Anton Quni tregon se kur mori vesh për vrasjen e Ahmet Krasniqit

Aktuale

Anton Quni tregon se kur mori vesh për vrasjen e Ahmet Krasniqit

Më: 16 prill 2018 Në ora: 21:50
Anton Quni

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh deputet aktual i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka treguar se si ishte njoftuar për vrasjen e Ahmet Krasniqit, ministrit të parë të Mbrojtjes të Kosovës.

Gjatë një interviste në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, Quni ka treguar se fillimisht nuk kishte ditur gjë, pasi kishte qenë me njësinë e tij në vëzhgim në rajonin e fshatit Gërqinë.

“Jemi kthyer në territorin e Shqipërisë, baza e parë është në fshatin Krumë, bazë që udhëhiqej nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK’së”, ka rrëfyer ai.

“Aty ishte përgjegjës i ndjeri Xheladin Gashi, i cili më vonë do të bëhej përgjegjës për logjistikën e Betejës së Koshares”, ka treguar Quni në T7.

“Aty e kuptova nga një djalë, nuk ia di emrin e saktë, e quanin Prishtina, ai më ngushëlloi për vdekjen e kolonelit Ahmet Krasniqi”, ka zbuluar Quni.

“Aty e kuptova. Më ngushëlloi në mënyrë publike. Ai ambienti ku ne qëndronim, ku ishim duke pushuar nga vëzhgimi, aty kishte edhe pjesëtarë të tjerë të UÇK’së, por me një habi shikuan në drejtim timin dhe ushtarëve të mi, sepse nuk e kuptonin pse më ngushëllon për kolonelin Ahmet Krasniqi”, ka treguar ish-komandanti.

“Ishin krijuar këto aversione e të tjera”, ka theksuar ai.

“Menjëherë u nisa në drejtim të Papajve, dhe rrugës kam takuar kolegët e mi, në mesin e tyre ka qenë Sylë Kollaqku, i cili më vonë është kyçur në rajonin e Suharekës”, ka treguar Quni.

“Nga ai kam marrë informatat e para, por jo detajet si ka ndodhur (vrasja e Krasniqit)”, ka shtuar ai.

Quni ka thënë se nga ai ka mësuar se Krasniqi ishte viktimë e një atentati, por jo edhe se kush ishin ekzekutuesit apo iniciuesit.

“Informatat më të hollësishme i kam marrë nga Rrustem Berisha dhe Agim Ramadani”, ka treguar Quni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat