Beteja e Koshares shembi piramidën që kishte ndarë shtetet shqiptare

Aktuale

Beteja e Koshares shembi piramidën që kishte ndarë shtetet shqiptare

Më: 9 prill 2018 Në ora: 14:57
Koshare

Në vendin ku 19 vjet më parë është zhvilluar njëra nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë mbledhur qindra qytetarë, nga e gjithë Kosova.

Ata bashkë edhe me krerët më të lartë të shtetit u mblodhën në Koshare, për ta përkutjuar Betejën e lavdishme të Koshares në të cilën ranë 109 dëshmorë.

Fillimisht u mbajtën homazhe dhe u vendosën kurora me lule pranë varreve të dëshmoreve ndërsa për nder të këtij përvjetori u mbajt edhe një tubim i cili tashmë e ka emrin tradicional “Ditët e Shqipes”.

Kryeministri i Kosovës nën patronatin e së cilit mbahet ky manifestim ka kujtuar thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar duke thënë se kjo betejë paraqet unitetin e luftëtarëve që dhanë çdo gjë për t'i dhënë paqen vendit, pa pyetur për çmimin.

Beteja e Koshares, sipas kryeministrit, Ramush Haradinaj  është dëshmi e trimërisë së papërsëritshme të heronjve dhe Kosova duhet të krenohet me ta, teksa theksoi se ka filluar mijëvjeçari i ri i shqiptarëve.

Haradinaj: Shumë breza janë shkrirë për Kosovën, ne jemi me fat se në krahë kemi pas NATO-n

 "Të bëhesh pjesë në 'Ditët e Shqipes' është jo vetëm nder, por edhe betim se do t'i dalim zot atdheut. I nderojmë sot edhe ata të huaj që u bëmë bashkë me ne. Shumë breza janë shkrirë për Kosovën, por ne jemi me fat se në krahë kishim NATO-n dhe së bashku ngadhënjyem mbi të keqen. Sot së bashku me aleatët jemi në rrugë të mirë për të krijuar ushtrinë tonë", tha Haradinaj.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke vlerësuar lart veprën dhe rënien e dëshmorëve, tha se Kosova ka fituar pavarësinë dhe shtetësinë e saj fal rënies së dëshmorëve të kombit siç janë Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe dëshmorët e tjerë të rënë në Koshare.

Sipas presidentit kjo betejë shembi piramidën dhe gurin që ndante tokat shqiptare.

Thaçi: Beteja e Koshares dëshmon se UÇK kishte hyrë në fazën përfundimtare për çlirim

 "Sot me krenari kujtojmë 19 vjetorin e Vetejës së Koshares. Kujtojmë luftën e lavdishme të djemve dhe vajzave që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Koshare, UÇK-ja, dëshmoi faktin se kishte hyrë në një fazë më të lartë të rezistencës, rezistencës përfundimtare për çlirim", tha presidenti. E sipas tij, fal këtyre dëshmorëve Kosova sot po ecë sigurt drejt integrimit evropian. Ndërsa shtoi se Kosova përkundër sfidave është tregim i suksesshëm i shtetndërtimit.

Presidenti foli edhe për kërcënimet që sipas tij po vijnë nga Serbia, me ç'rast tha se Kosova gjithmonë do të përgjigjet për të larguar çdo kërcënim që i vjen.

Thaçi: Çdo kërcënimi do t'i përgjigjemi sikurse i jemi përgjigjur më parë

"Kosova vazhdon me këmbëngulje synimin drejt integrimeve euroatlantike. Pavarësia e Kosovës është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon përkundër faktit se shteti ynë fqinjë Serbia, pengon anëtarësimin tonë në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare. Por sido që të jetë, Kosova nuk ka orientim tjetër përveç atij euroatlantik. Kosova nganjëherë po ballafaqohet edhe me kërcënime të drejtpërdrejta të Beogradit. Por edhe sot nga Kosharja, përgjigja e shtetit të Kosovës është e qartë: cdo kërcënimi do t'i përgjigjemi si iu kemi përgjigjur më parë,  për largimin e çdo kërcënimi", tha presidenti.

Thaçi përmendi edhe ndihmën e shteteve mike të Kosovës, duke thënë se Kosova në çdo kohë do të jetë mirënjohëse ndaj shteteve mike që e përkrahën edhe në fazën e konsolidimit të brendshëm edhe të afirmimit ndërkombëtar.

 Po ashtu, kryeministri kërkoi mbështetjen e shteteve mike që të mbështesin Kosovën në rrugën e saj si shtet i pavarur.

Ndërsa, në emër të ‘Brigadës 138” e cila vepronte nën komandën e heroit Agim Ramadani e pas rënies nën komandën e tij, Rrustem Berisha, tha se ndjehet krenar për gjithë ata djem e vajza që me kontributin e tyre kolosal, ishin thelbi i Betejës së Koshares.

Kësaj beteje, Berisha tha se i ndihmoi  edhe NATO, derisa siguroi se bijtë e Kosovës gjithmonë do të kujdesen për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Duke kujtuar rëndësinë e kësaj beteje, Berisha shfrytëzoi rastin për të bërë apel që statusi i veteranit t'i takojë gjithsecilit që i është bashkuar UÇK-së, duke theksuar se është e pamundur të kujtosh betejën e Koshares pa kujtuar edhe bashkëluftëtarët e tyre që luftuan për ta fituar lirinë.

Berisha: Ligji nuk duhet t’i ndajë ata që nuk i ndau lufta e as vdekja

 "Ftoj të gjitha institucionet përkatëse të Republikës të Kosovës që të ushtrojnë ndikimin e tyre që Ligji për Veteranët sa më parë t'i nënshtrohet rishikimit. Ky ligj duhet të jetë gjithëpërfshirës e jo ndarës. Ligji nuk duhet t'i ndajë ata të cilët nuk i ndau lufta as vdekja. E dijmë se ushtria e Kosovës nuk ka alternativë dhe është një detyrim të cilin ia kemi borxh gjeneratave të së ardhmes. Por ushtria e sotme nuk do të jetë e mirëfilltë nëse nuk kujdesemi për ushtrinë e së kaluarës", tha Berisha që tash mban postin e minsitrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai tha se çdo individ që luftoi me emblemën e UÇ?-së meriton statusin e veteranit, ndërsa invalidët e luftës duhet që sa më parë të përfshihen në skemën e pensioneve.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe zëvendëskryeministri , Behgjet Pacolli, i cili tha nderimi më i mirë për dëshmorët është që të punohet drejt realizimit të ëndrrës së tyre, e që është një Kosovë e lirë dhe dinjitoze.

Në emër të familjeve të dëshmorëve të Koshares  para të pranishmëve foli Visar Hasaj  me ç'rast bëri thirrje për punë të dinjitetshme në mënyrë që amaneti i të rënëve për liri të çohet në vend.

Hasaj : Duhet të punojmë që të mos shkelim mbi gjakun e stë rënëve

"Ardhja juaj nderon dëshmorët, nderon UÇK-në, na nderon neve familjet e dëshmorëve dhe nderoni vetveten. Dëshmorët dhanë jetën për atdheun. Ndërsa ne duhet të punojmë dhe të ecim përpara që të mos shkelim mbi gjakun dhe amanetin e tyre", tha Hasaj .

Manifestimi “Ditët e Shqipes” do të vazhdojë edhe ditët në vazhdim ku të mërkurën në prishtinë do të mbahet akademi përkujtimore në nderim të rënies së komandantit Agim Ramadani.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Në Koshare kanë rënë qindra dëshmorë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga shtetet e Evropës si Italia, Franca, etj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat