Kuvajti mbështet Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit e të përparimit

Aktuale

Kuvajti mbështet Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit e të përparimit

Më: 12 prill 2018 Në ora: 17:10
Pamje nga takimi

Agjenda e sotme e takimeve në Kuvend e Grupi parlamentar të Miqësisë Kuvajt – Kosovë, është përmbyllur me pritjen nga Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, e cila kryesoi takimin, shprehu konsideratën për miqësinë që Kuvajti dhe Kosova tashmë kanë lidhur midis tyre, dëshmi e të cilës janë edhe takimet e ngrohta e miqësore që po zhvillohen midis përfaqësuesve të zgjedhur të të dy popujve. 

Ajo e konsideroi shumë të çmuar për Kosovën mbështetjen e deritashme të Kuvajtit për Kosovën në kohë të ndryshme dhe fusha të shumta, ndërsa e cilësoi të nevojshme vazhdimin e kësaj përkrahjeje, tashmë në rrethana të reja. 

Osmani vlerësoi se vizitat e ndërsjella mund të shërbejnë për të ndërtuar raporte me parlamente të vendeve të tjera të botës islame, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. 

U tha se Serbia po përpiqet të përfitojë në këtë pjesë të botës, në emër të një federate që nuk ekziston më, duke u thirrur si trashëgimtare e saj. 

E një rëndësie të veçantë u konsiderua edhe përkrahja e Kuvajtit për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç janë INTERPOL-i dhe UNESCO. 

Kryesuesi i delegacionit parlamentar të Kuvajtit, Waleed Al- Tabtabaie, tha se populli i Kosovës, edhe pse i vogël, falë përpjekje të pareshtura të tij, arriti të fitojë diçka të madhe, pavarësinë, duke përfituar njëkohësisht edhe mbështetjen e shumë shteteve të fuqishme të botës. 

Ai shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit e të përparimit, ndërsa e konsideroi shumë të rëndësishme që Kosova të përfitojë projekte nga fondi kuvajtian i zhvillimit, por për këtë, siç tha ai, fillimisht duhen studime të hollësishme fizibiliteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat