Kosova do jetë shteti i parë në Evropë me fibra optik

Aktuale

Kosova do jetë shteti i parë në Evropë me fibra optik

Më: 19 maj 2018 Në ora: 14:18
Tryeza me temën “Mobilizimi i Diasporës për Zhvillim: Teknologjia dhe Ndërmarrësia”

Ndërmarrësit nga Diaspora po ballafaqohen me mungesë të burimeve njerëzore të kualifikuara dhe mungesë të promovimit të marrëdhënieve diasporë dhe vende amë nga ana e institucioneve.

Kështu u tha në tryezën me temën “Mobilizimi i Diasporës për Zhvillim: Teknologjia dhe Ndërmarrësia”, e cila po mbahet në kuadër të konferencës ‘Diaspora Flet”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se me qëllim të shtrirjes sa më efikase dhe kualitative të internetit është edhe projekti 30-milionësh me Bankën Botërore për instalimin e fibrave optike.

Sipas tij, përmes këtij projekti i cili pritet të përfundoj për 2 vite, 95 për qind e territorit të Kosovës do të jetë i mbulur me fibra optik.

Lluka: Qëllimi ynë përmirësimi i infrastruktur]s

“Ideja është se jemi të fokusuar sa i përket teknologjisë apo ICT-së është përmirësimi i infrastrukturës, tash kemi filluar edhe një projekt me Bankën Botërore, në fakt fillon në shtator, është në proces të aprovimit ku më 21 qershor përfundon si aprovim nga Banka Botërore rreth 30 milionë euro, ku jemi duke përmirësuar infrastrukturën dhe jemi duke shtrirë kabell optik në të gjithë vendin, pra qëllimi është që Kosova momentalisht ka 65 për qind të territorit të mbuluar me fiber optik, kurse me përfundimin e këtij projekti brenda dy viteve do kemi diku rreth 95 për qind të territorit me fiber optik. Ky projekt ka për qëllim shtrirjen në vende ku nuk ka sens ekonomik që operatorët privat ta bëjnë“, u shpreh Lluka.

Ai tutje shtoi se përmes këtij projekti, Kosova do të jetë shteti i parë në Evropë që do të bëhet me fibra optike.

Lluka shtoi se me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës për teknologji janë duke biseduar edhe për krijimin e një “Tech Park-ut”.

Lluka: E ardhmja e vendit është fusha e tekonologjisë

“Besoj që e ardhmja e vendit është fusha e teknologjisë informative sepse ndërlidhet me të gjithë sektorët tjerë që mund të kontribuoj me secilin sektor, përveç si sektor në vetvete. Besoj që edhe ardhmëria e vendit është pikërisht në këtë sektor. Për më tepër secili shtet që ndërton shkathtësi që nuk janë të lehta me u ndërtua e siguron e një qëndrueshmëri afatgjate ekonomike”, ka deklaruar ai.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik shtoi se edhe Fondi i ndërmarrësisë i lansuar dje ndikon që të rinjtë t’i zhvillojnë ide e tyre inovative.

Monika Farka, themeluese dhe partnere menaxhuese e “Dynamics mPartners” në Shqipëri, në tregun shqiptar sfidues e ka konsideruar mungesën e burimeve njerëzore për menaxhimin e bizneseve.

Sipas saj, qeveritë e dy shteteve tona janë larg promovimit të marrëdhënieve diasporë dhe vende amë.

Farka:Sfidë është burimet njerëzore

“Sfidat që ne kemi për burimet njerëzore janë vërtet të vështira. Kjo për shumë arsye Kosova ka të vetat, Shqipëria ka arsyet e veta por Shqipëria lidhet shumë edhe me historinë izoluese që ne kemi pasur..Ne kemi një sfidë më të madhe se edhe ato që zhvillohen dhe studiojnë jashtë Shqipëria nuk po arrin me i mbajtur, dhe ne sot kemi një largim të trurit masiv, pra ndërkohë që shumë vite përpara largoheshin vetëm ata që ishin punëtor, sot po largohen njerëz që janë të kualifikuar....Është shumë me rëndësi që të ketë një koordinim të diasporës ndërmjet bizneseve në vendet tona, pra në vendet shqipfolëse dhe ndërmjet qeverive tona që janë shumë larg besoj të promovimit të marrëdhënieve diasporë dhe vende amë“, u shpreh ajo.

Sipas saj diaspora mund të kontribuojë në Kosovë dhe Shqipëri përmes investimeve dhe ndryshimit të kulturës.

Kurse, drejtori gjeneral i “A&o Consulting” në Zvicër, Arbër Bullakaj tha se në Kosovë mungojnë persona të kualifikuar, prandaj nevojitet një shkollim më i mirë.

Tutje ai para të pranishmëve tregoi se si e ka shfrytëzuar teknologjinë për një bashkëpunim me disa klient nga Kosova për krijimin e disa ëeb faqeve për disa kompani në Zvicër.

Bullakaj: Kush nuk e kupton teknologjinë mbetet prapa në tregun e punës

“Si personalitet jam i interesuar edhe për teknologjinë, tash koha është e teknologjisë ai që nuk e kupton teknologjinë rrezikon të jetë pak mbrapa edhe në tregun e ekonomisë dhe kur e hapa kompaninë mendova se si kur t’iu ndihmojë me start up, qysh dhe a ka mundësi me lidh me Kosovën. A ka mundësi që unë ta bëjë një shërbim në lidhje me Kosovën dhe aty pata fillua me fol me klientët dhe iu duhet ndonjë  ëeb faqe dhe  aty bashkëpunova me disa persona në Kosovë që i bëjshin disa ëeb faqe për kompanitë në Zvicër, ajo ishte vetëm si test, domethënë funksioni”, u shpreh ai.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme në kuadër të konferencës “Diaspora flet”, ndërmarrës nga diaspora janë takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj, me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe ka mbajtur takim me disa nga komisionet parlamentare, ku kanë diskutuar për problemet që ata përballen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat