Shënohet Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve

Aktuale

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve

Më: 18 prill 2018 Në ora: 14:37
Ilustrim

“Harta Arkeologjike e Kosovës” vëllimi i tretë, “Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Istogut” dhe “Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Skenderajt”, janë botimet e Institutit Arkeologjik të Kosovës që u promovuan sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve.

Për të shënuar këtë ditë ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili tha se puna e Institutit Arkeologjik, arkeologëve të ndryshëm, të mbështetur nga ministria që drejton, po dokumentojnë të kaluarën.

Gashi: Harta Arkeologjike përfshin pjesë të fushës së arkeologjisë

“Harta Arkeologjike vëllimi i tretë përfshinë pjesë të fushës së arkeologjisë të fushës së Kosovës dhe Anamoravës e që përbëhet nga 285 vendbanime në 10 komuna, si komuna e Kamenicës, Ranillugut, Gjilanit, Parteshit, Kllokotit, Vitisë, Ferizajt, komuna e Shtërpcës, Kaçanikut dhe komuna e Hanit të Elezit. Ky botim paraqet një përmbledhje të strukturuar të rezultateve nga puna, studimit të materialit arkivor për njohjen arkeologjike të ekspeditave të ndryshme, raporteve të gërmimeve dhe hulumtimeve të veçanta arkeologjike. Materiali i evidentuar i luajtshëm dhe i paluajtshëm arkeologjik i prezantuar në vëllimin e tretë të Hartës Arkeologjike të Kosovës krijon një pikënisje të mirë për studime më të thelluara shkencore që si qëllim final kanë sqarimin dhe ndriçimin e së kaluarës të kulturës materiale”, tha ai.

Arkeologu Shafi Gashi ka folur për Hartën Arkeologjike të Kosovës, vëllimi  i tretë, ku tha se po botohet me rastin e Ditës së monumenteve dhe lokaliteteve arkeologjike dhe në dekadën e parë të shtetësisë së Kosovës.

Ai u shpreh se është nder që po arrijnë që në këtë vit jubilar të pavarësisë së Kosovës të publikojnë këto tri vëllime. 

Gashi: Harta Arkeologjike, vëllimi i tretë, është një punë intensive

“Harta Arkeologjike vëllimi i tretë është një punë intensive pas botimit të Hartës Arkeologjike vëllimi i parë në vitin 2006 që ka qenë si bashkëpunim i Institutit Arkeologjik të Tiranës, Muzeut të Kosovës dhe natyrisht edhe bashkangjitës në ndërkohë të Institutit Arkeologjik të Kosovës. Po ashtu, vëllimi i dytë është botuar në vitin 2012 dhe sot keni para jush vëllimin e tretë, gjegjësisht hartën arkeologjike vëllimit të tretë, e cila ngërthen në vetvete një territor që përfshin pothuajse pjesën juglindore dhe jugore të Kosovës, kryesisht komunat e mëdha siç është komuna e Ferizajt, Gjilanit, Kamenicës. Po ashtu, edhe komunat kufitare që janë kryesisht me rregullimin e vijës administrative komuna e Parteshit, Hanit të Elezit, Kaçanikut, Shtërpcës dhe disa komuna të vogla”, bëri të ditur ai.

Arkeologu Gashi tha se kanë dhënë një material, i cili ngërthen në vetvete mbi 500 faqe tekst, në kuadër të të cilit është pjesa tekstuale, një analizë gjeografike, një konkluzion shkencor mbi aspektet kronologjike-kulturore, një informacion gjeografik me koordinata dhe krahas fotografive edhe tabelat e kulturës materiale.

Ai pati një lutje edhe për Qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës, që gjatë ndërtimit të autostradave të merren në konsideratë mbetjet arkeologjike që paraprakisht ata të kryejnë të gjitha punët arkeologjike.

Drejtori i Institutit Arkeologjikë të Kosovës, Enver Rexha, tha se botimet “Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Istogut” dhe “Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Skenderajt” do të botohen edhe në gjuhën angleze.

Rexha: Vëllimi i katërt do ta përmbyllë territorin e Kosovës

“Vëllimet që i kemi botuar deri më tani, vëllimi i parë është i Akademisë së Shkencave ku së bashku me Muzeun e Kosovës dhe Instituti ka qenë një pjesë. Prodhimi dy dhe tre janë të Institutit dhe mund të njoftoj opinionin për me tepër se vëllimi i katërt do ta përmbyllë territorin e Kosovës. Afërsisht mund të them që 70-75 për qind  të territorit ne kemi krijuar një identitet kulturor dhe arkeologjik”, tha ai.

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë tri mirënjohje për familjet, të cilat kanë lajmëruar dhe kanë dhuruar gjetjet në Institutin Arkeologjik të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat