Çoçaj i PDK-së e quan qesharake listën e anëtarëve për KSHC-së

Aktuale

Çoçaj i PDK-së e quan qesharake listën e anëtarëve për KSHC-së

Më: 13 prill 2018 Në ora: 14:02
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka përcjell për në Kuvendin e Kosovës ratifikimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Zëvendëskryetarja e këtij komisioni, Teuta Haxhiu ka deklaruar se do të mundohen që kjo listë të futet si pikë e rendit të ditës në seancën plenare të së hënës.

Haxhiu: Po synojmë që këtë pikë ta fusim në rendin e ditës të seancës së hënë

“Andaj kjo mbledhje vërtetë është thirrur pak me urgjencë për shkak se ne synojmë që ditën e hënë kur  e  kemi seancën plenare, pra ta qesim si pikë të rendit të ditës, kërkojmë pra mocion se kjo pikë të renditet pra si pikë e rendit të ditës meqë kemi 24 pika”, tha Haxhiu.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi  duke theksuar se është i nevojshëm që AKA të jetë sa më shpejt aktiv  ka shpjeguar procedurat e  përzgjedhjes së kandidatëve për anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit .

Bytyqi tha se nga gjithsej 16 emrat të cilët i janë sjell atij, ai ka përzgjedhur gjashtë anëtarë në bazë të dy kritereve atij të fushës dhe faktorit gjinor.

Bytyqi: Përzgjedhja e kandidatëve është bërë bazuar në dy kritere

“Në listën që tani e keni para vetes besoj të emëruar është zgjedhur duke marr parasysh dy kritere bazë që kanë qenë tek udhëzimi administrativ kriteri i parë ka qenë fusha, se cila fushë minimumi mund ta ketë të përfshirë një profesionist dhe faktori gjini pra kanë qenë dy kushte kryesore që janë përcaktuar në udhëzimin administrativ, minimumi është dashur që të jetë 30 për qind e njërës gjini dhe mbi këtë bazë ne kemi bërë përzgjedhjen. Në fushën e parë edukim, shkencën humane dhe arte është përcaktuar Xhavit Rexhaj...në fushën shkenca shoqërore, biznes dhe drejtësi , Vjollca Krasniqi, në fushën po ashtu shkenca  shoqërore, biznes dhe drejtësi, Gazmend Luboteni, në fushën tjetër shkencat e natyrës, matematikës, Arta Jakupi në fushën shëndeti, mirëqenia, bujqësia dhe veterinaria është përcaktuar Rozafë Lila, dhe po ashtu në të njëjtë fushë, shëndetà «si, mirëqenia, bujqësia dhe veterinaria Dukagjin Zeka”, tha ai.

Bytyqi tha se kjo listë e përbërë nga nëntë anëtarë përbëhet nga njerëz profesional të cilët do e vënë Agjencinë Kosovare të Akreditimit  si agjencion profesional dhe të pavarur.

Zëvendëskryetarja e këtij Komisioni, Teuta Haxhiu ka kërkuar sqarime nga ministri  Bytyqi lidhur me ankesën e kandidatit Mentor Sopjani.

Kurse, ai iu përgjigj duke i thënë se pas ankesës së kandidatit Mentor Sopjani ka kërkuar informacione shtesë  për këtë kandidat i cili ka qenë i fushës së shkencave të natyrës dhe matematikës dhe në bazë të kriterit gjinor është përcaktuar Vjollca Jakupi si anëtare, ndonëse pikët e kualifikimit i kishin të njëjtë me Jakupin.

Anëtari i këtij komisioni, Nezir Çoçaj nga PDK  është shprehur i pakënaqur me listën e kandidatëve për anëtar të  Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Sipas tij çfarëdo liste tjetër do ishte më e fortë në aspektin profesional sesa kjo e tanishmja.

Çoçaj: Listë e këtyre kandidatëve qesharake

 “Me këta emra që po i shoh që kanë konkurruar unë jam shumë i sigurt qitne në Shatërvan të Prizrenit një listë edhe thuani le të shënohet kush dëshiron me u bë anëtar i  Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe jam shumë i sigurt se do jetë më e fortë në aspektin profesional sesa kjo që është aktuale sot”, tha Çoçaj

Arbërie Nagavci anëtare e këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje  tha se është e nevojshme që të bëhen ndryshime legjislative me qëllim të ofrohen kandidatë më profesional për të qenë pjesë e AKA-së.

Sipas saj eksperët të shumë nuk kanë kandiduar duke marr parasysh pazaret politike.

Nagavci: Duhet bërë ndryshimet në ligj

“Jemi në një situatë ku të paktën prej anës tonë duhet t’i marrim veprimet që mos të pengojmë këtë proces përndryshe pa dashur të ndalem tek profesionalizmi i kandidatëve sepse emrat kanë qenë publik por ne tash i kemi CV e secilit prej anëtarëve, unë konsideroj se duhet të bëhen ndryshime në ligj sepse udhëzimi administrativ është mua me përmirësua pak situatën por është e pa mundur me u përmirësua situata pa u ndryshua ligji dhe ndoshta pa dashur me paragjykuar konsideroj se një numër i mirë i ekspertëve të cilët kishin pasur çka me ofrua në këtë drejtim nuk kanë vetë kandiduar pikërisht për shkak se tashmë është e çartë se ndikimet politike edhe në agjencion sikurse në të gjitha sferat tjera janë shumë të mëdha, dhe personat që janë vërtet profesionist nuk duan të bëhen  pjesë të pazareve politike”, tha ajo.

Në lidhje me vërejtjet që u dhanë në komision ministri i Arsimit, tha se këta kandidatë  janë më të mirë nga gjithsej ata që kanë kandiduar, dhe sipas tij për herë të parë AKA do të jetë e pavarur dhe profesionale.

Për këtë foli edhe  Teuta Haxhiu e cila tha se nuk ka pasur pazare politike në përzgjedhjen e këtyre kandidatëve, derisa theksoi se duhet më shumë përkrahje financiare për anëtarët e AKA-së.

Kurse, ndaj kësaj reagoi deputetja  Nagavci duke thënë se pagesa nuk duhet të tregojë profesionalizmin e këtij institucioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat