Haradinaj: Shqiptarët dhe turqit në Kosovë nuk ndahen

Aktuale

Haradinaj: Shqiptarët dhe turqit në Kosovë nuk ndahen

Më: 23 prill 2018 Në ora: 11:10
Ramush Haradinaj me komunitetin turk

Nën përkujdesjen e kryeministrit Ramush Haradinaj është shënuar 23 prilli, ditë kjo që i kushtohet komunitetit turk në Kosovë.

Ministri i administratës publike, Mahir Yagcilar, i cili fillimisht ka përshëndetur në gjuhën turke, tha se kjo ditë nuk është vetëm e këtij komuniteti, por edhe e Kosovës.

Yagcilar: Dita e komunitetit turk është edhe dita e Republikës së Kosovës

“Ne besojmë që dita e komunitetit turk është edhe dita e Republikës së Kosovës, sepse kjo ditë buron prej pavarësisë së Kosovës, para 10 viteve kur është shpall pavarësia e Kosovës, edhe unë, edhe deputetët e tjerë, edhe përfaqësuesit e komunitetit turk, me plot dëshirë kam qenë pjesë e shtet-ndërtimit, deklarimit edhe nënshkrimit të deklaratës së pavarësisë. Dhe në këtë aspekt ne për 10 vjet jemi duke festuar këtë festë me aktivitete të ndryshme kulturore-artistike, sportive, mjedisore, artistike, me publikimin e librave dhe me tryeza të rrumbullakëta sa i përket gjendjes në Kosovë në komunitetin turk dhe gjithashtu marrëdhëniet me shtetet, sidomos me shtetin amë, Republikën e Turqisë”, ka thënë ai.

Yagcilar ka përmendur tutje raportin e progresit për të treguar se ka probleme në zbatimin e strategjive dhe rekomandimeve në lidhje me komunitetet.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se kjo ditë e dëshmon kush është Kosova.

Sipas tij, Kosova e Turqia kanë marrëdhënie të mira shtetërore dhe do t’i ruajnë ato.

Haradinaj: Shqiptarët dhe turqit në Kosovë nuk ndahen

“Shqiptarët dhe turqit në Kosovë nuk ndahen, janë të lidhur, janë bashkë, është dëshmuar në mënyrën më të mirë të jetës tonë, pra s’ka një rast që flet ndryshe...Kosova është vend i vogël, ka plot sfida, ka plot probleme si në ekonomi, si politike, ka punë shumë para vetës, e vetmja mënyrë që me i kryer punët është me qenë bashkë, me qenë afër njëri-tjetrit, me ndihmu ecjen e Kosovës dhe nëse ecë Kosova nuk humbim”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniqi nga Partia Demokratike Turke e Kosovës ka falënderuar institucionet e Kosovës për mbështetje ndaj këtij komuniteti.

Krasniqi: Ne jemi turq, por na jemi kosovarë

“Zotëri kryeministër ne jemi komuniteti turk, ne jemi turk, por na jemi kosovarë, komuniteti turk është komuniteti më i integruar për komunitete në Kosovë, vitet e fundit të Kosovës ne si komunitet e kemi dhënë përkrahjen sipas mundësive që kemi pas, sidomos komuna e Mamushës e dini edhe ju, edhe krejt turqit, edhe krejt shqiptarët e Kosovës e dinë për kontributin e shtet-formimit të Kosovës”, ka thënë ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat