“Keni nejt therrave”, djali i Sali Çekajt i kundërpërgjigjet ashpër Xhavit Halitit, e quan të paskrupullt

Aktuale

“Keni nejt therrave”, djali i Sali Çekajt i kundërpërgjigjet ashpër Xhavit Halitit, e quan të paskrupullt

Nga: P.R Më: 19 prill 2018 Në ora: 12:09
Hysen Sali Çekaj

(E plotësuar) - Në 19 vjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj, djali i tij Hysen Çekaj ka thënë disa fjalë për politikanët të cilët kanë deklaruar se pjesëtarët e FARK-ut pjesë e së cilës ishte edhe babai i tij “janë strehuar në therra”.

Ai pyeti se si është e mundur atëherë që të ketë gjetur vdekjen nga plumbi serb.

Djali i heroit ditën e sotme e ka quajtur të dhimbshme, por që në të njëjtën kohë ka thënë se është ditë e mbushur me krenari për veprën e babait të tij, i cili me angazhim shumë vjeçar ka kontribuar në realizimin e ëndrrës për një Kosovë të lirë.

Çekaj: Pjesëtarët e FARK-ut nuk janë fsheh në therra

“Nuk di si duhet të ndihem unë, nëna, motrat kur dëgjojmë në televizionet e Kosovës njerëz të paskrupullt që na thonë se pjesëtarët e FARK-ut qenkan strehuar nëpër therra e nëpër hotele gjatë luftës. Si paska atëherë mundësi që Sali Çekaj i cili edhe në prezencë të familjarëve tona ka deklaruar hapur se ishte ushtar i UCK-së nën komandën e FARK-ut dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, të ketë gjetur vdekjen nga plumbi serb. A thua, nuk paska mjaftuar vdekjet, shkatërrimet, dhimbjet e luftës sa që disa qyqarë që nuk ju dihet asnjë pikë autoriteti në luftë edhe pas gati 20 vitesh të vazhdojnë të na i ndajnë e të na i privatizojnë dëshmorët dhe veteranët”, tha i biri i dëshmorit.

Hysen Çekaj tha se për familjen e tyre vlen angazhimi dhe sakrifica e luftëtarëve, dëshmorëve e veteranëve, që sipas tij vetëm këto dyja i dallojnë trimat e çmuar nga "llafazanët e kotë, e jo emblema e kapelave të tyre FARK apo UÇK-së".

I biri i heroit këto fjalë i tha në ditën kur me një akademi përkujtimore po shënohej përvjetori i rënies së babait të tij e ku ishin prezent edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaci dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Fjalimin e Hysen Çekajt e kanë përshëndetur me duartrokitje dhe ngritje në këmbë personat që ishin prezent por jo edhe Haradinaj dhe Thaci.

Ky i fundit tha fjalë të mëdha për Sali Çekajn i cili ra më 19 prill 1999 në Betejën e Koshares.

Sipas presidentit, Sali Çekaj edhe gjatë kohës kur ishte emigrant ka luajtur rolin bashkues në mesin e diasporës shqiptare në perëndim.

Thaçi: Sali Çekaj ju bashkua luftës së UÇK-së duke i dhënë shtytje, moral, forcë dhe energji

“Me të filluar lufta për çlirimin e Kosovës dhe më herët lufta e përgjithshme, Sali Çekaj bashkë me kuadrot e tjerë, oficerësh me ndërgjegje të lartë dhe me profesionalizëm ju përgjigj momentit historik të atdheut. Sali Çekaj iu bashkua luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  duke i dhënë shtytje, moral, forcë dhe energji, duke i dhënë një impuls të ri dhe profesionalizëm. Prandaj, ai ishte sintezë e intelektualit dhe guerilit, juristit dhe ushtarakut, luftëtarit dhe prijësit në luftë për liri. Tërë këto cilësi ai i dëshmoj në beteja, ai mbolli guxim dhe shpresë në terrene lufte, Sali Çekaj me nder e barti nofkën luftarake ‘Veterani’”, tha Thaçi.

Sipas tij Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe komandantët e tjerë janë dëshmia më e mirë së lufta për liri krijon tipin e luftëtarit që është i gatshëm për sakrificë supreme. Thaçi tha se ata nga komandantët u bënë prijës, nga prijës heronj dhe sot ai tha se krenohen me emrin dhe me veprën e tyre, ashtu sic krenohen me secilin prej dëshmorëve të lirisë së Kosovës.

Heroi Sali Çekaj sipas kryeminsitrit Ramush Haradinaj nën patronatin e të cilit u organizua akademia përkujtimore,  është një dimension i hershëm, që flet për gjithë parametrat e një atdhetari të shquar, intelektuali, por edhe një njeriu që dinte me çka po përballej.

Haradinaj tha se flijimi i Sali Çekajt në luftë për liri, e mbyllë kapitullin e një luftëtari shqiptar të shquar dhe i cili me vetëdije të plotë i ka kaluar etapat, nëpër të cilat është ndodhë populli i tij, duke mos u larguar asnjëherë nga përgjegjësitë dhe nga ato që janë pritur prej tij.

Haradinaj: Atë që na e ka dhënë jeta, ia kushtojmë atdheut të gjithë do të jemi të bashkuar

“Të gjitha paqartësitë që i krijojmë, na i krijojnë ose na ndodhin, lehtë mund të qartësohen, nëse e shohim se secili nga perspektiva e vet, nga kapaciteti i tij, nga mundësitë që i janë dhënë, i jep përkrahje çështjes dhe të drejtës së atdheut. Do të kemi çdoherë pikëpamje të caktuar, do të kemi çdo herë informata e pozicione të caktuara, por, nëse kujdesin dhe atë që na e ka dhënë jeta, ia kushtojmë atdheut të gjithë do të jemi të bashkuar. Asnjëherë, askush, nuk do të mund të na ndajë. Nëse sot jemi të bashkuar të sigurojmë një tranzicion të mirë të ushtrisë, pra të FSK-së në Ushtrinë e Kosovës , ne e vëmë amanetin e heroit në vend. Nëse sot jemi të bashkuar për t’i përmbyllur çështjet e hapura të mbetura të atdheut tonë, Kosovës, ashtu i shërbejmë amanetit të dëshmorëve. Nëse ne shkojmë ngushtë edhe qosheve, do ta pengojmë realizimin, pikërisht të asaj për të cilën janë flijuar ata të cilët i nderojmë”, tha Haradinaj.

Hisen Berisha i cili foli në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” tha se Sali Çekaj e kishte lënë komoditetin e koordinatorit në Shqipëri e diasporë, për të dal në mbrojtje të atdheut.

Berisha: La komoditetin dhe u vu nën armë për të dalë në mbrojtje të vendit

“Sali Çeku e la komoditetin e koordinatorit në Shqipëri e diasporë, veshi trimërinë dhe u vu nën armë për të dalë në mbrojtje dhe çlirimin e vendit. I njohur si natyrë që është fjalëprerë dhe konsistent, i dashur dhe tejet i përkushtuar për bashkatdhetarët e vet të devotshëm. Në anën tjetër të karakterit të tij ishte kundërshtar i pa kompromis kundër politikanëve që bënin kompromise të dhimbshme për të mbetur të turpëruar para historisë. Në luftë për të realizuar aspiratat kombëtare ishte i vetëdijshëm se duhen sakrifica”, tha Berisha.

Akademia përkujtimore  për Sali Çekajn është mbajtur në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes 2018”, që ka filluar më 9 prill dhe është organizuar nën patronatin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

***

Në nderim të përvjetorit të 19-të të rënies së Sali Çekajt mbahet një akademi përkujtimore.

Djali i heroit të kombit, Sali Çekaj, sot gjatë fjalimit të tij në përvjetorin e rënies së Çekajt, i është kundërpërgjigjur deklaratave të Xhavit Halitit, i cili ditë më parë duke ju drejtuar Anton Qunit, bashkëluftëtar i Sali Çekajt, tha se më shumë keni nejt therrave se sa në luftë.

"Disi e ndjejmë veten keq kur nuk kalon një vit, ose një përvjetor në rrethana të qeta për shtetin tonë, qe ta ndjejmë më në fund që ndoshta amaneti i dëshmorëve qenka quar ne vend.  Ndonëse në asnjë mënyre nuk duam si familje, të ndahemi nga principi jonë i hekurt që mos të përzihemi në çështjet sidomos politike, nuk di si duhet të ndihem unë, nëna, motrat, kur dëgjoj në televizionet e Kosovës njerëz të paskrupullt që na thonë që pjesëtarët e FARK-ut, qenkan strehuar nëpër therra e nëpër hotele gjate luftës. Si paska atëherë mundësi që Sali Cekaj, i cili edhe në prani të familjarëve tonë ka deklaruar haptas se ishte ushtar i UÇK-së nën komandën e FARK-ut dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës  të ketë gjetur vdekjen nga plumbi serb. Nuk paskan mjaftuar vdekjet, dhimbjet e luftës që disa qyqarë që nuk kanë pasur asnjë ndikim në luftë të  flasin keq për dëshmorë”, ka deklaruar Hyesni, djali i heroit Sali Çekaj, përcjellë “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat