Raporti i Progresit: Kosova përballet me sfidën e ekstremizmit

Aktuale

Raporti i Progresit: Kosova përballet me sfidën e ekstremizmit

Më: 18 prill 2018 Në ora: 16:01
Ilustrim

Kosova duhet të bëjë më shumë për ta ndaluar ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm i cili bëhet përmes fondeve të organizatave të huaja, kështu thuhet në raportin e progresit të Komisionit Evropian që u publikua të martën.

“Pa marrë parasysh përpjekjet, autoritetet Kosovare vazhdojnë të ballafaqohen me sfidat e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm”, thuhet në raport.

“Kjo kryesisht është bërë e mundur nga fondet e organizatave të huaja që predikojnë ideologjitë ekstremiste. Grupet e dhunshme ekstremiste po ashtu janë aktive në rrjetet sociale duke shpërndarë propagandë dhe për të rekrutuar besimtarë.”

Komisioni Evropian, thotë se Kosova duhet të bëjë më shumë për t’i luftuar këto ndikime të jashtme.

Sipas raportit, Kosova ka mangësi në trajtimin e personave të kthyer nga Siria dhe Iraku.

“Nuk ka programe gjithëpërfshirëse për parandalimin, deradikalizmin, rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve të kthyer duke përfshirë edhe ata që janë në burgje, familjet e tyre, në veçanti gratë dhe fëmijët”.

Raporti e vlerëson si shumë pozitiv faktin që asnjë person nuk ka shkuar për luftime gjatë vitit të kaluar.

“Numri i qytetarëve të Kosovës që janë angazhuar në konfliktet në Siri dhe Irak ka rënie të vazhdueshme dhe se në vitin 2017 nuk ka pasur raste të reja të raportuara”, thuhet në raport.

Nga viti 2012 e deri më 2016, rreth 359 qytetarë të Kosovën përkatësisht 255 burra, 49 gra dhe 55 fëmijë kanë shkuar në zonat e luftës në Lindjen e Mesme. Po ashtu, 41 fëmijë kanë lindur në zonat e luftës, 133 qytetarë të Kosovës janë kthyer, 74 kanë vdekur dhe 195 ende mbesin atje (59 burra, 41 gra dhe 95 fëmijë).

Komisioni Evropian i bën thirrje Kosovës të bashkëpunojë me vendet e Ballkanit Perëndimor sepse “ky bashkëpunim mund të ndihmon në luftimin e kërcënimit nga terrorizmi”.

“Kosova duhet të shkëmbejë më shumë të dhëna kundër terrorizmit me Europol”, thuhet ndër të tjera në raport.

Sipas këtij raporti, agjencitë e zbatimit të ligjit në Kosovë nuk kanë ekspertizë dhe pajisje për të hetuar raste komplekse të terrorizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat