Së pari shteti, pastaj qeveria e partia, thotë ministri Hamza

Aktuale

Së pari shteti, pastaj qeveria e partia, thotë ministri Hamza

Më: 12 prill 2018 Në ora: 21:44
Bedri Hamza

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se megjithë përparimin Kosova vazhdon të ketë tregues negativë në disa rrafshe me rëndësi, si norma e lartë e papunësisë dhe deficiti tregtar.

Në Zona e Debatit, ai ka sqaruar kundërshtimin që i ka bërë në disa raste kërkesave të kryeministrit Ramush Haradinaj, duke e vënë theksin tek prioritetet – në krye të listës së të cilave ai tha se qëndron interesi shtetëror.

“Gjithmonë ka nevoja, mirëpo ato duhet të plotësohen në përputhje me mundësitë reale për financim. Ne duhet t’i kemi të renditura drejt prioritetet”.

“Prioritet i parë është shteti. Nëse ato renditen gabim dhe vendoset interesi politik mbi atë shtetëror, në afat të shkurtër mund të duket që prodhon efekt politik, por në afat të gjatë dëmtohet shteti”.

“Si ministër i Financave kam mbështetjen që qëndrimet e mia dhe të partisë të jenë të radhitura drejt, së pari shteti, pastaj të tjerat. Gjithmonë kam qenë i kujdesshëm, por tash jam edhe më shumë i tillë. Të gjitha sukseset që janë arritur ia atribuoj ekipit me të cilin kam punuar”.

“Vendimet ad-hoc, të paanalizuara, me të cilat tentohet me çdo kusht të përfitohet elektorat paraqesin rrezik për qëndrueshmërinë dhe financat publike në vend. Kosova borxhin publik e ka të ulët, rreth 17 për qind. Por me disa veprime ky borxh mund ta rrezikojë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin makro-fiskal. Prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm, sidomos me presionin social, që mund të krijojë barrë afatgjatë për buxhetin”.

“Ne nuk kemi të drejtë që për shkak të gabimeve tona të bëjmë veprime me të cilat ua vështirësojmë jetën gjeneratave të ardhshme”.

“Në fillim të punës time kam paralajmëruar shumë vendime që do të merren me qëllim të përmirësimit të ambientit të të bërit biznes. Kosova qëndron mirë në disa parametra, si borxhi publik, deficiti publik. Edhe rritja ekonomike është e mirë. Por ne kemi probleme me deficitin e lartë tregtar. Po rriten eksportet, por po rriten edhe importet. Problem është edhe norma e lartë e papunësisë. Ndaj ne duhet të lëvizim drejt ekonomisë prodhuese”.

“Ne kemi vendosur që t’i lirojmë nga tatimi të gjitha pajisjet e Teknologjisë Informatike. Sepse të rinjtë tanë janë të zotët dhe njohin disa gjuhë, ndaj mund të punojnë për kompani të huaja. Për të qenë përfitues i këtyre lirimeve duhet pasur autorizim nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës”.

“Përveç këtyre vendimeve, në proces janë edhe Ligji për TVSH-në, me qëllim të krijohet infrastruktura që ky tatim të mos paguhet në kufi, por të paguhet brenda vendit. Kështu bizneseve u rritet likuiditeti. Nuk kanë nevojë që për ta paguar TVSH-në në kufi të marrin kredi. Nëse një biznes, për një arsye të caktuar, i shmanget këtij tatimi, mund ta humbasë të drejtën që këtë tatim ta paguajë në brendi dhe detyrohet ta paguajë në kufi. Planifikohet që ky tatim të nisë të paguhet në këtë formë në fillim të vitit të ardhshëm”.

“Fondi për Garantimin e Kredive është instrument shumë i mirë për bizneset e reja. Ka ide shumë të mira, mirëpo në mungesë të kapitalit nuk mund të realizohen”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat