Ende nuk dihet se kur do të përfundojnë lëndët e korrupsionit që janë kusht për heqjen e vizave

Aktuale

Ende nuk dihet se kur do të përfundojnë lëndët e korrupsionit që janë kusht për heqjen e vizave

Më: 17 mars 2018 Në ora: 21:16
ilustrim

Një nga kushtet për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Europian, përveç demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, është luftimi i korrupsionit. Si parakusht për këtë sistemi gjyqësor në vend ka të shënjestruar 37 raste të korrupsionit të cilat përkundër faktit se janë lëndë me prioritet, ende nuk dihet se kur do të përfundojnë.

Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë” nga këto 37 lëndë të shënjestruara, katër janë ende nën hetime. ndërsa 29 akuza janë të paraqitura në databazën e lëndëve të shënjestruara.

Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, në intervistën e tij dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë” nuk ka qenë në gjendje të tregojë se kur do i përfundojnë lëndët që janë vënë parakusht për liberalizimin e vizave.

“Në databazë janë 37 lëndë të shënjestruara, dhjetë prej këtyre rasteve kanë përfunduar me aktgjykime të formës së prerë. Ka dënime me burg, ka dënime me kusht, me të holla, por ka edhe aktgjykime liruese. Sipas shënimeve të fundit dhe rifreskimeve të fundit të këtyre rasteve, kem vërejtur se të gjitha rastet kanë hyrë në punë. Dhe si kryetariI gjykatës nuk mundem me u përzier në kuptimin e asaj se si kanë me u vendos  varësisht prej provave dhe prej rasteve”, ka thënë Peci.

Sipas tij, komisioni përkatës i caktuar për monitorimin e rasteve të shënjestruara janë duke bërë punën e tyre dhe gjyqtarët e kanë të qartë se në lëndët e shënjestruara duhet të intervenojnë sa më shpejt që e kanë të mundur.

“Janë raste të shënjestruara me emra të caktuar të veprave penale, apo të rastit. Në bazë të asaj çfarë kam parë në databazë, edhe komisioni që janë duke punuar e kanë marrë shumë seriozisht me një konstatim që në vazhdimësi ne si kryetarë të gjykatave, si asamble e kryetarëve të gjykatave së bashku me Këshillim Gjyqësor jemi duke i bërë disa analiza se ku duhet me intervenuar më shpejt. Dhjetë raste janë kryer, gjyqësori nuk mundet të punojë me automatizëm në kuptimin e procedimit të rasteve.  Tek lëndët e shënjestruara komisioni është në vazhdimësi duke shikuar rast për rast për të parë nëse ka lëshime eventuale të gjyqtarëve. Dhe gjyqtarëve u janë dhënë qëndrime të prera nga komisioni se te rastet e shënjestruara duhet të veprohet me urgjencë. Por nganjëherë urgjenca varet edhe nga shumë procedura tjera”, ka thënë kryetari i Supremes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat