Qeveria thotë se Kosova i ka përmbushur kriteret për heqjen e vizave

Aktuale

Qeveria thotë se Kosova i ka përmbushur kriteret për heqjen e vizave

Më: 17 prill 2018 Në ora: 22:23
Qeveria e Kosovës

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj thotë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Qeveria e Kosovës thotë ta ketë analizuar Raportin e rregullt të BE’së për Republikën e Kosovës i publikuar sot para opinionit të gjerë. Raporti në fjalë, sipas Qeverisë, reflekton stadin e vendit tonë në raport me anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE.

“Në këtë kontekst, raporti është tregues se në tërësi Kosova ka tepër punë për të bërë deri tek anëtarësimi i plotë kurse në veçanti reflekton punën e madhe dhe progresin e madh që është arritur në vitin e fundit. Ky raport është raporti më pozitiv që ka pas Kosova në vitet e fundit, qoftë sa i përket të arriturave konkrete, e qoftë trendeve në funksion të avancimit të proceseve”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë.

Qeveria thotë të jetë arritur progres në disa fusha, duke përmendur: "Sundim të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, veçanërisht në shënjestrimin e rasteve të nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Progres shënohet gjithashtu në sekuestrimin e aseteve dhe në masat për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit. Rezultate shumë të mira në fushën e zhvillimit ekonomik, Votimi në Kuvend i Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për demarkacionin e kufirit me Republikën e Malit të Zi; Përgatitjet në Reformën e Administratës Publike dhe fillimin e reformave në administratën publike Përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve dhe rifillimi i dialogut me Serbinë; Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës, vlerësohet si arritje shumë e madhe e vitit 2017 Progres në menaxhimin e migrimit të rregullt dhe atë ilegal, si dhe shumë fusha tjera".

“Kosova nuk ka dilema për rrugën e saj drejt BE-së, përkundër faktit që në BE janë të ndarë sa i përket integrimit të Kosovës në familjen evropiane. Progresi i përmendur në këtë raport është dëshmi e qartë se të gjitha kriteret për liberalizim të vizave janë përmbushur. Pavarësisht se raporti i progresit nuk është mekanizmi përkatës për vlerësim të plotësimit final të kritereve, vonesat në liberalizimin e vizave nuk munden më të arsyetohen me mos plotësim kriteresh. Kosova e ka kryer punën e vet. Me të drejtë Kosova pret që BE tash të njohë këtë progres dhe mekanizmat relevantë të japin dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave sa më shpejtë që të jetë e mundur”, deklaron Qeveria.

Pavarësisht kësaj, Qeveria thotë se na presin sfida të tjera të mëdha për të përmirësuar jetën e qytetarit të vendit, na presin shumë punë, për të cilat Qeveria e vendit është e përkushtuar t’i kryej, konform aspiratave tona, të një shoqërie demokratike dhe të integruar.

“Sfidat e përmendura në raport, Qeveria e Kosovës do t’i identifikojë dhe do të punojë që këto të tejkalohen sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka përfunduar Qeveria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat