite me radhë kanë bërë pothuajse të gjithë zyrtarët e lartë shtetëror.  

Është kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili disa herë ka deklaruar, që këtë javë,  kjo çështje do të kryhet.

E java kalonte e nuk u kryente asgjë, u caktuan seanca e nuk u mbajtën. Premtuan liberalizim vizash e vendi mbeti i izoluar.

U tha se kësaj drame do t’i vie  fundi. E kjo mbetet të shihet të martën, ditë kjo kur është caktuar që të mbahet seanca për ratifikimin e demarkacionit.

Me 22 shkurt të këtij viti Veseli tha se kjo çështje do të përfundojë  të mërkurën. E edhe e mërkura  kaloi, por jo edhe demarkacioni.

Veseli: Deri të mërkurën kjo çështje  të përfundojë

“Duam që deri të mërkurën çështja e ratifikimit të marrëveshjes së shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi të përfundon, jemi në rrugë të mirë, kërkojë përkrahje nga ju media, nga gjithë qytetarët, nga çdo faktor, që të arrijmë konsensusin dhe për atë çdo deputetë i Kuvendit që e donë atdheun e vet, që e donë shtetin e vet, nuk ka patriotizëm më të madh se sa sot, nesër, pasnesër kurdo që është seancën e jashtëzakonshme me konsensus të plotë pozitë dhe opozitë, se sa me votu ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit, t’i hapim perspektivë vendit, të ecim drejt zhvillimit ekonomik më tepër se sa debateve shterpe në mes vete për patriotizmin formal, tërë jemi patriot, tërë e duam Kosovën, njerëzit duan të lëvizin lirshëm dhe Kosova duhet ta ketë perspektivë, mos ta ndien vetën as qytetarët as shteti pjesë e lërë anash nga integrimet euro-atlantike, tha Veseli.

Edhe presidenti Thaçi nuk ka hezituar që herë pas here të thoshte,  që çështjes së demarkacionit do t’i vie fundi.  Deklaratë këtë të cilën e bëri më 1  shkurt po të këtij viti.

Thaçi: Kjo çështje do të përmbyllet në një të ardhme të afërt

“ Në të ardhmen e afërt do të përmbyllet edhe çështja e demarkacionit dhe Kosova prej 95 kritereve që na i ka vë BE-ja, Komisioni  Evropian i kemi implementuar 94 prej tyre. Do të  implementohet dhe demarkacioni dhe  qytetarët e vendit do  të lëvizin lirshëm si gjithë  njerëzit  tjerë të rajonit”,  tha presidenti.

E deklaratat për dhënie fund të izolimit vazhdonin. E po ashtu po vazhdon ende edhe izolimi i qytetarëve. Një deklaratë të tillë presidenti Thaçi e bëri edhe më 1 dhjetor të vitit  2017. E një vit pas Kosova vazhdon të jetë e izoluar.

Thaçi: Duhet t’i japim fund izolimit tonë

 “Prandaj, ne duhet t’i japim fund izolimit tonë dhe përshëndes në këtë rast dhe iniciativën e kryeministrit sot, që marrëveshja për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi të kalojë nga Qeveria të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”,  ka thënë ai.

Deklaratat të tilla nuk ka hezituar të bëjë as zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili  ka thënë se marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të ratifikohet gjatë kësaj jave.

Me 13 mars Pacolli deklaroi se javën e dytë të marsit, kjo çështje do të marrë fund. E kaloi dhe ajo javë, e nuk pati lëvizje në këtë drejtim.

Pacolli: Javën e dytë të marsit, do të ratifikohet demarkacioni

“Jemi lodhur me deklaratat e politikanëve ‘sot, nesër’. Unë iu kam thënë, në javën e dytë të marsit, që moti. Java e dytë e marsit do të jetë java kur do të kalojë, do të miratohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Pacolli.

Pacolli nuk ndalej së deklaruari që sot apo më vonë demarkacioni do të kalojë.  Një deklaratë të tillë e kishte bërë edhe më 28 shkurt. 

Pacolli: Sot apo pak më vonë demarkacioni do të kalojë

“E di që sot apo pak më vonë demarkacioni do të kalojë dhe nëse kalon demarkacioni këto ditë, ne kemi fituar të drejtën që diku ka vjeshta e këtij viti dhe kosovarët të udhëtojnë pa viza”, tha ai.

Se do të ketë seancë për sot e ka thënë edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj. Në një intervistë për media të mërkurën, Hoxhaj ka thënë se seanca për demarkacionin do të mbahet të premten për sot.

Këto janë disa nga deklaratat e tyre. Por deklaratat të tilla janë dëgjuar pothuajse çdo javë, gjatë këtyre viteve sa demarkacioni ka qenë ndër temat kryesore në vend.

Tri herë janë caktuar seanca për demarkacionin dhe të triat kanë dështuar pasi që koalicioni nuk i kishte votat e duhura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat