“Disa prej tyre u emëruan pa asnjë meritë” – Raporti i Progresit kritikon zv/ministrat

Aktuale

“Disa prej tyre u emëruan pa asnjë meritë” – Raporti i Progresit kritikon zv/ministrat

Më: 17 prill 2018 Në ora: 19:51
Qeveria Haradinaj

 

Përveç korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drejtave të njeriut, Raporti i Progresit për vitin 2018 nënvizon se në Qeverinë e Kosovës janë emëruar shumë zëvendësministra, një pjesë e së cilës, siç thotë raporti, janë emëruar pa atribute të qarta.

“Ekziston një prirje për emërimin e një numri të madh të anëtarëve në qeveri, siç është emërimi i 70 zëvendësministrave në qeverinë aktuale dhe 45 në atë të mëparshme, ndonjëherë pa atribute të qarta”, thuhet në Raportin e Progresit për Kosovën, të përpiluar nga Komisioni Evropian.

Raporti sugjeron se “autoritetet duhet të konsiderojnë vendosjen e një limiti mbi madhësinë e qeverisë për të parandaluar një praktikë të tillë”.

Po ashtu, në këtë pjesë të raportit thuhet se “në Qeverinë e Kosovës ka vetëm dy ministre nga gjinia femërore. Pesë poste ministrore mbahen nga përfaqësues të minoriteteve, 3 prej të cilëve përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës, 1 komunitetit turk dhe 1 komunitetit boshnjak”.

Në Raportin e Progresit thuhet veçanërisht se është bërë shumë pak përparim në luftën kundër korrupsionit.

“Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Janë bërë disa përparime në lidhje me korrupsionin e nivelit të lartë dhe rastet e krimit të organizuar. Derisa ka pasur konfiskime paraprake të pasurive, ende nuk ka dënime përfundimtare, hetime financiare dhe konfiskime përfundimtare të pasurive”, thuhet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat