LDK në Podujevë kremton 28 vjetorin e themelimit

Aktuale

LDK në Podujevë kremton 28 vjetorin e themelimit

Më: 19 mars 2018 Në ora: 21:12
Agim Veliu

Sot, në Podujevë u kremtua 28 vjetori i themelimit të Degës, ku morën pjesë anëtarë të kryesisë së LDK-së, deputetë, simpatizantë e shumë veprimtarë që rrugëtuan së bashku plot 28 vjet me sfida por edhe me shumë suksese.

Nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetar i Komunës së Podujevës, z. Agim Veliu, në këtë 28 vjetor të themelimit përshëndeti të gjithë të pranishmit, të gjitha familjet e veprimtarëve që kontribuuan për këto 28 vjet në LDK, partinë e parë demokratike në trojet shqiptare, në kuptimin e plotë të fjalës.

Veliu në 28 vjetorin e themelimit të degës në Podujevë  shpalosi dhe ndau kujtime që nga themelimi i kësaj dege, duke kujtuar kështu, funksionarin shumëvjeçar të devotshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Kikan, deputetin e Kuvendit të Kosovës, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar.

Veliu gjithashtu kujtoi grupin e shkrimtarëve, intelektualëve, profesorëve dhe shumë studentëve, të prirë nga Dr. Ibrahim Rugova, të bashkuar kështu për të krijuar një parti politike që synonte të përfaqësonte dhe të mbronte interesat nacionale e politike të shqiptarëve të Kosovës.

Në historikun e themelimit të LDK-së z. Veliu ndër të tjera tha:

“LDK nuk ishte e vetmja, ndonëse ishte më e madhja, më popullorja dhe më masivja. LDK ishte ndër partitë politike më masive në historinë politike të Evropës Juglindore. Arsyeja ishte e thjeshtë: populli i besoi lidershipit dhe vizionit të LDK-së, sepse LDK u formua nga pjesa më e ditur, më e ngritur dhe më e moralshme e shoqërisë kosovare: nga intelektualët e saj”.

Nënkryetari Veliu duke folur për vlerat e LDK-së, theksoi se përkushtimi i Presidentit Rugova në trinomin, liri, pavarësi dhe demokraci ishin vlera që LDK-ja besoi dhe punoi për to.

Veliu foli edhe për qeverisjen e LDK-së dhe LDK-në e sotme si Grupi më i madh Parlamentar në Kuvendin e Kosovës duke thënë: LDK u dëshmua me qeverisje të përgjegjshme, gjatë kohës që drejtoi Qeverinë e Kosovës, duke pasur në plan të parë interesin e shtetit, funksionimin demokratik të institucioneve, zhvillimin ekonomik të vendit, integrimet evropiane dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtar. Ndërsa, sot, LDK-ja, si forca kryesore politike në vend dhe forca kryesore opozitare, po e jep më të mirën që të kontribuojë në funksionimin demokratik të institucioneve, ruajtjen e stabilitetit politik dhe sigurisë në vend”.

Veliu fjalimin e tij e përmbylli me konstatimin se LDK është partia më e fuqishme në vend dhe se shpejt do ta udhëheq Kosovën.

“LDK është e para, sepse e ka traditën, përvojën e dijen, ka kapitalin kombëtar, demokratik e qytetar. Prandaj LDK është opsioni i vetëm politik i qytetarëve, që mund ta çojë vendin përpara. Kosova dhe qytetarët e saj e meritojnë të udhëhiqen nga platforma programore e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, e mbylli fjalimin kryetari i Komunës së Podujevës, z. Agim Veliu.

Në emër të kryetarit të LDK-së dhe kryesisë, të pranishmëve iu drejtua nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri.

Ai përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe ua uroi 28 vjetorin e themelimit, në rreth 3 dekada punë, angazhim, veprimtari dhe sakrificë të të gjithë llapjanëve.

Haziri kujtoi dhe falenderoi familjet e dëshmorëve dhe të gjithë kryengritsëve të cilëve iu shkëput jeta padrejtësisht, Enver Malokun e Xhemail Mustafën. 

Haziri tha se LDK-ja ka mbetur ajo që Rugova e themeloi. Ai e përgëzoi kryetarin e degës së LDK-së në Podujevë, mikun e tij z. Agim Veliu për të gjitha sukseset duke e cilësuar kështu si degën që nuk njeh humbje.

Nënkryetari Haziri theksoi se si LDK do ta ruajmë unitetin brenda për brenda gjeneratave dhe të gjitha strukturave për tu rikthyer kështu në qeverisje.

“Demokracia me këtë vendimarrje që është sot në vend është shumë e rrezikuar. Demokracia mbetet shtylla kryesore dhe shpirti i LDK-së”, ka thënë z. Lutfi Haziri.

Podujeva mbetet bastion i LDK-së, që nuk njeh humbje dhe udhëheqjen e entuziazmin e Podujevës duhet ta kemi si shembull, tha në mbyllje të fjalës së tij nënkryetari Haziri.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat