Raporti i progresit, Hoxha-Pacolli përplasen për vizat

Aktuale

Raporti i progresit, Hoxha-Pacolli përplasen për vizat

Më: 19 prill 2018 Në ora: 15:50
Raportimi në Komision

(E plotësuar) - Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, e ka quajtur pozitiv raportin e progresit të publikuar në fillim të javës nga Komisioni Evropian.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, ministrja Hoxha, si vlerësime pozitive ka përmendur ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, sistemin e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit e fushat tjera.

Ajo ka thënë se janë përmbushur edhe kriteret për liberalizimin e vizave për Kosovë, duke qenë se ka vlerësime pozitive për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, si kriter për liberalizimin.

Hoxha: Raporti evidentoi progres të theksuar në luftën kundër korrupsionit

“Progres ka pasur edhe në fushën e Reformës së Administratës Publike dhe rishikimin e agjencive dhe trupave te pavarura. Sa i përket sistemin e drejtësisë janë shënuar përparime në zbatimin e pakos ligjore të vitit 2015, dhe në veçanti në integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të komunitetit serb në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Ngjashëm, edhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, njihen përparimet e bëra në trajtimin e rasteve të shënjuara duke përfshirë në vendimet e shkalles së fundit, si dhe në konfiskimet preliminare të ndërlidhura me raste të tilla”, tha Hoxha.

Po ashtu, ministrja Hoxha, në këtë raport, janë evidentuar edhe sfidat për institucionet e vendit.

Kritika rreth raportit të progresit, patën edhe deputetët, sipas të cilëve raporti është i keq.

Kryetarja e komisionit nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, theksoi se raporti evidenton polarizimin që ka ndodhur në Kuvend dhe hedhjen e gazit lotsjellës. Ajo përmendi tri sfida që i ka evidentuar në raport.

Deliu-Kodra: Janë tri sfida që i kam evidentuar në raport

“Norma e papunësisë është rritur dhe ka prekur veçanërisht gratë dhe të rinjtë, po ashtu zbatimi i plotë i ligjit për barazi gjinore që prek, do të thotë për të afirmuar integrimin e grave dhe të rinjve në shoqëri dhe institucione vendimmarrëse. Po ashtu shqetësim i madh është edhe për çështjet mjedisore”, tha Deliu-Kodra.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj theksoi se edhe raporti i këtij viti nuk ka evidentuar progres në fushën e sistemit të drejtësisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Sipas tij, korrupsioni mbetet akoma i përhapur në shumë fusha dhe hetimi pengohet nga politika.

Zemaj: Raporti s’paraqet përparim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit

“Sa i përket sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit raporti i BE-së 2018 nuk pasqyron ndonjë përparim të dukshëm. Përveç integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë kosovare, ajo që ka qenë marrëveshje, edhe kjo ka ndodhur në fillim të vitit 2017. Nuk përmendet qartë askund në raport përmbushja e qartë e kritereve që lidhen me reformat në drejtësi. Për me tepër vihet në dukje vonesa e miratimit të pakos së ligjeve...andaj lufta kundër korrupsionit mbetet akoma sfidë e madhe e institucioneve të Kosovës, raporti nuk pasqyron ndonjë arritje të madhe në këtë drejtim. Për më tepër krahasuar me raportin e vitit 2016 duket se ka ngecje”, tha Zemaj.

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda vlerësoi se shumica e kritereve për liberalizimin e vizave tashmë janë plotësuar, porse raporti për Kosovën është i keq dhe nuk kanë pritur ndryshe.

Deda: Kriteret për liberalizim janë plotësuar shumica

“Unë isha në Berlin kur doli raporti i progresit dhe ajo çka e ndihmoj bajagi vizitën tonë ishte që faktikisht shumica e kritereve janë plotësuar për liberalizim të vizave, raporti për Kosovën është i keq dhe natyrisht që nuk e kemi pritur që do të jetë ndryshe. Por, sa i përket kritereve të liberalizimit të vizave të cilat janë me shkrim, të cilat janë në web faqe të Komisionit Evropian, të cilat ministre ju kisha lut me ua shpërnda të gjithë kolegëve edhe një herë cilat kanë qenë. Sa i përket edhe evoluimi për Kosovën ka qenë pozitiv, sidomos do e lexoj në anglisht kërkesa 2015 ka qenë, e cila pozitivisht vlerësohet në raportin për Kosovën, që është mirë”, deklaroi Deda.

Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, i ka thënë ministres Hoxha se ka gënjyer qytetarët kur ka deklaruar se janë përmbushur kriteret për liberalizim dhe reformat në agjendën evropiane.

Pacolli: Ministre, keni gënjyer qytetarët

“Pse s’na keni treguar saktë, pse keni manipuluar me neve si deputetë, sepse ne kemi besuar se sa i përket reformave në agjendën evropiane dhe MSA-së jemi duke ecur mirë. E dyta, luftimi i korrupsionit dhe krimit edhe për këtë keni thënë disa herë se i ka përmbushur Kosova kushtet, keni sjellë në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin duke bërë që ne të falim mbi 8 mijë hektar duke thënë se kemi përmbushur kriterin për luftimin e korrupsionit. Pra, ju rrjedhimisht keni gënjyer publikun, qytetarët se ju keni plotësuar kriteret”, tha ajo.

Ndaj Pacollit, reagoi kolegu i saj, Ilir Deda, duke thënë se ajo po bën manipulim me të madhe për liberalizimin.

Deda: Po e manipulon qytetarin për viza

“Për viza mos, se ti je duke bërë manipulimin me të madh dhe po me vjen shumë keq, sepse nuk është korrekte ndaj qytetarëve. Në fund ti ke me dal gabim”, theksoi Deda.

Në këtë mbledhje janë miratuar edhe projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për liritë fetare nëse është në përputhje me standardet evropiane, duke ia dërguar për shqyrtim seancës. 

***

Ministrja e Integrimit Dhurata Hoxha ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane rreth raportit të progresit për Kosovën të publikuar ditë më parë.

Ajo tha se raporti evidenton progresin e arritur duke filluar me zgjedhjet e vitit 2017, në administratë publike.

 “ Tjetër e arritur ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit, është shënuar progres në zbatimin e pakos ligjore në integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serb në sistemin e drejtësisë e po ashtu njihen përparime edhe në korrupsion për rastet e shenjëzuara.

Armend Zemaj, nga LDK-ja nuk u pajtua me deklaratat e ministres Hoxha duke i thënë se Kosova në fushat kryesore nuk ka shënuar progres.

 “Duhet ta ballafaqohemi me realitetin, atë që ju po e quani progres nuk jeni të sinqertë, gjithçka që flitet për progres ka të bëjë me fillim të vitit 2017, përpos ratifikimit të marrëveshjes mars 2018, kjo nënkupton edhe kontributin e plotë të opozitës. Detyrimet që është dasht të përmbushen janë të vogla. Si do t’ia mundësoni Kosovës që këtë vit të përfundohet liberalizimi i vizave. Lufta kundër korrupsionit mbetet sfidë akoma raporti nuk pasqyron ndonjë të arritur”.

Deputetja e VV-së Fitore Pacolli e quajti përgjegjëse ministren Hoxha për dështimin e Kosovës në raportin e fundit, pasi që sipas saj dështimi në sistemin e drejtësisë i përket edhe asaj.

“Ty të rrok barra dyfish për dështimin e raportit, ju keni qenë ministre e Drejtësisë dhe tash ministre e Integrimit Evropian. Për këto dyja duhet të japësh llogari. Gjithmonë në raportime keni thënë se jemi në rrugë të drejtë, ky raport po thotë se kemi ngecje si shtet në agjendën evropiane. Në luftimin e korrupsionit keni theksuar se i ka përmbush Kosova kushtet, keni sjell në Kuvend projektligjin për demarkacionin, raporti konstaton se nuk është përmbush ai kusht”, tha ajo.

Deputeti Ilir Deda nga Alternativa, bëri thirrje që të aprovohet sa më shpejtë ligji për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme si dhe tha se ministrja Hoxha duhet të ngris zërin në Qeveri që të luftohet korrupsioni me një ritëm më të shpejtë.

 “Ta aprovojmë ligjin për konfiskim të pasurisë së paluajtshme, ministri i Drejtësisë ka thënë se është gati ligji ta bëni këtë më shpejtë, jemi në tren të fundit për liberalizim të vizave, në maj duhet të përfundohet”, tha Deda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat