Seancat më shumë pika, një nga problemet e kësaj legjislature

Aktuale

Seancat më shumë pika, një nga problemet e kësaj legjislature

Më: 15 prill 2018 Në ora: 12:51
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës, të hënën do të mbajë seancë plenare, e cila pritet të jetë maratonike për nga kohëzgjatja, pasi në rend dite janë 25 pika, prej tyre 5 interpelanca dhe 4 debate parlamentare.

Por, seancat e ngarkuara më shumë pika po konsiderohen të gabuara nga organizatat që monitorojnë punën e Kuvendit.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se një prej problemeve që është evidentuar në legjislaturën e VI-të, janë seancat më shumë pika në rend dite, e të cilat po thuajse asnjëherë nuk kanë arritur të përfundojnë brenda një dite.

Ai ka thënë se për grumbullimin e pikave të rendit të ditës, është fajtore Kryesia e Kuvendit, që nuk po arrin t’i procedojë më kohë këto pika.

“Po dështojnë mbledhjet e kryesisë së Kuvendit pa mungesës së kuorumit, për shkak të saj shumë pika të rendit të ditës po bartën për seance tjera, pasi asnjëherë nuk po përfundojnë pikat e rendit të ditës brenda një seance. Kjo po dërgon në një pasivizim të Kuvendit dhe zhagitje të proceseve, sidomos të projektligjeve që duhet të shqyrtohen apo të miratohen”, ka thënë Murati.

Ai ka përmendur interpelancën për mungesën e energjisë elektrike në seancës e së hënës, si shembull  i vonesës së procedimit të kërkesave për interpelanca apo debate.

Sipas tij, kjo temë ka qenë aktuale para disa muajve por që nuk është tash.

Murati ka vlerësuar se përkundër pritjeve të mëdha që janë kanë nga kjo legjislaturë, ajo është vazhdimësi e legjislaturës së kaluar.

“Legjislatura VI-të është vazhdimësi e asaj të kaluarës, sa i përket rezultatit dhe efikasitetit në punë. Kjo legjislaturë ka dështuar që ti kryej detyrat e veta, ashtu siç ka qenë e pritur”, është shprehur ai.

Ndryshe, jo rrallë herë në këtë legjislaturë të ndodh që shumë seanca të dështojnë edhe për mungesën e deputetëve në Kuvend.

Kuvendi i Kosovës të hënën me fillim nga ora 10:00 do të mbajë seancën e rregullt plenare, ku në rend dite do të jenë 25 pika.

Këto janë pikat e seancës:

R e n d i  i  d i t ë s

 1.      Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2.      Koha për pyetje parlamentare,

3.      Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

4.      Shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-061 për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar,

5.      Shqyrtimi i parë i Projektligjit për gjykatat,

6.      Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës,

7.      Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës,

8.      Shqyrtimi i parë i Projektligjit për veprimtaritë hidrometeorologjike,

9.      Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-036 për statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës,

10.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës,

11.  Shqyrtimi i Raportit të operatorit  të sistemit, transmisionit dhe tregut-KOSTT sh. a,

12.  Përzgjedhja e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës,

13.  Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e gjashtë (6) anëtarëve të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit,

14.  Zgjedhja e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës,

15.  Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,

16.  Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

17. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën  në sektorin e energjisë,

18. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.02/34, të datës 05.03.2018, për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës,

19. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar “Deputetët e Pavarur”, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re” të nënshkruar me 20 dhjetor 2017,

20. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës,

21. Interpelanca e ministrit të Shëndetësisë, z. Uran Ismajli, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me Sistemin informativ shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore publike dhe private në Republikën e Kosovës,

22. Debat parlamentar, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me të gjeturat e raportit të komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror,

23. Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetëve Ganimete Musliu, Salih Salihu dhe Driton Çaushi, në lidhje me skandalin e mishit të prishur të ardhur nga Belgjika, si dhe cilësinë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë,

24. Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, e mbështetur edhe nga 11 deputetë nënshkrues, në lidhje me korrupsionin si kriter për liberalizim të vizave, dhe

25. Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetes, Teuta Haxhiu, e mbështetur edhe nga 5 deputetë nënshkrues, në lidhje me sigurinë e fëmijëve në përdorimin e internetit në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat