Ministri nën hetime fajëson BE-në për rezultate të dobëta në sundimin e ligjit

Aktuale

Ministri nën hetime fajëson BE-në për rezultate të dobëta në sundimin e ligjit

Më: 13 prill 2018 Në ora: 19:44
Dardan Gashi

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht ministri Diasporës, Dardan Gashi, që është duke u hetuar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e shtetit për gjuajtje me armë, është ankuar sot për rezultate të dobët të BE-së për gjendjen e sundimit të ligjit në Kosovë.

Gashi që së bashku me zv/kryeministrin tjetër, Enver Hoxhaj janë duke marrë pjesë në punimet e konferencës “10 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Austrisë dhe Kosovës”, kritikoi punën e BE-së në Kosovë.

“Sa i përket sundimit të ligjit, ne jemi të gatshëm të ecim përpara, mirëpo BE-ja duhet të jemi të sinqertë është njëlloj përgjegjëse për gjendjen e sundimit të ligjit në Kosovë me rezultatet pothuajse inzekzistente edhe përkundër 900 milionë eurove të shpenzuara për EULEX-in”, ka deklaruar Gashi, njofton kumtesa e Qeverisë së Kosovës.

Gashi ka kritikuar Bashkimin Evropian për kriteret e vëna ndaj Kosovës, lidhur me liberalizimin e vizave. Ka thënë se Kosovës i janë dhënë kushte shtesë që përsëri janë plotësuar nga Kosova.

“Neve na është premtuar perspektiva evropiane që nga viti 1999, por jemi shteti i vetëm i lënë jashtë procesit të liberalizimit të vizave – edhe pse neve na janë dhënë kushte shtesë nga të gjitha shtetet tjera, të cilat kushte prapë se prapë i kemi përmbushur”, tha Gashi duke porositur që BE-ja që në të ardhmen të tregohet kreative sa i përket integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Dardan Gashi po hetohet për gjuajtjen me armë zjarri në ambiente të mbyllur. Gashi dhe disa zyrtarë të shtetit ishin bërë bashkë në një odë për të festuar shpalljen e pafajësisë së Fatmir Limajt.

Në video shihej që Sami Lushtaku, Dardan Gashi dhe i liruari tjetër nga akuzat Endrit Shala, gjuajnë me armë pa kontroll, vetëm duke hapur dritaret e odës ku festonin lirimin e Limajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat