Kryeministri bullgar, Thaçit: Sa herë rri me Vuçiqin, të përmendi

Aktuale

Kryeministri bullgar, Thaçit: Sa herë rri me Vuçiqin, të përmendi

Më: 16 prill 2018 Në ora: 12:21
Hashim Thaçi dhe Boyko Borissov

(E plotësuar) - Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov tha sot në Prishtinë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë ndërmjet vete.

Në një konferencë të përbashkët me presidentin e Kosovës Borissov tha se këto dy shtete duhet njëherë e mirë që të gjitha mosmarrëveshjet që kanë pasur të kaluarën ndërmjet vete t’i zgjedhin nëpërmjet dialogut sepse nuk ka alternativë tjetër.

Kur të përfundojë kjo, sipas Borissov, edhe Bashkimi Evropian do t’iu shikojë me një sy tjetër.

Borissov: E keni një barrë të rëndë por besoj se do ia dilni

“Shpresoj edhe te  kolegu im Vuçiq të vazhdojë dialogu me Serbinë. Ne në BE duam që të kemi shtete pa probleme, shtete të cilat elita e tyre politike të mund të vazhdojë jetën pa luftë dhe keni një barrë të rëndë por me presidentin Thaçi do t’ia dilni...nuk duhet të kthehemi në të kaluarën që ka qenë një periudhë e tmerrshme”, tha Borissov.

Edhe nikoqiri,  presidenti Hashim Thaçi tha se Bashkimi Evropian do të jetë i plotë kur Kosova dhe shtetet e Evropës Juglindore të jenë pjesë të NATO-s.

Thaçi: Bashkimi Evropian do të jetë i plotë kur Kosova të jetë pjesë e NATO-s

“Diskutuam për rrugën evropiane të Kosovës dhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Sa i përket politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rrugës së integrimit evropian të vendit tonë  jemi të një mendimi që kjo është rruga e vetme si për neve ashtu edhe për BE-në. Pra Kosova të jetë pjesë e NATO-s  dhe BE-së. Ishte konstatim i dyanshëm  se BE do të jetë i plotë kur Kosova dhe Evropa Juglindore të jetë pjesë e saj. Kjo nënkupton paqe, stabilitetit dhe mirëqenie të gjithmbarshme”, tha Thaçi.    

Presidenti i Kosovës në takimin që ka pasur me kryeministrin bullgar nuk ka  lënë pa folur edhe për Samitin e Sofjes që do të mbahet muajin që vjen.

Sipas presidentit Thaçi, Samiti i Sofjes është mundësi unike mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa Borissov ishte i qartë në përgjigjet e tyre kur u pyet nga gazetarët se si do të përfaqësohet Kosova në këtë samit.

Borissov: Kosova do të përfaqësohet në Sofje si shtet i pavarur

“Kosova do të përfaqësohet në Samitin e Sofjes ashtu siç e kanë njohur 116 shtete, mes tyre është edhe Bullgaria. Për ata që se kanë njohur di të gjejmë formë të bëmë ashtu që mund të marrin pjesë”, tha Borissov.

Ndërsa kur u pyet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës Borissov tha se  Kosova por edhe shtetet e rajonit duhet ta bindin Evropën se këto shtete nuk përbëjnë rrezik por pa thënë konkretisht nëse do të ketë sivjet liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

E presidenti Thaçi tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet që i janë vënë për liberalizim të vizave dhe kjo çështje duhet të përfundojë këtë vit.

Thaci: Liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodh këtë vit

“Kosova nga 95 kritere të nevojshme në tërësi i ka realizuar. Në veçanti pas kalimit të demarkacionit me Malin e Zi kjo çështje është mbyllur. Në takime që kemi pasur edhe me komisionarin Hahn ka thënë se gjërat për Kosovën po lëvizin në drejtimin e duhur dhe se iu mbetet autoriteteve të BE-së që të vendosin dhe liberalizimi i vizave duhet të ndodh në këtë vit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Përveq kësaj presidenti Thaci tha se Kosova është e interesuar që edhe Rusia të bëhet pjesë e shteteve që njohin pavarësinë e Kosovës e që kjo sipas tij i ndihmon edhe Serbisë.

Presidenti i Kosovës tha po ashtu se me kryeministrin e Bullgarisë kanë folur edhe mundësinë e investimeve të BE-së në sektorin e infrastrukturës duke përfshirë edhe segmente të rëndësishme të korridoreve.

Thaçi: Kosova do të lidhet me BE-në nëpërmjet autostradës Prishtinë-Nish

“Me kryeministrin Borissov biseduam edhe për mundësinë e investimeve të BE-së në sektorin e infrastrukturës në tërë Ballkanin Perëndimor duke përfshirë këtu  segmente të rëndësishme të korridoreve  , qoftë në territorin e  Bullgarisë, atë të Greqisë.  Maqedonisë, Kosovës Serbisë, s Shqipërisë. Ne e vlerësojmë se vetëm duke investuar në infrastrukturë, në modernizimin e tërë kësaj hapësire do të mund të kemi jetë më të mirë, të dinjitetshme, krenare, më tepër paqe dhe perspektive të standardeve evropiane. Në kuadër të këtyre segmenteve Kosova natyrisht se do të përfshihet në autostradën Prishtinë-Nish për t’u lidhur pastaj me segmente tjera”, tha presidenti i Kosovës.

Kryeministri Borissov është nderuar me medalje nga presidenti Hashim Thaçi ndërsa është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.

Image

Kryeministri bullgar, Thaçit: Sa herë rri me Vuçiqin, të përmendi

Boyko Borissov, Kryeministri i Bullgarisë, gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin Thaçi ka thënë se mosmarrëveshjet me Beogradin duhet zgjidhur.

Ai ka thënë se Hashim Thaçin e përmend gjithmonë gjatë takimeve në Presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Para disa vitesh kam ardhur këtu dhe kanë kaluar shume vite, të gjithë pamë përparimin gjatë këtyre viteve, ju keni gjetur rrugën e drejtë, sa herë jam me Vuçiqin në Beograd i përmendi edhe miqtë kosovarë dhe mikun tim Hashim Thaçi”, ka deklaruar Borissov.

Ai i ka thënë Thaçit se ka një barrë të rëndë së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq mirëpo së bashku duhet të gjejnë zgjidhje.

“Keni një barrë të rëndë me presidentin serb, mirëpo duhet ta përfundoni. S’ka alternativë tjetër sepse e kemi parë çfarë ka ndodhur në luftë nga ato alternativa tjera. Ju jeni të detyruar bashkë me serbët të zgjidhni këtë mosmarrëveshje, dhe atëherë BE-ja do të na shohë me një sy tjetër”, është shprehur kryeministri bullgar.

Borissov ka kërkuar nga elita politike e Ballkanit që t’i tejkalojnë mospajtimet, pasi sipas tij egoizmi i njërit shtet mund të shkaktoj dëme edhe në shtetet tjera.

“Nëse nuk nënshkruani marrëveshje me Serbinë, as Kosova e as Serbia nuk do të hyjnë në BE sepse, BE-ja nuk dëshiron që mosmarrëveshjet e dy vendeve të hyjnë edhe në BE”, theksoi kryeministri bullgar. 

Borisov porositë Kosovën dhe Serbinë: Zgjidhni mosmarrëveshjet që i keni në mes vete

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov ka theksuar se Kosovës dhe Serbia duhet ta vazhdojë dialogun me Serbinë.

Ai këto komente i ka bërë pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Duke thënë që dialogu është i paalternativë, Borissov ka theksuar se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

“Dialogu është i pa alternativë. Ju jeni të detyruar që bashkë me serbët të zgjidhni këtë mosmarrëveshje me njëra tjetrën. Po ju drejtohem gjithë liderëve të Ballkanit, lëreni me një anë egoizmin sepse kjo do shkakton probleme në rajon”, tha Borissov.

Image

 

Borissov: Kosova përfaqësohet në Samitin e BE-së në Sofje

Përfaqësimi i Kosovës në Samitin e Bashkimit Evropian në Sofje më 16 dhe 17 maj, ishte një nga temat kryesore të takimeve të kryeministrit të Bullgarisë Boyko Borissov me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës.

Kryeministri bullgar u prit në Prishtinë në takime të ndara nga presidenti Hashim Thaçi dhe më pas edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Borissov, tha se ka ftuar presidentin e Kosovës që më 16 dhe 17 maj të jetë i pranishëm në Samitin e BE-së, duke rikujtuar se Bullgaria e ka njohur Kosovën dhe vazhdon ta mbështesë atë në proceset integruese, sidomos tani kur është edhe kryesuese e radhës së presidencës së BE-së.

“Kosova do të përfaqësohet ashtu siç e kanë njohur mbi 100 shtete. Kurse për ato që nuk e kanë njohur, do të gjejmë një zgjidhje”, tha Borissov.

Ai u ka bërë thirrje liderëve të Ballkanit që t’i lënë anash egoizmat personale, ngase kjo sipas tij, është fatale për të ardhmen e këtyre shteteve. Borissov tha se Kosova dhe Serbia janë të obliguar të zgjidhin problemet e tyre.

Kryeministri bullgar, rikujtoi se Bashkimi Evropian është deklaruar se nuk importon kriza brenda BE-së, andaj vendet aspirante edhe duhet t’i zgjidhin problemet para se të aplikojnë për integrim në BE.

“Nëse nuk nënshkruhet një marrëveshje normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë as Serbia dhe as Kosova nuk do të mund të aderojnë në BE”, tha Borisov.

“Ballkani duhet të ndryshohet për t’u integruar në BE dhe jo BE-ja të ndryshojë për Ballkanin”, tha ai.

Borissov tha po ashtu se Kosova e ka vendin e saj në Bashkimin Evropian dhe se këtë fakt ai e përmend çdo herë në takimet që zhvillon edhe me vendet tjera të rajonit.

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi tha se Bashkimi Evropian do të jetë i plotë atëherë kur të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën të jenë pjesë e tij.

Thaçi u shpreh më se i bindur se Kosova do të përfitojë sivjet nga procesi i liberalizimit të vizave, duke theksuar se të 95 kriteret e përcaktuara nga BE-ja, tashmë janë përmbushur.

Thaçi: Rusia duke e njohur Kosovën do ta ndihmojë Serbinë, do e lirojë nga një mik i rrejshëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se samiti i Sofjes është mundësi e jashtëzakonshme dhe është mundësi unike për Kosovën.

Sipas presidentit Thaçi, kryeministri bullgar Boyko Borissov, ka sjellë një unitet të vendeve të rajonit.

“Bullgaria ka qenë model i integrimit të shpejtë ne Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

“Edhe pas takimit që kam pasur me Hahn (Komisioner evropian për zgjerim Johannes Hahn) dhe Mogherini (Shefe e diplomacisë së BE-së Federica Mogherini), kam parë që Kosova është duke ecur në hapa të shpejtë përpara dhe drejt integrimit”, tha Thaçi.

Më pas Thaçi ka thënë: “Rikthesoj se Kosova është pjesë e qëndrimeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve kur vije puna tek sanksionet. Neve nuk na pengon raporti Serbi-Rusi, mirëpo Rusia duke e njohur Kosovës do ta ndihmojë edhe Serbinë, sepse do ta lirojë atë nga një mik i rrejshëm.”

Tutje, gjatë konferencës për media pas takimit me kryeministrin bullgar, Thaçi ka thënë se Kosova ka plotësuar 95 kritere të BE-së ku bën pjesë edhe lufta kundër korrupsionit.

“Ne po i përfundojmë detyrat tona për çdo  ditë drejt një të ardhme më të qartë, mirëpo jemi në dijeni se kjo luftë është një proces i vazhdueshëm dhe jo një akt ose vendim”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat