Haradinaj: Në fund të këtij viti mund të jemi aplikues për statusin kandidat të BE-së

Aktuale

Haradinaj: Në fund të këtij viti mund të jemi aplikues për statusin kandidat të BE-së

Më: 25 prill 2018 Në ora: 16:39
Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se beson që deri në fund të këtij viti Kosova e fiton të drejtën e liberalizimit të vizave, si dhe beson që deri në fund të vitit vendi mund të jetë aplikues për statusin kandidat të BE-së.

Kreu i Qeverisë këto komente i ka bërë gjatë konferencës “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformimit, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE” organizuar nga Grupi për Dokumentime dhe Hulumtime.

Haradinaj tha se është e vështir të flas për 10 vitet e ardhshme të Kosovës, por që ai potencoj se është e qartë përcaktimi euroatlantik i vendit, pasi që synohet integrimin në BE dhe dëshirojnë që vendi t’i takojë aleancës së NATO-së.

Haradinaj: në fund të këtij viti besoj Kosova e fiton një të drejtë që është liberalizimi

“Po në fund të këtij viti besoj Kosova e fiton një të drejtë që është liberalizimi i vizave, besoj në fund të këtij viti në fillim të vitit që vjen mund të jemi aplikues për statusin kandidat të BE-së. Deri në fund të këtij viti mund të ndodhin edhe avancime të mëdha në arritjen e një marrëveshje me Serbinë, pra mund të ndodhin. Njëkohësisht proceset tjera do të ishin të një dimensioni tjetër sepse sikur të arrihej kjo marrëveshje që është shumë sfiduese besoj, sfiduese jo për shkak të kompromiseve, por sfiduese sepse kërkon mobilizim prej të gjithëve. Nuk e di a është ende Uashingtoni, Brukseli të vendosur kjo me ndodh në afat kohor . Atëherë perspektiva e Kosovës do të ishte e zakonshme do t’i takonim botës së zakonshme si të gjitha vendet tjera ku  gjithë kohën do të ishim duke i matur reformat në përputhje me procesin e anëtarësimit në Be”, tha kryeministri.

Kryeministri Haradinaj ka folur edhe sa i përket asaj se si mund të tejkalohen problemet në kontekstin e pozicionimit të Kosovës në agjendën rajonale evropiane, ku ka deklaruar se BE-ja nuk është as e vendosur në qasjen e saj ndaj kësaj pjese të Evropës.

Haradinaj: BE-ja nuk është aq e vendosur në qasjen e vet ndaj kësaj pjese të Evropës

“BE-ja nuk është aq e vendosur në qasjen e vet ndaj kësaj pjese të Evropës, BE-ja shkon kah pesha e rëndësisë dhe aktualisht i kanë dhënë shumë më shumë peshë, më shumë rëndësi Serbisë edhe për shkak të animit që bënë Serbia drejt Rusisë, por edhe për arsye të tjera. Hetohet një farë mungese e vullnetit për pjesën e mbetur, pra dikur ishin Serbia e Mali e Zi, mendoj se ata e kanë në një farë mënyre ajo që tha kryeministri bullgar se nëse një vend e lajmë pa hy në BE është rrezik për BE-në dhe veç ajo vlen. Si zinxhiri që është më i fortë në hallkën e vetë më të dobët, pra BE-ja është e fortë aq sa është e fortë hallka e vet më e dobët. E ne mendojmë që hallka më e dobët e BE-së pikërisht është Ballkani Perëndimor, 6-ja edhe në këtë rast fatkeqësisht  është përreth nesh, këtu përreth vendit tonë Kosovës. Shpresoj që kjo do të qartësohet në etapat që vijnë, një ndihmesë të madhe në qartësim e japim edhe ne duke kryer punët e shtëpisë”, tha Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se Kosova si shtet i pavarur dhe sovran ka bërë hapa të progresit të jashtëzakonshëm.

Veseli potencoi se vendi ka një stabilitet ekonomik, politik, ndërsa në krahasim me vendet tjera të rajonit ai tha se Kosova nuk mbetet prapa as në aspektin e infrastrukturës, në aspektin e sektorit publik, shëndetësi dhe arsim.

Përkundër këtij progresi, kreu i Kuvendit u shpreh se vendi ku duan të shkojnë është shumë larg, ku ai tha se ende ka një numër shumë të madh të njerëzve të papunë dhe se nuk kanë mundur t’i ofrojnë një perspektivë të merituar rinisë kosovare.

Veseli potencoi se vendit i nevojitet një konsensus që të mos harxhohet shumë energji në gjëra dhe tema të cilat janë të paqena, që të ketë konsensus kreu i Kuvendit u shpreh i gatshëm të dorëzoj edhe postin të cilin e mban.

Veseli: Ky shtet duhet ta përmbyllë procesin politik me shtetin serb

“Unë që ku e kam partnerin e koalicionit, sot ndërrohem me Lidhjen Demokratike të Kosovës, unë dal opozitë le të vije në pozitë, ja jepi kryetarin e Kuvendit e krejt Qeverinë por e rëndësishme edhe një herë po them kushdo që të jetë pozitë dhe opozitë ky shtet duhet ta përmbyllë procesin politik me shtetin serb në mënyrë që mos t’i lë gjeneratave të ardhshme probleme të cilat kanë të bëjnë me një konfliktualitet të mundshëm edhe në të njëjtën kohë kemi bërë një hap shumë të mirë si e kemi ratifikuar marrëveshjen me Malin e Zi do të thotë përfundon ajo pjesë orientohemi ta bëjmë kufirin edhe me Republikën e Serbisë. Jo ndarje jo shkëmbim territoresh se i zhgënjej bashkëkombësit e mi me të cilët jam krenar dhe do të mundohem për ta por nuk fitojmë ne. Ndarja e Kosovës do të thotë vetëm qëndrim i cili i ndihmon ndarjes në Bosnjë pastaj i ndihmon edhe konfliktit në regjion. Nuk është prodhim kosovar pavarësisht konturave politike që e akuzojmë njëra palë tjetrën por është prodhim serb i cili tenton që ta barti interesin në pjesën e Bosnjës”, tha ai.

Po ashtu, kryetari i Kuvendit tha se duhet konsensus për çështjen e ushtrisë, asociacionit dhe dialogut me Serbin.

Ndryshe, konferenca “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformimit, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE” ka filluar qysh në mëngjes ku pjesëmarrës kanë qenë presidenti i vendit Hashim Thaçi, Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad e shumë të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat