Kodi i ri Penal parasheh dënime të ashpra për keqpërdoruesit e parasë publike

Aktuale

Kodi i ri Penal parasheh dënime të ashpra për keqpërdoruesit e parasë publike

Më: 12 prill 2018 Në ora: 13:07
Abelard Tahiri

Në Kodin e ri Penal janë propozuar amendamentet e reja që i ndalojnë personit zyrtar ushtrimin e funksionit në administratën publike apo në shërbimin publik deri në 10 vjet nga aktgjykimi dënues.

Kjo dispozitë parasheh që kur zyrtari publik të dënohet për vepër penale të korrupsionit, atij t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve në shërbim publik deri në dhjetë vjet.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, me rastin e prezantimit të Kodit të ri Penal që gjatës ditës së nesërme do të dërgohet në Qeveri për t’u proceduar më pastaj në Kuvend, ku ai ka thënë se ky Kod Penal është në harmoni të plotë me standardet e Bashkimit Evropian

Tahiri tha se dënimet për vepra penale që ndërlidhen me korrupsionin, kudo që ka pasur mundësi janë rritur dhe janë bërë kumulative në vend se alternative.

Tahiri: Dënimi për veprat penale që ndërlidhen me korrupsion, janë rritur

“Ne kemi hartuar një koncept dokument, rekomandimet e të cilit i kemi përfshirë në këtë Kod Penal, rrjedhimisht janë propozuar amendamente të reja që i ndalojnë personit zyrtar ushtrimin e funksionit në administratë publike apo në shërbim publik deri në 10 vjet nga aktgjykimi dënues. Kjo dispozitë parasheh që kur një zyrtar publik të dënohet për vepër penale të korrupsionit, atij t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve në shërbim publik deri në dhjetë vjet. Dënimi për veprat penale që ndërlidhen me korrupsion, ku kudo që ka pasur mundësi janë rritur dhe janë bërë kumulative në vend se alternative. Këto masa janë përkushtim konkret i yni për të mbrojtur integritetin e institucioneve tona dhe për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin në mënyrë të vazhdueshme dhe të pa  kompromis”, tha Tahiri.

I pari i Drejtësisë u shpreh i bindur se ky propozim do të përkrahet nga të gjithë deputetët e Kosovës.

Ministri Tahiri bëri të ditur se në veprat që hyjnë në kuadër të krimit të organizuar dhe korrupsionit janë rishikuar 19 nene.

Tahiri: Në kuadër të krimit të organizuar dhe korrupsionit janë rishikuar 19 nene

“Në veprat që hyjnë në kuadër të krimit të organizuar dhe korrupsionit janë rishikuar 19 nene, për të mundësuar kështu ndjekje efektive të aktiviteteve kriminale që ndodhin në kontekstin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Këto nene mbulojnë një sërë aktivitetesh, pra nga kontrabandimi deri tek mashtrimi dhe prodhimi i produkteve të dëmshme, si dhe përcaktimi i veprave penale të korrupsionit, keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrja dhe dhënia e ryshfetit, mashtrimi në detyrë e të tjera. Duke i dhënë ështu një përgjigje të fuqishme kërkesave për parandalim të veprave korruptive ne nivelin e ushtrimit të detyrës zyrtare. Ndryshimet po ashtu, janë rritur afatet e parashtrimit për këto vepra duke ofruar kështu një avancim dhe vendosmëri për të ofruar zgjidhje për këto probleme që shpesh herë me të drejt kanë qenë edhe subjekt i kritikës. Kjo ju jep gjykatave më shumë kohë për të përfund uar rastet të cilat kanë të bëjnë me krim të organizuar dhe korrupsion”, tha ministri Tahiri.

Ndërsa, sa i përket konfiskimit të pasurisë së përfituar me vepër penale, si dhe përcaktimit të mëtejmë të politikës legjislative, ministri Tahiri tha se ka pasur një konsultim të vazhdueshëm ndër institucional si dhe me partnerët.

Ai tha se kjo çështje do të jetë subjekt i trajtimit kryesisht në Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara, të dyja këto tashmë janë në përfundim e sipër.

Ministri Tahiri tha se në Kodin Penal, ka ndryshime konkrete që ndërlidhen me aspektet e shmangies nga tatimi, shmangies nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, veprave penale  në lidhje me Produktet me Akcizë, veprave penale të pastrimit të parave, veprave penale për keqpërdorimin e subvencioneve dhe donacioneve, trajtimi i të cilave, do t’i japë një dimension tjetër përpjekjeve institucionale që ndërlidhen me to.

Sa i përket të drejtave të njeriut, ndryshimet e reja parashohin nene për krimet e urrejtjes dhe dënime specifike të ngritura për disa vepra penale që janë të motivuara nga urrejtja ndaj grupeve të caktuara. 

Po ashtu, ministri tha se janë hartuar nene të reja që trajtojnë mbrojtjen e grave dhe dhunën brenda marrëdhënies familjare, si dhe kundër ngacmimit seksual. Po ashtu, janë rritur edhe dënimet për kryerësit e veprave penale të përfshirë në veprën penale të trafikimit me njerëz për shfrytëzim seksual dhe janë rritur dënimet për veprat penale kundër fëmijëve dhe viktimave të cenueshme. 

Një kontekst i ri dhe i nevojshëm, përkatësisht veprat që ndërlidhen me parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, po ashtu janë hartuar dhe ndryshuar, ku mbi 20 nene që kanë të bëjnë me terrorizmin, janë shtruar duke qenë në pajtim të plotë me direktivat e fundit dhe praktikat e mira ndërkombëtare, që ndërlidhen me fushën e financimit të terrorizmit në atë mënyrë që të spastrojnë rrugën për ndjekje penale të atyre që janë të përfshirë në këtë aktivitet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat