Më 3 maj vendoset fati i Aida Dërgutit!

Aktuale

Më 3 maj vendoset fati i Aida Dërgutit!

Më: 22 prill 2018 Në ora: 09:12
Aida Dërguti

Kuvendi i Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë vendim se çfarë do të bëjë me rastin e nënkryetares Aida Dërguti

Kjo për shkak se Lëvizja Vetëvendosje javën e kaluar ka dërguar shkresë zyrtare në Kuvend ku edhe ka kërkuar shkarkimin e Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, pasi që kjo e fundit këtë post vazhdon ta mbajë ne emër të Lëvizjes Vetëvendosje, ani pse ka dhënë dorëheqje nga ky subjekt politik.

Media ka kërkuar përgjigje nga sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi se cili pritet të jetë vendimi i Kuvendit për këtë rast, pasi që në nenin 67 të Kushtetutës së Kosovës thuhet që nënkryetarët e Kuvendit duhet të jenë të grupeve më të mëdha parlamentare, mirëpo ai nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete.

“Nuk mund të paragjykoj vendimmarrjen”, ka thënë shkurt Krasniqi.

Përgjigje konkrete nuk ka dhënë as për atë se si do të veprohet me kryetarët e Komisioneve e po ashtu edhe me anëtarët të cilët tashmë janë larguar nga Vetëvendosja dhe janë radhitur në krahun e Grupit të Deputetëve  të Pavarur.

“Kjo çështje zgjidhet me marrëveshje në mes LVV –së dhe GDP-së”, ka thënë ai.

Ditë më parë shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë për se ka biseduar edhe me shefin e grupit parlamentar të deputetëve të pavarur, Dardan Sejdiun, porse përgjigja e tij ka qenë që Aida Dërguti nuk do ta lirojë këtë pozitë.

“Unë kam biseduar, kam pasur edhe takim me shefin e GP të Grupit të Deputetëve të Pavarur  dhe ata ma kanë deklaruar që nuk do ta tërheqin Adia Dërgutin nga pozita e nënkryetares. Unë nuk besoj që Aida Dërguti do ta liroj këtë pozitë me vullnet sepse së paku kështu ma kanë konfirmuar në takimet e mia me ta që nuk ka vullnet që ata ta lirojnë këtë pozitë e cila për mendimin tim, faktikisht mund të kualifikohet si e uzurpuar”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë që në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të enjten është vendosur që të merret vendim për shkarkimin e Dërgutit në seancën e tre majit.

Aida Dërguti, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në Vetëvendosje më 11 dhjetor të vitit të kaluar, derisa pozitën e nënkryetares në emër të këtij subjekti vazhdon ta mbajë ende.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat