Veseli: Duhet t’i japim fund kanunit të pabarazisë gjinore

Aktuale

Veseli: Duhet t’i japim fund kanunit të pabarazisë gjinore

Më: 19 mars 2018 Në ora: 11:31
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Kosova mund të krenohet me gratë e suksesshme që ka, e të cilat duhet të jenë më të përfaqësuara në vendimmarrje.

Kështu tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në hapje të Javës së Gruas 2018.

Ai tha se  në Kuvendin e Kosovës janë miratuar vazhdimisht ligje shumë të mira,  por zbatimi i tyre çalon në shumë segmente dhe se ka një neglizhencë serioze në zbatimin e ligjeve,  që adresojnë barazinë gjinore.  Ndërsa shtoi se duhet t’i jepet fund kanunit të pabarazisë gjinore.

Veseli: Duhet t’i japim fund kanunit të pabarazisë gjinore

“Sot kemi shtetin e pavarur dhe sovran, që duhet ta udhëheqë lëvizjen gjithë-qytetare për t’i dhënë fund Kanunit të Pabarazisë Gjinore. Ky Kanun i privilegjon burrat, prandaj gratë nuk duhet të mbështeten shumë në “vullnetin e mirë” të burrave dhe fjalorin e tyre plot demokraci dhe emancipim. Shumë prej tyre, ende besojnë në mitin se pushteti i burrave në familje, shoqëri e shtet, është pushtet i natyrshëm dhe i pandryshueshëm. Ky është mit i rrejshëm dhe sot i dëmshëm e pengues në përparimin e vendit tonë. Na takon të gjithëve, e para së gjithash ju grave, që me aktivizimin e tyre të gjithanshëm, ta dërgojmë këtë mit në muzeun e të kaluarës”, tha ai.

Veseli tha se Kosova ka dhënë  disa shembuj se si institucionet kryesore të vendit u janë besuar grave, por kjo nuk është e mjaftueshme.

Veseli: Kosova mund të krenohet me gratë e suksesshme

“Kosova mund të krenohet me gratë e suksesshme që ka dhe me nivelin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies që ato kanë treguar. Ne kemi dhënë shembuj se si institucionet kryesore të vendit u janë besuar për udhëheqje grave: Presidencë, Gjykatë Kushtetuese, Komision Qendror të Zgjedhjeve, zëvendëskryeministre, ministre, ambasadore. Mund ta them me plot kuptimin e fjalës se në shumicën e rasteve  kanë qenë shumë më të suksesshme se burrat në këto pozicione,  natyrisht, kjo nuk është e mjaftueshme. Por, janë shenja dhe zhvillime pozitive që duhet të vazhdojnë dhe përfaqësimi i grave në vendimmarrje duhet të rritet,  në përputhje me legjislacionin që vetë e kemi miratuar”, tha ai.

Ndërkaq Mexhide Mjaku -Topalli,  kryesuese e grupit të grave deputete, tha se pjesëmarrja në Javën e Gruas viteve të kaluara, u ka dhënë atyre kurajë, e cila u mungonte.

Mjaku: Gratë dhe burrat së bashku mund të bëjnë tepër më shumë

“Unë shpresoj që diskutimet gjatë javës së gruas 2018, të shërbejnë si thirrje për të gjithë akterët relevantë që të angazhohen pa rezervë që  Kosovën ta bëjmë vend ku njerëzit  mund të jetojnë me dinjitet. Ne gratë mund të bëjmë shumë gjëra, të cilat burrat nuk mund t’i  bëjnë. Edhe burrat mund të bëjnë shumë gjëra,  të cilat ne gratë nuk mund t’i bëjmë.  Por, gratë dhe burrat bashkë  mund të bëjnë tepër më shumë”, tha ajo.

Ndërkaq Colleen Hyland,  zëvendës shefe e misionit të SHBA-së në Kosovë, tha se Kosova nuk gjendet mirë sa i përket përfaqësimit të grave në jetën institucionale e shoqërore dhe se Kosovës i duhen më shumë gra të angazhuara jo vetëm në politikë, por në të gjitha sferat e jetës.

Hyland: Gratë janë tmerrësisht të nën përfaqësuara

“Kjo javë është kremtim por dhe mundësi për t’i thyer barrierat, për pjesëmarrjen politike e ekonomike te grave.  Përderisa Kosova hyn në dekadën e dytë të pavarësisë së vet,  luftimi i korrupsionit dhe transparenca më e madhe në institucionet publike, është etike për Kosovën. Për këtë arsye tema e kësaj jave transparenca dhe llogaridhënia, jo vetëm që është relevante, por është dhe e kohës. Kosova duhet të tërheqë talentin dhe energjinë e çdo qytetari, pa marrë parasysh gjininë, religjionin apo racën. Mendoj se duhet ta pranojmë që në këtë çast kjo nuk po ndodh.  Ky është problem që tejkalon profesionet, sektorët dhe rajonet. Veç nëse e shohim përbërjen e  Qeverise së Kosovës tash e shohim se Kosova nuk po del mire, janë vetëm dy ministre në Qeverinë e Kosovës. Në Kuvend asnjë grup parlamentar nuk udhëhiqet nga ndonjë një grua. Gratë janë tmerrësisht të nën përfaqësuara në përbërjen politike të partive politike.  Nëse i shohim 38 komunat, asnjë kryetare e komunës nuk është femër”, tha ajo.

Gresa Caka, gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, tha se gratë do të kenë rol vendimtar në rrugëtimin e vendit dhe adresimin e sfidave.

Caka: Gratë do të kenë rol vendimtar

“Udhëkryqi në të cilin gjendemi në fillim të dekadës së dytë, mëvetësinë e plotë të institucioneve tona,  distancën e krijuar mes tyre e qytetarëve të saj, e që reflektohet në besimin në rënie të kësaj të fundit në të parën. Rritjen legjitime të presionit publik për transparencë dhe llogaridhënie duhet ta shndërrojmë në mundësi për një zotim të mirëfilltë partneriteti në adresimin e sfidave që na presin në jetësimin e vlerave demokratike të mishëruara në Kushtetutën tonë. E në këtë rrugëtim, e kaluara jonë duhet të na shërbejë si shpresë dhe inspirim në realizimin e mundësive të së ardhmes. E në këtë rrugë, gratë tona do të kenë rol vendimtar”, tha ajo.

***

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në hapje të “ Javës së Gruas 2018” se Kosova ka gra të suksesshme dhe mund të krenohet me to, ndërsa ka bërë thirrje për më shumë përfaqësim të grave në vendimmarrje.

“Ne kemi dhënë shembuj se si institucionet kryesore të vendit u janë besuar për udhëheqje grave: Presidencë, Gjykatë Kushtetuese, Komision Qendror të Zgjedhjeve, Zëvendëskryeministre, Ministre, Ambasadore. Natyrisht, kjo nuk është e mjaftueshme. 

Por, janë shenja dhe zhvillime pozitive që duhet të vazhdojnë dhe përfaqësimi i grave në vendim-marrje duhet të rritet në përputhje me legjislacionin që vetë e kemi miratuar”, ka thënë ndër të tjera Veseli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat