Gashi jep detaje edhe për përplasjen me Dreshajn

Aktuale

Gashi jep detaje edhe për përplasjen me Dreshajn

Më: 21 maj 2018 Në ora: 21:15
Arben Gashi dhe Gani Dreshaj

Sonte, në emisionin “Pressing”, po diskutohet për tensionet gjithnjë e në rritje në Kuvendin e Kosovës, ku debatet e ashpra i kanë hapur rrugë konflikteve fizike mes deputetëve.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka treguar për sulmin fizik ndaj tij nga deputeti Xhavit Haliti, nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Më tha: Lëshoma rrugën dhe ka vazhduar”, ka bërë të ditur Gashi.

“Ishte kohë e shpejtë. Nuk ka pasur debat verbal”, ka theksuar ai.

Gashi ka folur edhe për përplasjen me deputetin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj.

“Në ato tollovi, sepse u përfshinë shumë deputetë, e kam parë se erdhi dikush nga mbrapa dhe tha diçka”, ka treguar ai.

“Nuk e kuptoja çfarë ka, pse ky person, nga doli”, është shprehur Gashi.

“Për disa sekonda nuk e kuptova se çfarë po ndodh”, ka thënë ai në T7.

Ai nuk ka pranuar të tregojë se çfarë i ka thënë Dreshaj. “Janë fjalë që nuk dua t’i përdor në këtë studio”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se nuk ndihet aspak i kërcënuar nga Haliti apo Dreshaj.

“Nuk ndihem i intimiduar prej tyre. Personalisht, fizikisht, moralisht, nuk kam asnjë lloj intimidimi prej tyre”, është shprehur ai.

I pyetur nëse Haliti e Dreshaj duhet të ndihen të rrezikuar nga Gashi, ai është përgjigjur: “Nuk ma merr mendja”.

Gashi ka thënë se pas përplasjeve, nuk e kam takuar më Halitin.

Deputeti i LDK’së ka përgënjeshtruar raportimet se mes tij dhe deputetit të PDK’së ka diçka personale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat