Vetëvendosje tregon pse e pengoi fjalimin Dhurata Hoxhës

Aktuale

Vetëvendosje tregon pse e pengoi fjalimin Dhurata Hoxhës

Më: 20 mars 2018 Në ora: 14:30
Vetëvendosje ndali fjalën e Dhurata Hoxhës

Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se aksioni ku ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha është penguar gjatë një fjalimi në kudër të Javës së Gruas, është bërë nga aktivistët e saj.

Kjo parti ka thënë se Hoxha nuk ka përmbushur detyrën zyrtare në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit.

Vetëvendosje thotë se nuk do të ndalet asnjëherë deri në zbardhjen e këtij rasti.

Komunikata e plotë:

Dhurata Hoxha kishte dështuar si ministre e Drejtësisë. Kjo ish ministre, tash ministre me një dikaster tjetër nuk e ka përmbushur as për së afërmi detyrën zyrtare në lidhje me hetimin e vdekjes së dhunshme të aktivistit Astrit Dehari në burgun e Prizrenit.

Edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 16 muaj që prej vdekjes së Astritit në duart e shtetit, në burg, asnjë përgjegjësi institucionale nuk është dhënë. Asnjë suspendim dhe kurrfarë dorëheqjesh nuk kanë ndodhur. Madje përkundrazi, Dhurata Hoxha, në vend të dhënies së përgjegjësisë, ajo ka akuzuar vazhdimisht Lëvizjen VETËVENDOSJE! ose ka kërkuar hetim për avokatin mbrojtës Tomë Gashin duke tejkaluar kështu me qëllim edhe kompetencat edhe rolin e saj. Ajo edhe kur detyrohet të flasë për Astritin, nuk shpjegohet, por vjell vrer, fyen e akuzon me fjalime të cilat nuk i shkruan vetë por i lexon me përpikëri.

Andaj, sot, në ligjeratën që po mbante ministrja Hoxha, aktiviste të Lëvizjes VETËVENDOSJE! shpalosën gjatë fjalimit të saj një baner me mbishkrimin “Dhuratë je përly’ me krimin që e ke kry’” duke treguar kështu për përgjegjësinë që kjo ministre po harron që e ka në lidhje me vdekjen e aktivistit Astrit Dehari para së cilës vazhdon t’i mbyllë sytë.

VETËVENDOSJE! nuk do të ndalet asnjëherë së kërkuar drejtësi për Astritin dhe përgjegjësi për personat e inkriminuar në këtë rast. Dhurata Hoxha jo që nuk jep përgjegjësi për vetën, por tash është shndërruar në person që me zell po e bllokon zbulimin e rastit Dehari. Përpjekja për t’i ikur përgjegjësisë do ta rrisë edhe më shumë fajin që ajo ka.

Ne ftojmë deputetët e Kuvendit të Kosovës, që në seancën e nesërme, të votojnë mocionin për rastin e Astrit Deharit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat