Thaçi nga Kosharja iu përgjigjet kërcënimeve të Serbisë

Aktuale

Thaçi nga Kosharja iu përgjigjet kërcënimeve të Serbisë

Më: 9 prill 2018 Në ora: 12:22
Hashim Thaçi në Koshare

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duke folur në manifestimin “Ditët e Shqipes” që mbahet cdo vit në Koshare tha se Kosova ka fituar pavarësinë dhe shtetësinë e saj fal rënies së dëshmorëve të kombit siq janë Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe dëshmorët e tjerë të rënë në Koshare.

Sipas tij, fal këtyre dëshmorëve Kosova sot po ecë sigurt drejt integrimit evropian.

Thaçi përmendi edhe kërcënimet që sipas tij po vijnë nga Serbia por tha se “këtyre kërcënimeve do t’iu përgjigjemi siç iu kemi përgjigjur para 19 vitesh, me pushkë”, tha presidenti.

Manifestimi “Ditët e Shqipes” po mbahet për nder të 19 vjetorit të Betejës së Koshares e cila përfundimisht theu kufirin  në mes tokave shqiptare që me shekuj ishte vënë nga pushtuesit.

Njoftimi i Presidencës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”, për nder të betejës së Koshares.

Image

Presidenti Thaçi ka thënë se çdo fillimvit, veçanërisht në muajt mars, prill dhe maj, Kosova shënon ngjarje të dhimbshme dhe krenare, të sakrificës dhe të rezistencës, të lidhura me vitet e luftës 1998-1999.

Këto vite, presidenti Thaçi i ka quajtur vite vendimtare, ku fati i Kosovës po zgjidhej përfundimisht, duke realizuar ëndrrën shekullore të shumë brezave – çlirimin nga sundimi i administratës, policisë dhe ushtrisë serbe.

“Edhe në këtë 19 vjetor të çlirimit dhe 10 vjetor të Pavarësisë së Kosovës u kujtuan masakra e Likoshanit dhe Çirezit, Epopeja e UÇK-së në Prekaz, Epopeja e Dukagjinit, masakra në Krushë, në Celinë, në Izbicë e në Rezallë. Do të shënohen e kujtohen me respekt e dhembje ngjarje të ngjashme në muajt në vijim, për të na rikujtuar faktin që liria dhe pavarësia e Kosovës ka pasur një çmim të lartë”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka thënë se me krenari sot kujtojmë përvjetorin e 19-të të betejës së Koshares.

Image

“Kujtojmë luftën e lavdishme të djemve dhe vajzave që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare fuqishëm pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm nga Shtabi i UÇK-së. Në Koshare, UÇK-ja dëshmoi faktin që kishte hyrë në një fazë më të lartë të rezistencës. Me kapacitetet njerëzore dhe teknike ishte e aftë për t’u përballë me forcat serbe në luftë frontale. Si rezultat i përgatitjes taktike dhe strategjike, me aktet e vendosmërisë dhe trimërisë së pashembullt u arrit një fitore historike – shembja e gurit të piramidës së kufirit që kishte ndarë një shekull tokat shqiptare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se me respektin më të lartë shtetëror dhe kombëtar, sot nderojmë sakrificën e ushtarëve dhe oficerëve të rënë në luftë për liri.

“Kujtojmë heronjtë Sali Çeku, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahu. Shprehim nderimet më të larta për invalidët dhe veteranët e betejës së Koshares dhe të Pashtrikut”, shtoi ai.

I pari i vendit theksoi se Kosova sivjet po shënon denjësisht përvjetorin e dhjetë të pavarësisë dhe 19 vjetorin e çlirimit.

Këto qëllime madhore, sipas presidentit Thaçi, nuk mund të arriheshin pa sakrifica të mëdha, pa vizionin e qartë politik për vlera demokratike perëndimore dhe pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve të BE-së dhe të NATO-s.

Image

“Kosova, përkundër sfidave, është tregim i suksesshëm i shtetndërtimit. Në çdo kohë u jemi mirënjohës shteteve mike që na përkrahën edhe në fazat e konsolidimit të brendshëm edhe në afirmimin ndërkombëtar. Kosova vazhdon me këmbëngulje synimin në integrimet euroatlantike”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se pavarësia e Kosovës është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, përkundër faktit që shteti fqinj, Serbia, ende pengon anëtarësimin tonë në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova nuk ka orientim tjetër, përveç atij euroatlantik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat