Avni Mazreku deklarohet i pafajshëm për plagjiaturë

Aktuale

Avni Mazreku deklarohet i pafajshëm për plagjiaturë

Më: 19 mars 2018 Në ora: 15:55
Avni Mazreku

Profesori në kolegjin “ISPE”, Avni Mazreku është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rreme”.Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, profesori Mazreku, i cili përfaqësohet nga avokati Tomë Gashi, ka deklaruar se nuk e ndien veten fajtor për akuzën që i vihet në barrë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Gjykatësja e rastit, Fatime Dermaku, ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, se ka të drejtë që brenda afatit prej 30 ditësh të paraqes kundërshtimet e tij lidhur me aktakuzës dhe provat e tjera.

Paraprakisht, avokati Tomë Gashi ka njoftuar gjykatën se nuk është pajisur me shkresat e tjera të lëndës, përpos me aktakuzë nga ana e prokurorit Dren Paca, duke kërkuar që t’i sigurohet një kopje e shkresave të lëndës.

Shqyrtimi i radhës, është caktuar të mbahet më 23 prill 2018, nga ora 13:10.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 26 prill 2016, Avni Mazreku akuzohet se ka kryer veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403 i KPK-së.

Sipas aktakuzës, Mazreku akuzohet se 30 qershor 2014, në Agjencinë e Kosovës për Akreditim në Prishtinë, e ka vënë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik, libër apo regjistër, të vërtetojë një çështje të pavërtetë të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore.

Mazreku akuzohet se përmes sekretarit të kolegjit “ISPE”, Veton Sahiti ia kishte dorëzuar konfirmimin e pagesës të printuar përmes sistemit elektronik “E-Banking” nga llogaria e këtij kolegji në “Raiffeisen Bank”, kinse e ka të kryer pagesën e mbetur në shumë prej 19.500 euro.

Si rezultat i kësaj pagese, siç thuhet në aktakuzë, aplikacioni i kolegjit “ISPE” ishte futur në shqyrtim në mbledhjen e këshillit shtetëror të cilësisë, e cila ishte mbajtur më 1 korrik 2014. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat