Dialogu Serbi-Kosovë të përfundojë me njohje reciproke

Aktuale

Dialogu Serbi-Kosovë të përfundojë me njohje reciproke

Më: 15 maj 2018 Në ora: 14:26
“Skenarët e finales së madhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”

Një dekadë nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe shtatë vite të lehtësimit të dialogut nga BE në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk kanë menaxhuar që të sjellin normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Pavarësisht përparimeve të konsiderueshme të lidhura me integrimin e serbëve lokalë në sistemin kosovar dhe qetësimin e tensioneve etnike, Kosova dhe Serbia deri në këtë ditë mbesin të bllokuara në kontestin e tyre politik dhe diplomatik në lidhje me shtetësinë e Kosovës dhe statusin e saj ndërkombëtar.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë një konference të organizuar nga Instituti kërkimor për çështje evropiane dhe të zhvillimit (RIDEA), me temën “Skenarët e finales së madhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Në këtë konferencë morën pjesë ambasadorë, përfaqësues të institucioneve, partive politike, deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndërsa u vërejt mungesa e theksuar e këtyre përfaqësuesve nga nacionaliteti serb.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se do të ishte më mirë që të fillohet një dialog lokal dhe me njerëz lokalë, për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë këtu, pa dallim etnie. Duke aluduar në tendencën e përfaqësuesve serbë për ndërrim të territoreve, Bahtiri potencoi se ndërrim të kufijve nuk do të ketë, ndryshe, siç u shpreh ai, i tërë Ballkani do të futej në një konflikt të hapur.

Sipas tij, serbët duhet të harrojnë bosnjëzimin e Kosovës dhe idenë e ndarjes.

Bahtiri: S’ka ndërrim të kufijve

“Dëshira e serbëve dihet se është ndërrimi i territoreve dhe ne nuk kemi nevojë të ndërrojmë territore, sepse të dy territoret janë shqiptare, të Kosovës, dhe ne nuk kemi çka të këmbejmë në këtë drejtim. E keqja është se ata çdo herë, pjesa e veriut pra, duhet me marr vendime në Beograd e jo nëpër komuna të cilat ne i kemi afruar për serbët që të qeverisin nëpër vendet ku ata banojnë dhe tani të fillojnë procedurat tjera të zhvillimit të tyre politik për të dalë pastaj te tendenca që të bosnjëzohet një pjesë e Republikës së Kosovës. Fillimisht asociacioni, pastaj referendumi nëpër komunat ku ata qeverisin, dhe pastaj ta dalin me një platformë tjetër, të cilën nuk dua as ta përmendi. Këto gjëra ata duhet t’i harrojnë sepse ne jemi shtet në gjithë territorin e Kosovës, ndërrim të kufijve nuk ka, sepse nëse bëhet ndërrimi i kufijve, atëherë hapet kutia e Pandorës, e cila do ta fuste krejt Ballkanin nà « një konflikt të hapur”, ka thënë Bahtiri.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, theksoi se dialogu është mënyra më e mirë për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Ai ka preferuar që të mos ekzagjerohet me emërtime, siç është quajtur tema e tryezës së sotme si ‘Finale në mes të Kosovës dhe Serbisë’, duke bërë të ditur se kjo finale ka përfunduar qysh më 12 qershor të vitit 1999, kur Kosova përfundimisht ka fituar lirinë e saj.

Haxhiu: Dialogu, mënyra për e mirë për zgjidhjen e problemeve

“Mënyra më e mirë për zgjidhjen e të gjitha problemeve të cilat sot ekzistojnë është dialogu, për çka inkurajoj dhe falënderoj organizatorët e kësaj tryeze…Finalja në mes të Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar më 12 qershor të vitit 1999, kur Kosova përfundimisht ka fituar lirinë e saj dhe rrugën e saj drejt integrimeve evropiane. Është një rrugë e pakthyeshme, e cila besoj se do të vazhdojë bashkërisht me të gjithë akterët politikë në Kosovë”, tha Haxhiu.

Ai ka kritikuar sjelljen e përfaqësuesve serbë të Kosovës për të cilët tha se po sillen sikur të ishin ambasadorë të Serbisë në Kosovë, e jo përfaqësues të qytetarëve këtu.

Ndërkaq, Faruk Mujka nga Vetëvendosje, ka përmendur mungesën e transparencës dhe çështje tjera si mangësi të theksuara, ndërsa dialogun e ka quajtur jo parimor dhe asimetrik, ku Kosova ka qenë vetëm temë, dhe assesi palë.

Mujka: Dialogu është përcjellë me mangësi të theksuara

“Që nga fillimi ky proces është përcjellë me mangësi të theksuara siç janë mungesa e transparencës… Mungesa e konsensusit mbarëshoqëror dhe anashkalimi i qëllimshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe zhvillimi i një dialogu jo parimor dhe asimetrik ku Kosova ka qenë vetëm temë, dhe assesi palë… Gjashtë vite ka dominuar agjenda e Republikës së Kosovës dhe në fund kemi arritur në situatën, ku dy rezultate të këtij dialogu kanë qenë pajtueshmëria për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe dhe krijimi i Listës serbe si partner i qeverisë për implementimin e agjendës së Serbisë në Kosovë”, u shpreh Mujka.

Edhe Afërdita Syla-Shehu nga shoqëria civile, duke e quajtur dialogun jo transparent, ka thënë se skenari më i pranueshëm i dialogut do të ishte skenari që do të pranohej më së shumti nga qytetarët.

Sipas saj, qytetarët asnjëherë nuk janë konsultuar rreth temave të dialogut, edhe pse marrëveshjet kanë reflektuar më së shumti tek ata.

Sylaj-Shehu: Qytetarët e Mitrovicës e ndjejnë më së miri efektin e dialogut

“Skenari më i pranueshëm për mua do të ishte ai skenar që është më pak i dëmshëm për qytetarët…Qytetarët e Mitrovicës e ndjejnë më së miri efektin e dialogut, sepse çdo marrëveshje deri tani, ka pasur efekt këtu. Në anën tjetër, qytetarët e kësaj pjese asnjëherë nuk janë pyetur, se si afektojnë këto marrëveshje në jetët e tyre, nuk është bërë numri më i vogël i tyre t’i informojnë ata, e lëre më t’i përfshinë në proces… Ne si shoqëri civile kemi kërkuar që dialogu të jetë më transparent, që shoqëria civile dhe qytetarët të përfshihen në proces, në mënyrë që të merren rekomandimet nga qytetarët, por kemi hasur në veshë të shurdhër”, ka thënë Sylaj-Shehu.

Ajo shtoi se mos interpretimi i duhur i marrëveshjeve ka lënë mjaft dyshime te qytetarët dhe ka ngjallë pasiguri e frikë, duke humbur besimin e tyre në këtë proces.

Në këtë konferencë kanë diskutuar edhe shumë pjesëmarrës tjerë, të cilët parashikuan përfundimin e dialogut me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat