Prokuroria Speciale nga sot në grevë të përgjithshme

Aktuale

Prokuroria Speciale nga sot në grevë të përgjithshme

Më: 19 mars 2018 Në ora: 07:34
Pallati i Drejtësisë

Stafi mbështetës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) nga e hëna do të hyjë në grevë të përgjithshme deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Greva është paralajmëruar nga kryetari i këshillit grevist të stafit mbështetës të PSRK-së, Sheremet Fejza.

“Në takimin që e patën me gjithë stafin mbështetës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, u pajtuam që nga dita e hënë të hymë në grevë të përgjithshme, pasi që deri më tani nuk ka pasur asnjë reflektim lidhur me kërkesat tona të cilat tashmë janë publike”, ka thënë Fejza.

Ai ka theksuar se greva do të mbahet për shkak të mos përmbushjes së stimulimit në paga të cilat janë të parapara me Ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Kërkesat e paraqitura:

-Kthimi i shtesës në mënyrë retroaktive nga 1 janari i këtij viti;

-Garantimi i kësaj shtese si shtesë e përhershme duke rregulluar një herë e përgjithmonë këtë çështje, pa marrë parasysh ngritjen apo mos ngritjen e pagave të prokurorëve;

-Kërkesa për avancimin e zyrtarëve ligjor të cilët kanë dhënë provimin e Jurisprudencës dhe ata të cilët tani më i kanë dorëzuar kërkesat për avancim, si dhe, cilido punëtor që plotëson kërkesat ligjore për avancim apo ngritje në detyrë në pajtim me dispozitat ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat