PSD-ja e Shpend Ahmetit mund ta organizojë tryezën e radhës me partitë politike

Aktuale

PSD-ja e Shpend Ahmetit mund ta organizojë tryezën e radhës me partitë politike

Më: 11 maj 2018 Në ora: 15:49
PSD

Tashmë tryezat e përbashkëta të partive politike për arritjen e një koncenzusi nacional për temat e mëdha për vendin janë në vazhdën e tyre.

E para e llojit të tillë ishte organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tryezë në të cilën kishin marrë pjesë të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës mblodhi për herë të dytë spektrin politik të Kosovës në tryezën e organizuar më 8 maj, mirëpo pa pjesëmarrjen e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe.

E një diskutim të tillë ka shumë gjasa që ta organizojë edhe Partia Socialdemokrate me kryetar të zgjedhur të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Deputetja nga rradhët e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka thënë se një çështje e tillë duhet të diskutohet së pari brenda strukturave së Partisë Socialdemokrate.

“Ne ende jemi në krijimin e strukturave tona, dje kemi zgjedhur Këshillin e Përgjithshëm, dhe në anën tjetër si Grup i Deputetëve që përfaqësojmë PSD-në në Kuvend, nuk i kemi folur ende këto çështje, kjo don njëherë me u diskutu brenda nesh dhe pastaj të vendoset”, ka thënë Pantina.

Por gjithsesi, Pantina thotë se nuk ka ndonjë arsye pse Partia Socialdemokrate të mos e organizojë një tryezë të tillë kur t’i vije rradha.

“Por nëse një dakordim i tillë ka qenë që të gjitha subjektetet politike të përfaqësuara në kuvend të merren me organizimin e tryezave, atëherë unë nuk e shoh pse një gjë të tillë nuk do ta bëjmë ne kur të na vije rradha. Por fillimisht duhet të ulemi dhe të dakordohemi, t’i përcaktojmë temat që ne duam t’i shtyjmë përpara, dhe të vendosim po ashtu për mënyrën e organizimit”, tha Pantina.

E sipas rradhës, duke u bazuar në numrin e deputetëve në kuvend, me Vetëvendosjen që po i sheh si të panevojshme këto tryeza dhe që ka paralajmëruar se në të ardhmen nuk do të marrë pjesë, Partia Socialdemokrate mund të jetë pikërisht ajo që do të organizojë diskutimin e rradhës me partitë politike.

Kjo ngase PSD si grup parlamentar ka 12 deputetë në Kuvendin e Kosovës, dy më shumë se AAK-ja me 10 deputetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat