Studentët paralajmërojnë padi kundër rektorit Dema

Aktuale

Studentët paralajmërojnë padi kundër rektorit Dema

Më: 12 prill 2018 Në ora: 13:50
Mexhid Ramusa

(E plotësuar)- Policia e Kosovës ka arrestuar kreun e Demokracisë Studentore Mexhid Ramusën gjatë një proteste të mbajtur në hapësirat e rektoratit të UP-së, me kërkesën për shkarkimin e rektorit Marjan Dema dhe disa zyrtarëve tjerë, të cilët akuzohen nga studentët se janë pjesë e dallavereve që sipas tyre po ndodhin në këtë institucion arsimor.

Organizata Demokracia Studentore ka zhvilluar sot një aksion simbolik para rektoratit të UP-së, ku me këtë rast shtatores së Hasan Prishtinës ia kanë mbyllur sytë “për të mos shikuar gjendjen aktuale në të cilën ndodhet Universiteti i Prishtinës”.

Kryetari i DS-së, Mexhid Ramusa, nuk ka kursyer akuzat dhe kritikat ndaj  rektorit të UP-së Marjan Dema për, siç ka thënë ai, dallaveret në universitet, për shkak të të cilave studentët kërkojnë shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës.

Ramusa: Ia mbyllëm sytë Hasan Prishtinës mos ta shikojë gjendjen në UP

“Jemi mbledhur për të kundërshtuar dallaveret që janë duke vazhduar në UP nga ky rektorat, njëkohësisht nga rektori. Ne si organizatë, sot kemi vendosur që ta mbajmë këtë aktivitet simbolik për t’ia mbyllur sytë Hasan Prishtinës, i cili mos ta shohë gjendjen aktuale që është në UP. Ne si organizatë kërkojmë nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës që të shkarkohet ky rektor, sepse i ka sjellë shumë të këqija këtij universiteti. Ne si organizatë studentore do të ngritim kallëzim penal rektorit qysh në javën e ardhme dhe do t’i ndjekim rrugët ligjore për t’i ndalur dallaveret që po i shkakton Universiteti i Prishtinës”, tha Ramusa.

Gjatë këtij aksioni simbolik, kreu i DS-së është arrestuar pasi deshi të shkruajë grafite në muret e Rektoratit, ndërkohë që pati për pak nuk ndodhi incident serioz kur një pjesëtar i sigurimit të objektit, Egzon Geci, e ndaloi në mënyrë të dhunshme Ramusën të mos shkruajë grafite.

Ndërsa, Milaim Nuhiu nga organizata Demokracia Studentore, tha se Rektorati  është shndërruar në burg për të gjithë studentët, pasi sipas tij, “UP po grushton studentët,  siç ndodhi edhe në rastin e Mexhid Ramusës, i cili u arrestua”.

Ai thotë se personi që është dashtë të arrestohet është rektori  Dema e jo studentët që kërkojnë të drejta.

Nuhiu: Rektori ka urdhëruar sigurimin që t’i grushtojë studentët

“Po e shihni se rektorati i Universitetit të Prishtinës është kthyer në një burg të vërtetë për studentët e Universitetit të Prishtinës, nuk ka asnjë element për ta quajtur rektorat, këtu ka vend të krimit , ka vend të burgut , këtu ka vend që i burgosin studentët , këtu ka vend që i grushtojnë studentët. Ky rektor e ka urdhëruar sigurimin që t’i grushtojë studentët, i patë edhe grushtet dhe sjellje arrogante qysh në fillim i patën ndaj neve. Policia veç e arrestoi Mexhid Ramusën, kryetarin e Demokracisë Studentore dhe kjo nuk është aspak e hijshme, sepse njeri që u dashtë të arrestohet është brenda”, tha Nuhiu.

Ai ka paralajmëruar se do të mbahen protesta të ngjashme edhe në të ardhmen, deri në shkarkimin e rektorit të UP-së, Marjan Dema.

Ndryshe, gjatë aksionit të sotëm simbolik, përveç Ramusës, është arrestuar edhe anëtari i sigurimit të Rektoratit të UP-së Egzon Geci, i cili ndaloi kreun e DS-së që mos të shkruajë grafite në muret e objektit. 

Kërkohet lirimi i menjëhershëm i Mexhid Ramusa

Demokracia Studentore kërkon lirimin e menjëhershëm të kreut të kësaj organizate studentore Mexhid Ramusa, i cili u arrestua sot gjatë një proteste kundër rektorit të UP-s, Marjan Demaj.

Në komunikatën për media thuhet se arrestimi i Ramusa është i padrejtë dhe ai duhet të lirohet menjëherë.

“Ne kërkojmë që kryetari i organizatës Mexhid Ramusa të lirohet nga arrestimi, i cili i është bërë padrejtësisht. Ne kishim një aktivitet simbolik, ndërsa sigurimi fizik na sulmoi  fizikisht dhe padrejtësisht është arrestuar kreu i organizatës sonë. Andaj, ne anëtarët e organizatës kërkojmë lirimin e tij të menjëhershëm”, thuhet në komunikatën e DS-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat