Zëvendëskryeministri i Kosovës njëherazi ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas sulmeve në Siri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet aleate, ku ka shprehur përkrahjen dhe ka dënuar veprimet e Asadit.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se “Qeveria e Republikës së Kosovës i merr me shqetësim të jashtëzakonshëm lajmet për përdorimin e armëve kimike dhe me keqardhje e pikëllim për viktimat civile që i shkaktojnë”.
Postimi i plotë:
Ne qëndrojmë krah vendeve të lira dhe dënojmë ashpër veprimet e regjimit të Asadit i cili po shkakton tragjedi dhe dhimbje popullit të Sirisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës i merr me shqetësim të jashtëzakonshëm lajmet për përdorimin e armëve kimike dhe me keqardhje e pikëllim për viktimat civile që i shkaktojnë.
Sulmet me armë kimike paraqesin shkelje të rënda të së drejtës së konfliktit të armatosur.
Për më tepër përdorimi i armëve kimike është i ndaluar dhe sanksionuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Rregullat ndaluese sot paraqesin norma imperative të së drejtës ndërkombëtare për të cilat është pajtuar ndërgjegja e botës së qytetëruar.
Siria është anëtare nënshkruese e kësaj konvente e cila i obligon shtetet anëtare të ndërmarrin masa të nevojshme ndaj personave fizikë dhe juridikë për të zbatuar ndalesën brenda juridiksionit të tyre.