Presidenti Hashim Thaçi ka kujtuar masakrat e kryera nga forcat serbe në Kosovë.
Ai ka vlerësuar se muaji mars sjell në kujtesë lavdinë e luftës së drejtë, por edhe ditët e rënda nëpër të cilat vendi ka kaluar, si dhe humbjen e njerëzve.
“Këto ditë kujtojmë masakrat që janë kryer gjithandej Kosovës, në Anadrini, Dukagjin, Drenicë e Gollak. Sot e tërë Kosova bashkëndjen me dhimbjen e familjarëve për jetët e humbura në Krushë të Vogël. Ky fshat është simbol i mbijetesës dhe do të mbetet gjithmonë fshat i rilindur mbi sakrificën e atyre që ranë dhe u flijuan vetëm pse ishin në vendin dhe në shtëpitë e tyre”, ka shkruar Thaçi, në një publikim të bërë në rrjetin social Facbook.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të rënët dhe për veprën e tyre në shërbim të atdheut”, ka përfunduar Presidenti Thaçi.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka përkujtuar dëshmorët e rënë për liri, duke thënë se përvjetorët e masakrave rikthejnë pamjet e luftës.