Tahiri: Fuqizimi i sundimit të Ligjit, parakusht themelor për bizneset

Aktuale

Tahiri: Fuqizimi i sundimit të Ligjit, parakusht themelor për bizneset

Më: 22 maj 2018 Në ora: 14:34
Ministri Tahiri

Sundimi i Ligjit dhe fuqizimi i sundimit të Ligjit është një parakusht themelor për një biznes të shëndetshëm dhe të zhvilluar në Republikën e Kosovës.

Kështu u tha  sot në Mitrovicë, gjatë takimit të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me përfaqësues të Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), si dhe përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane, me bizneset nga rajoni i Mitrovicës, ku u diskutua lidhur me ndikimin e drejtësisë në biznes, si dhe sfidat dhe mundësitë e reformave në sektorin e drejtësisë në relacion me biznesin.

 Ministri Tahiri  tha se problemet e deritashme të bizneseve të cilat ndërlidhen me drejtësinë nuk janë të vogla.

Sipas tij, pikërisht për këtë arsye është filluar me një reformë të rëndësishme që ndërlidhet me gjykatat të cilat ndajnë drejtësi për bizneset.

Ai potencoi çështjen nëse Kosovës i nevojitet një Gjykatë komerciale, për të cilën tha se është duke u trajtuar me shumë vëmendje nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.

Ai foli edhe për krijimin e kushteve për investitorë të huaj, mirëpo gjithnjë duke mos harruar këto kushte edhe për investitorët vendorë.

 Tahiri: Kemi filluar një reformë që ndërlidhet me gjykatat që ndajnë drejtësi për bizneset

“Se a kemi dhe sa kemi probleme deri tash të bizneseve që ndërlidhen me drejtësinë, besoj që s’janë të vogla. Pikërisht për këtë arsye ne kemi filluar një reformë jashtëzakonisht të rëndësishme që ndërlidhet me Gjykatat të cilat ndajnë drejtësi për bizneset dhe kjo është arsyeja që kam pasur dëshirë sot me ju taku, me bisedu me juve edhe me ju dëgju nga afër. Një prej çështjeve që kam filluar ta trajtoj në kuadër të një reforme që kam filluar të rishikimit funksional, është edhe drejtësia në biznes. Ju e dini që deri në vitin 2013 ka qenë një Gjykatë Ekonomike në Prishtinë, e cila pas riorganizimit të Gjykatave është shuar dhe është pjesë e Gjykatës Themelore të Prishtinës si departament që aktualisht funksionon me katër gjyqtarë. Në anën tjetër i kemi themeluar edhe profesionet e lira, përmbaruesit privatë, noterët, falimentuesit, për të cilët po ashtu ja m shumë i interesuar të dëgjoj nga ana e juaj vlerësimin për ta. Një prej temave kryesore që e kam filluar është se a i nevojitet Republikës së Kosovës një Gjykatë komerciale. Dhe në radhë të parë para se me thënë të krijojmë kushte për investitorë të huaj, ne duhet të krijojmë kushte pak më të mira për investitorët që i kemi këtu”, tha Tahiri.

Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë theksoi krijimin e një gjykate fiskale të veçantë, si dhe rritjen e kapaciteteve të divizionit fiskal, në mënyrë që të shtohet numri i gjykatave në Kosovë të cilat do të trajtojnë rastet e kësaj natyre.

Ai përmendi po ashtu dëshirën që Kosova të ketë një Kod komercial që i përfshinë të gjitha ligjet të cilat i rregullojnë çështjet komerciale dhe të jetë shembull në këtë drejtim në Ballkan.

Zeka: Kemi ide të krijohet një gjykatë fiskale e veçantë

“Ne madje si OEAK kemi kërkuar që të diskutohet ideja e krijimit të një Gjykate fiskale të veçantë, para se me ndodhë kjo, atëherë të mendohet së paku për rritjen e kapaciteteve të Divizionit fiskal dhe të shtohet numri i Gjykatave të cilat trajtojnë raste të kësaj natyre në tërë Kosovën….Ne kishim pasur dëshirë të kemi një Kod komercial që i përfshinë të gjitha ligjet të cilat i rregullojnë çështjet komerciale dhe të jemi shembull në rajonin e Ballkanit perëndimor, por edhe Kodi civil është i mirëpritur në këtë fazë të zhvillimeve tona dhe të shtetndërtimit tonë”, tha Zeka. 

Flamur Lajçi, përfaqësues i KIESA-s, foli për organizimin e konferencave rajonale nga ana e Agjencionit të cilin e përfaqëson, ndërsa ka përmendur edhe disa projekte që janë organizuar në mbështetje të bizneseve të ndryshme.

Lajçi: KIESA ka disa projekte për përkrahjen e bizneseve

“Zakonisht sikurse çdo vit, edhe këtë vit kemi paraparë mbajtjen e shtatë konferencave rajonale me qëllim të identifikimit të problemeve dhe sfidave të bizneseve të cilat I procedojmë tutje. Edhe këtë vit kemi disa projekte të cilat I përkrahin bizneset përmes subvencionimeve, siç janë skema ‘ëatcher’ për ofrim të këshillimeve, pastaj skema ‘ëatcher’ për çertifikim të produktit, projekti intersheep bizesi përmes të cilit i dërgojmë të sapo diplomuarit në praktikë fal bashkëpunimit që kemi me kompanitë e ndryshme” , tha ai.

Ndërkaq, Rrustem Abiti nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka falënderuar institucionet e vendit për krijimin e kushteve të volitshme për bizneset, fal së cilës, siç tha ai, Kosova sot ndodhet në vendin e 40-të sa I përket përmirësimit të kushteve të të bërit biznes.

Ai e ka quajtur të padrejtë shuarjen e Gjykatës ekonomike, ndërsa ka propozuar që të paktën qytetet e mëdha të Kosovës të kenë gjykatës që do të merreshin me çështje ekonomike.

Abiti: Shuarja e gjykatës ekonomike e padrejtë

“Duhet falënderuar institucionet shtetërore të cilat që nga paslufta, përkatësisht viti 2000 e tutje, kanë krijuar rrethana të volitshme në çdo hap që bizneset të zhvillohen dhe ne gjendemi sot në vendin e 40-të për përmirësimin e kushteve të të bërit biznes…Shuarja e Gjykatës ekonomike mendoj se është një hap i padrejtë në raport me zgjidhjen e problemeve që mund t’i kenë bizneset. Po marr të drejtën që të paktën nëpër komunat e mëdha të vendit të ketë gjykatës të cilët do të merren me çështje ekonomike”, tha Abiti.

Në anën tjetër, pjesëmarrësit e këtij takimi kanë parashtruar pyetje të ndryshme siç janë prolongimi i lëndëve nëpër Gjykata, pastaj ndryshimi i Ligjit të prokurimit, çka duhet bërë Ministria e Drejtësisë për të përmirësuar imazhin për sundimin e Ligjit përballë investitorëve të huaj dhe të ngjashme.

Ministri i drejtësisë Tahiri, premtoi se do të angazhohet me përkushtimin më të madh që këto probleme të zgjidhen në mënyrë që të eliminohen të gjitha problemet dhe pengesat në mes të bizneseve dhe drejtësisë.

 Ndryshe, në fund të këtij takimi u theksua përkushtimi i dyanshëm për fuqizim të sundimit të Ligjit dhe të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik në vend, përmes koordinimit të plotë të bizneseve dhe institucioneve, si dhe përqendrimit maksimal në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat