Pacolli sot nderohet titullin “Qytetar Nderi i Kukësit”

Aktuale

Pacolli sot nderohet titullin “Qytetar Nderi i Kukësit”

Më: 16 prill 2018 Në ora: 10:20
Behgjet Pacolli

Sot në 19 vjetorin e eksodit kosovar në Kukës, ministrit të jashtëm dhe zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli, i dorëzohen nga Qarku i Kukësit dhe qyteti i njohur botërisht për mikpritjen, titujt “ Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Qarkut Kukës”.

“Nderimet jepen për kontributin e mëhershëm të z. Pacolli në mbështetje të luftës çlirimtare, të kampeve të bashkëkombësve larguar nga lufta, si dhe vizionit për zhvleftësimin e kufijve midis shqiptarëve nëpërmjet zhvillimit ekonomik”, ka bërë të ditur Bashkia e Kukësit.

Sipas MPJ-së, ministri i jashtëm i Kosovës dhe numri dy i qeverisë së saj, Behgjet Pacolli, do të qëndroje në Kukës, gjatë pjesës së parë të ditës, ku do të marrë dy mirënjohje nga qyteti dhe qarku i Kukës-Has-Tropojë, nominuar në vitin 2000 për çmimin Nobel për Paqen  për mikpritjen që i dha bashkëkombësve të vet kosovarë, larguar nga tmerret e luftës. 

16 prilli është dita kur ky qytet dhe qarku në tërësi përkujton eksodin e kosovarëve 19 vjet më parë, me aktivitete të ndryshëm, ku marrin pjesë qytetarë nga të dy anët e kufirit tashmë të hapur dhe përfaqësues të Institucioneve.

Bashkia e Kukësit i akordon, Behgjet Pacolli, titullin “qytetar nderi i Kukësit”, për iniciativën e tij si President për krijimin e Hapësirës së Përbashkët Ekonomike Kombëtare.

Ministri i Jashtëm Pacolli është dekoruar më herët edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë “Nder i Kombit”. Ai, është qytetar Nderi i Korçës, Lezhës, dhe ka disa tituj akademikë nga universitete të vendit amë. Gjithashtu, ai ka tituj dhe nderime nga qytete dhe shtete të SHBA-ve,  Italisë, Filipineve, Perusë, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat