Qeveria akoma s’e di a janë të gjitha votat për Demarkacionin

Aktuale

Qeveria akoma s’e di a janë të gjitha votat për Demarkacionin

Më: 19 mars 2018 Në ora: 18:39
Qeveria e Kosovës

Ndonëse nesër do të vazhdojë seanca e jashtëzakonshme me Demarkacionin si pikë të vetme të rendit të ditës, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, nuk është i sigurt se a janë siguruar votat e nevojshme.

Hoxhaj nga Izraeli, ku po qëndron për një vizitë zyrtare, ka thënë se beson që nesër do të jenë numrat, mirëpo duke mos u shprehur konkretisht për këtë çështje.

“Besoj se nesër do të kemi votat e mjaftueshme. Është punuar shumë dhe pas marrëveshjes së dy presidentëve, nuk ka asnjë arsye politike, juridike dhe asnjë arsye tjetër që të mos votohet marrëveshja e vitit 2015, sikurse  të mos jetë pjesë e ligjit edhe vetë raporti i hartuar nga Komisioni Shtetëror në vitin 2017”, ka thënë Hoxhaj.

E se akoma nuk ka asgjë të sigurtë, e vërteton fakti se në fjalët e zëvendëskryeministrit Hoxhaj zënin vend fjali si ‘duhet të punohet deri në minutën e fundit që të jenë votat e nevojshme’.

“Mendoj që nesër do të kemi votat e mjaftueshme por jeta parlamentare, jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë, karakterizohet me një sjellje fluide të kontekstit të brendshëm. Duhet të luftohet deri në minutën e fundit, që çdo deputet i cili ka premtuar votën e tij, ta japë votën e tij”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkohë, sot është konfirmuar se Qeverisë si sponsorizuese e kësaj marrëveshjeje, i mungon vetëm edhe një votë, pasi një u fitua me ardhjen në AAK të Donika Kadaj-Bujupit.

Për Demarkacionin është folur shumë që të kalohet me votat e Listës Serbe, mirëpo duket se aty ka një refuzim dhe votën nga ky grup Qeveria po synon ta marrë vetëm te një deputet goran.

Ndryshe, seanca është paralajmëruar sërish sot se do të mbahet ditën e nesërme me fillim në orën 16:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat