Edhe VV kërkon rrëzimin e Qeverisë, Kurti: Zgjedhje të parakohshme sa më parë

Aktuale

Edhe VV kërkon rrëzimin e Qeverisë, Kurti: Zgjedhje të parakohshme sa më parë

Nga: Bota sot Më: 10 prill 2018 Në ora: 13:33
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Kryetari  i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se ata janë për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë.

Kurti përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se tashmë qe dy javë Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur qëndrimin e saj se kjo qeveri, ka rënë moralisht dhe ajo duhet të bie edhe me numra.

Rrëzimin e qeverisë ka kërkuar vazhdimisht edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

U bënë katër javë prej se Lëvizja VETËVENDOSJE! (LV) ka shprehur qëndrimin e saj se kjo qeveri ka rënë moralisht dhe ajo duhet të bie edhe me numra.

Nenad Rikallo e Milan Radojçiq, shtimi enorm i posteve qeveritare dhe rritja e pagave vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë nga BE-ja dhe rritja e papunësisë, Contour Global dhe 'Demarkacioni', e deri te dëbimi tinëz, në shkelje të ligjit e të drejtave të njeriut i 6 shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo qeveri e shtrenjtë duhet të largohet.

Interpelancat për temat e ndryshme dhe Komisionet Hetimore Parlamentare që kemi inicuar janë dëshmi e opozitarizmit tonë dhe dëmeve të kësaj qeverie që duhet të shkojë.

LV është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë.

Shumica dërrmuese e popullit dhe shumica e deputetëve të Kuvendit janë në opozitë me këtë qeveri. Mbetja e kësaj qeverie në pushtet është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm.

Nuk mund të mbetet shteti e populli peng as të qejfit të kryeministrit dhe as të frikës së presidentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat