Sulmet në veri të Kosovës, Policia jep detaje

Aktuale

Sulmet në veri të Kosovës, Policia jep detaje

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 mars 2018 Në ora: 16:13
Policia

Nuk ka të lënduar, përveç dëmeve materiale në sulmet që ndodhën mbrëmë pas mesnatës në pjesën veriore të Kosovës, ku disa persona të panjohur kanë tentuar t’i vënë zjarr shtëpisë së shëndetit, QMF Kodra e Minatorëve dhe shkollës fillore në Kodrën e Minatorëve.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë për “Bota sot” se nuk ka pasur lëndime të njerëzve, pasi që është sulmuar vetëm shtëpia e shëndetit, e cila është e zbraztë.

Hoti ka treguar se rasti është hapur si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, por nuk ka pasur sulm ndaj njerëzve.

“Është dëmtuar me gurë, ambulanta ka qenë objekt i zbraztë dhe nuk ka pasur punëtorë apo njerëz brenda. Prapa është thyer xhami dhe është tentuar të ndizet me ndonjë mjet ndezës sigurisht, por nuk është djegur, janë dëmtuar disa gjëra. Është hapur rasti si shkaktim i rrezikut të përgjitshëm për faktin që është tentuar të digjet, por pjesa tjetër nuk ka të lënduar. Është më tepër dëmtim i pronës për vetë faktin që është përdorur mjet ndezës, nuk e di me çfarë materiali është përdorur dhe mbi atë bazë është regjistruar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, nuk ka pasur sulm ndaj njerëzve apo ndaj çfarëdo lloj forme”, ka deklaruar Hoti.

Image
Besim Hoti

I pyetur nga gazeta nëse ka të dyshuar, Hoti ka pohuar se rasti është nën hetime dhe punohet intensivisht për të identifikuar kryesitë e veprës.

“Rasti është iniciuar, është hapur është nën hetime, tani punohet në atë drejtim dhe shikohet a mund të hetohet kush fshihet prapa, është kërkuar prej policisë, prej sektorëve, prej hetuesëve policor që të punohet intensivisht në këtë drejtim dhe të identifikohen kryesistë e veprës”, ka thënë Hoti.

Sulmet në pjesën veriore të Kosovës i ka dënuar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke i kërkuar qytetarëve ta ruajnë qetësinë, ndërkaq organeve gjegjëse që sa më shpejt t’i identifikojnë dhe dënojnë kryesitë e këtyre veprave./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat