Lumezi kërkon koordinim ndërinstitucional për trajtimin e rasteve të shenjëstruara

Aktuale

Lumezi kërkon koordinim ndërinstitucional për trajtimin e rasteve të shenjëstruara

Më: 29 mars 2018 Në ora: 13:56
Foto nga takimi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, gjatë ditës së sotme ka takuar bartësit e  institucioneve të drejtësisë dhe atyre të sigurisë në Republikën e Kosovës, më të cilët ka diskutuar në lidhje me shenjëstrimin e rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar të cilat ndërlidhen me liberalizimin e vizave. 

Gjatë këtij takimi, sipas kumtesës, Kryeprokurori Lumezi, iu ka dhënë detyra të reja dhe ka kërkuar nga Prokuroria Speciale, Prokuroria Themelore e Prishtinës, Policia e Kosovës si dhe departamentet gjegjëse në kuadër të policisë që t’i koordinojnë veprimet e tyre për trajtimin e rasteve të cilat tashmë janë prioritet nga Prokurori i Shtetit, si dhe të merren veprime konkrete për zbardhjen e rasteve që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivel të lartë. 

Me qëllim të ngritjes së efikasitetit, Kryeprokurori Lumezi, ka kërkuar raportim të rregullt lidhur me trajtimin e këtyre rasteve, që janë duke u trajtuar nga Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës.

Të ftuar në këtë takim nga Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, ishin Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, Drejtori i Departamentit të hetimeve, Riza Shillova, Drejtori i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti, Drejtori I Divizionit për Krime të Rënda, Fehmi Hoti si dhe Shefin e Task Forcës kundër korrupsionit në Policinë e Kosovës, Shemsi Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat