Këshilltari i Presidentit Thaçi nga Beogradi: ‘E kemi obligim Asociacionin e Komunave serbe’

Aktuale

Këshilltari i Presidentit Thaçi nga Beogradi: ‘E kemi obligim Asociacionin e Komunave serbe’

Më: 20 mars 2018 Në ora: 18:40
Blerim Shala

Blerim Shala, këshilltari i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Prishtina e ka obligim formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, si dhe duhet ta shfrytëzojë rastin dhe të arrijë marrëveshje ligjërisht obliguese dhe t’i normalizojë marrëdhëniet, raportojnë mediat serbe.

Shala, siç transmeton Emedia, ka paralajmëruar formimin e grupit punues që do të nisë hartimin e statutit të asociacionit, ndërsa “fjala e fundit do të thuhet në Bruksel, ngase kjo është çështje politike”.

“Asociacioni do të krijohet – Gjykata Kushtetuese u tha politikanëve kosovarë se kanë obligim ndërkombëtar që ta formojnë”, ka deklaruar Shala në debatin e organizuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur i Serbisë, me temë “Dialogu diplomatik – Gjendja dhe perspektivat e dialogut të Brukselit” në Beograd.

Sipas tij, ky është qëndrimi edhe i Brukselit dhe Berlinit, ndërsa formimi i AKS-së është obligim i Prishtinës.

Lidhur me marrëveshjen obliguese, Shala tha se ende është herët të thuhet se çka krejt do të gjendet në të, por ka shtuar se vetë koncepti “ligjërisht obligues” flet për atë se kjo do të jetë një kornizë juridike për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këshilltari i presidentit Thaçi e ka vlerësuar si veprim të guximshëm dhe të sinqertë nisjen e dialogut në Serbi nga ana e Aleksandar Vuçiqit, duke porositur se duhet shfrytëzuar situatën që njëherë e përgjithmonë të normalizohen marrëdhëniet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat