Eksperti i sigurisë: FSK nuk do duhej të ndalonte kërkimet e policëve

Aktuale

Eksperti i sigurisë: FSK nuk do duhej të ndalonte kërkimet e policëve

Më: 30 prill 2018 Në ora: 12:03
ilustrim

Dy ditë më parë, pas një aksidenti në magjistralen Kaçanik- Hani i Elezit, dy policë me veturën zyrtare ranë në lumin Lepenc.

Që nga mbrëmja e së shtunës janë angazhuar të gjitha njësitë e policisë dhe FSK-së, për të kërkuar trupat e dy policëve.

Njësiti për kërkim shpëtim i Forcave të Sigurisë së Kosovës, mbrëmë ka ndaluar kërkimet rreth orës 20:00 për të rinisur prapë ato sot rreth orës 09:00.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Shemsedin Hajdarin tha për KALLXO se FSK nuk do të duhej të ndalonte kërkimet dhe ato do të duhej të vazhdonin natë e ditë.

“Nuk është mirë ndalimi i kërkimeve, FSK duhet që në mënyrë permanente me pas kërkime duhet me qenë ose duhet të organizohet mirë, të organizoj ekipe të ndryshme që brenda mundësive të bëjnë kërkime edhe ditën edhe natën”, tha Hajdari.

Ai shtoi se i di problemet që mund të hasen gjatë kërkimit por FSK duhet të jetë e pajisur për kërkim.

“Me rregull do të duhej që FSK të mos ndaloj kërkimet. FSK është organizatë civile edhe pse është civile dhe mandati kryesor i saj është të bëj kërkim shpëtimin tjetër mandat nuk ka, me rregull do të duhej se brenda mundësive maksimume të veproj në këtë rast faktori njeri është mbi të gjitha duhet të bëjnë kërkime edhe ditën edhe natën. Unë e di kushtet nuk janë të mira në atë pjesë uji është i ftohtë të gjithë e dinë për Lepencin, mirëpo është mirë që brenda mundësive ata të ndërmarrin masa. Ata duhet të vendosin edhe rrjeta që, në mënyrë se ka ndonjë gjësend ajo rrjetë ta kap dhe të mos e lejoj të ikë’’, tha më tutje Hajdari.

Kallxo kontaktuar edhe ish- kreun e FSK-së, Kadri Kastratin i cili tha se FSK është duke bërë punën e duhur pavarësisht kushteve që u dalin përpara.

“Ata i kanë procedurat e veprimit. Unë i kom  përcjell ngjarjet nga këndi im dhe ata kanë reaguar në mënyrë urgjente atë natë, menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes kanë kërkuar, kanë filluar kërkimet. Tash normal nuk duhet humbur të gjitha shpresat por unë e di që ata kanë procedurat e tyre të veprimit dhe jam i bindur se ata kanë vepruar drejtë dhe veprojnë drejt gjithherë”, tha Kastrati.

Ai shtoi se pjesëtarët e FSK-së, rrezikojnë shumë herë jetën e tyre për të shpëtuar atë që është në rrezik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat