VV: Arrestimin e aktivistëve të SKV-së e bënë për të mos u dëgjuar rrëfimi i tyre

Aktuale

VV: Arrestimin e aktivistëve të SKV-së e bënë për të mos u dëgjuar rrëfimi i tyre

Më: 15 prill 2018 Në ora: 13:17
Liburn Aliu, dhe aktivistja e SKV-së, Berita Abazi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, dhe aktivistja e SKV-së, Berita Abazi, në një konferencë për media kanë folur për masën e arrestit të gjashtë aktivistëve të SKV-së me nga 30 ditë paraburgim. Në këtë konferencë u kërkua lirimi i tyre i menjëhershëm.

“Ne besojmë se ata janë dënuar dje që të mos dëgjohet rrëfimi i tyre dhe që të mos shihen lëndimet që kanë pësuar. Ata janë të lënduar në shumë të pjesëve të trupit. Me t’u liruar ata do të kishin shumë për të treguar, kësisoj ndaj tyre u shqiptua dënimi për 30 ditësh. Pra gjashtë muaj në total”, tha Aliu.

Ai shtoi se paraburgimi është dënimi i cili po zbatohet me lehtësi ndaj aktivistëve e studentëve dhe sidomos kur ka të bëjë me Lëvizjen Vetëvendosje ose simpatizantët e saj.

“Këtë paraburgim, e konsiderojmë si dënim policor që vazhdon dhunën policore, në parkun e qytetit ku s’kishte kamera”, ka thënë ai.

Kurse aktivistja Berita Abazi tha se aktivistët pos brutalitetit në parkun e qytetit, pësuan dhunë edhe në ambientet e Policisë së Kosovës. Ajo, tha se ishte dëshmitare e përdorimit të tepruar të forcës policore. Njëjtë kishte pohuar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Sipas saj, disa prej studentëve të arrestuar janë duke e humbur afatin e provimeve. Ata do të duhej të ishin në fakultetet e tyre dhe nëpër aktivitetet e përditshme kurse Policia do të duhej të ishte e zënë në ndjekjen e kriminelëve të shumtë që ka Kosova.

“Prezenca gjithnjë e madhe e policisë me brutalitetin e saj, është tregues se në këtë vend mungojnë politikat e mirëfillta, mungon mirëqenia, dhe mungon përgjegjësia shtetërore”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat