Reshitaj në Maqedoni, takon homologun e saj, pritet edhe nga kryeparlamentari Xhaferi

Aktuale

Reshitaj në Maqedoni, takon homologun e saj, pritet edhe nga kryeparlamentari Xhaferi

Më: 17 prill 2018 Në ora: 18:08
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj gjatë vizitës në Maqedoni

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Maqedoni.

Me këtë rast ministrja Reshitaj është takuar me homologun e saj,  ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë, Sadulla Duraki.

Në takim ministrja Reshitaj e ministri Duraku biseduan për bashkërendimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

Ndër të tjerash ministrat Reshitaj e Duraki  kanë biseduar edhe për harmonizimin e politikave mes dy qeverive si dhe finalizimin e tyre përmes një memorandum bashkëpunimi i cili pritet të nënshkruhet në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive. 

Ata potencuan se të dy shtetet kanë për qëllim integrimin evropian prandaj do të bashkëpunojnë që të lehtësojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE).

“Ne të dy kemi fatin të jemi në krye të një dikasteri të rëndësisë së veçantë, bashkërisht do të tejkalojmë sfidat dhe do të mbrojmë mjedisin në të cilin jetojmë, tokën, ujin, ajrin, sepse këtë e kemi mision të përbashkët” deklaroi ministrja Reshitaj.

Sipas ministres Reshitaj, kufijtë fizik janë të parëndësishëm kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve, mirëqenia dhe cilësia e jetës së tyre.

Ndërsa ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Sadulla Duraki, falëndëroi ministren Reshitaj, për angazhimin e saj dhe përkushtimin në mbrojtjen  e ajrit, ujit dhe tokës.

Ministrja Albena Reshitaj është  pritur në një  takim edhe nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi.

Ministrja ka uruar kryeparlamentarin Xhaferi për miratimin e ligjit për  gjuhën  shqipe duke vlerësuar rolin e tij kushtetues në udhëheqjen e Legjislativit.

Ministrja Reshitaj gjatë vizitës së saj në kryeqytetin maqedonas është  takuar edhe me zv.kryeministrin Hazbi  Lika me të cilin kanë  diskutuar për raportet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat