‘Nëse i kemi pesë shqiptarë të Kosovës, do t’i kemi gjashtë kryetarë’

Aktuale

‘Nëse i kemi pesë shqiptarë të Kosovës, do t’i kemi gjashtë kryetarë’

Më: 23 maj 2018 Në ora: 13:47
Ilustrim

Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, zyra në Kosovë, ka organizuar sot kongresin kombëtar “Kosova që duam” të organizatave të shoqërisë civile, me qëllimin të krijimit të një strategjie të përbashkët për zgjidhjen e problemeve kryesore në vend.

Ky kongres i parë kombëtar është përqendruar në temat si punë dhe jetë me dinjitet, zhvillim ekonomik dhe vende pune, shëndetësia dhe mirëqenia, edukimi për punësim dhe zhvillim, si dhe aktivizëm qytetar për një qeverisje më të mirë.

Frank Hantke nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, tha se ideja për këtë kongres ka qenë që të gjithë të bashkohen për të ofruar zgjidhje për problemet e qytetarëve.

Hantke: Duhet të veprojmë së bashku

“Duhet të veprojmë së bashku si njerëz që do të sigurojë të drejta të njeriut, duhet të veprojmë bashkë si qytetarë demokratikë që votojmë gjatë zgjedhjeve dhe votën jepjani politikanëve. Ne duhet të veprojmë si prindër që bëjnë çdo gjë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, duhet të veprojmë si të rinj të cilët po luftojnë për të krijuar vendin e tyre në shoqëri. Duhet të veprojmë edhe si të moshuar, të cilët kanë të drejtë për një pension të arsyeshëm dhe kushte të mirëfillta për jetesë. Të gjithë sektorët e shoqërisë preken nga mungesa e politikave të cilat në zemër ose në thelb e kanë interesin më të mirë të qytetarëve. Prandaj, të gjithë ne duhet të bashkohemi rreth këtij zëri të përbashkët për ndryshime tani”, tha ai.

Hantke tha se organizatat me kompetencat e tyre nuk krijojnë trysni të mjaftueshme politike për të qenë të kyçura direkt në politikëbërje.

Hantke: Kompetencat dhe vullneti i mirë në një farë mënyrë nuk vjen në shprehje

“Problemi ynë nuk është se nuk kemi numër të mjaftueshëm të organizatave, por problemi ynë është që të gjitha këto organizata me kompetencën e tyre në vetë nuk krijojnë trysni të mjaftueshme politike për të qenë të kyçur drejtpërsëdrejti në politik bërje. Unë kërkoj falje se si i huaj duhet ta përmend një mahi, nëse i kemi pesë kosovarë do t’i kemi gjashtë kryetarë dhe shtatë opinione ose mendime. Kjo do të thotë se kompetencat dhe vullneti i mirë në një farë mënyrë nuk vjen në shprehje. Sot ne si organizatë e shoqërisë civile, si politikan, si sindikalistë përfaqësojmë shumë njerëz, supozoj shumicën dërrmuese të kosovarëve. Por, nga një pikëpamje tjetër duhet të jemi të vetëdijshëm që organizatat e shoqërisë civile në shumë raste ende nuk e kanë besimin e qytetarëve”, u shpreh ai.

Po nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung zyra në Kosovë, Besa Luzha tha se si fondacion po e nisin një strategji të re të punës, ndërsa tha se është koha që të gjithë të bashkohen për të gjetur zgjidhje për probleme të qytetarëve.

Arsye për mbajtjen e këtij kongresi Luzha tha se është që organizata të ndryshme të mos merren me një problem të njëjtë, por që të gjitha së bashku të veprojnë për të sjellë një zgjidhje.

Luzha: Organizatat të mendojnë për zgjidhjet e problemeve

“Kemi pesë organizata të ndryshme që janë duke u marrë me pushimin e lehonisë, të cilin ende nuk po mundemi ta shtyjmë përpara si një çështje të rëndësishme me e trajtua në atë mënyrë që nëna dhe fëmija me qenë të mbrojtur dhe që kjo mos të shkaktojë papunësinë. Për shembull, te gruaja në sektorin privat, për shkak se barra momentalisht i është lënë bizneseve. Atëherë, të gjitha ato organizata duhet të ulen dhe të mendojnë se çfarë është zgjidhje, pasi që për momentin është vërtet një tollovi. Një organizatë propozon një model, një tjetër propozon një model tjetër dhe atëherë qeveria duke u munduar që të gjithave në një farë mënyrë me dhanë idenë që po e dëgjon propozimin e tyre po mbetet pa e konkretizuar se si do ta përfundojë. Ka ardhur koha që bashkë të godasim me një peshë elefanti në një problem, ta përmbyllim atë dhe ta hapim një kapitull tjetër për t’u marrë me probleme tjera ”, tha Luzha.

Ndonëse në kongres ishin ftuar partitë dhe politikanët me orientim social, aty u panë vetëm nënkryetari i Partisë Socialdemokrate Visar Ymeri dhe deputeti i kësaj partie, Dardan Sejdiu.

Pjesëmarrësit e këtij kongresi janë ekspertë, aktivistë dhe politikanë, ndërsa procesi i zhvillimit do të vazhdojë në muajt e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat