Për pesë vjet 90 të vdekur në vendin e punës

Aktuale

Për pesë vjet 90 të vdekur në vendin e punës

Më: 25 maj 2018 Në ora: 19:07
Foto ilustrim

Koalicioni për Drejtësi Sociale, ka reaguar pas vdekjes së Valon Berishës, 29 vjeçari i cili mëngjesin e së enjtes ishte duke vendosur parmakët në një ndërtesë, që është duke u ndërtuar në Fushë-Kosovë, nga ku ka rënë nga kati i katërt.

Reagimi i është drejtuar, Ramush Haradinajt, Kryeministër i Kosovës, Kadri Veselit, Kryetar i Kuvendit dhe gjithë deputetëve të Kuvendit.

“Ne po ua drejtojmë këtë letër proteste publike me rastin e vdekjes së Valon Berishës, nga fshati Vasilevë, punëtor i ndërtimtarisë, i cili është viktima e radhës e mos-sigurisë në punë. Ne, anëtarët e Koalicionit e kuptojmë që aksidentet në vend të punës ndodhin kudo, edhe në shtetet më të avancuara nga aspekti i sundimit të ligjit. Por, ndryshe nga ç‘ndodhë në vende të tjera, rasti i viktimës së fundit në Fushë Kosovë, si dhe i shumë viktimave të tjera, janë pasojë e drejtpërdrejt e moszbatimit të standardeve minimale evropiane të punës, gjë të cilën edhe ligjet e Republikës së Kosovës e sanksionojnë qartë”, thuhet në reagimin e Koalicionit për Drejtësi Sociale.

Tutje, në reagim thuhet se vetëm gjatë pesë viteve të fundit, rreth 90 qytetarë, mbajtës të familjeve, kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës në sektorin e ndërtimtarisë. Nga këto vdekje, vetëm nga 5 raste në vitin e kaluar, pa i llogaritur edhe rastet e tjera, më shumë se 15 fëmijë kanë mbetur jetimë, përderisa familjet e tyre kanë mbetur të vazhdojnë jetën në kushte tejet të rënda ekonomike.

“Si pasojë e standardit të ulët të jetesës në vend, papunësia e lartë dhe varfëria e skajshme, përveç që janë ndër shtytësit që qytetarët pranojnë punë pa kushte, ato janë edhe ndër faktorët kryesorë që familjarët e të ndjerëve, detyrohen të pranojnë shuma tejet të vogla të hollash, pothuajse lëmoshë në këmbim të jetës së familjareve të tyre të humbur”, thuhet tutje.

“Shqetësuese vazhdon të mbetet edhe heshtja institucionale e publike lidhur me këto raste tragjike, që godasin rëndë jetët e qytetarëve dhe familjeve të tyre. Duke qenë se këto raste po aktualizohen vetëm si lajme ditore nëpër seksionet e kronikave të zeza në mediet vendore, pa ndonjë shtjellim meritor të vazhdueshëm, rrjedhshmëria e mëtejme e vdekjeve në vend të punës mbetet e panjohur për publikun. Pothuajse askund nuk mund të gjendet një raport përmbledhës për rastet në përgjithësi, derisa raportimet zyrtare janë të mangëta në shifra, të pashoqëruara me të dhëna rreth kompanive, apo edhe fakte konkrete rreth ndjekjeve penale ndaj punëdhënësve të pandërgjegjshëm”, thuhet në reagimin e këtij Koalicioni për Drejtësi Sociale.

Koalicioni Për Drejtësi Sociale i bën thirrje Qeverisë dhe Parlamentit të Republikës së Kosovës që ta adresojnë me urgjencë fenomenin e vdekjeve jo të rralla në vendin e punës, duke i thirrur në përgjegjësi organet e mbikëqyrjes, implementimit dhe te ndjekjes penale.

“Si rrjedhojë, të siguroni qytetarët e Republikës së Kosovës se këto raste nuk po ndodhin për shkak të moszbatimit të legjislacionit në fuqi apo trajtimi i këtyre rasteve të mos u lihet nën vullnetin e punëdhënësve dhe gjykatësve. Punëtorëve në Republikën e Kosovës duhet t’ju garantohet që vendi i tyre i punës nuk do të kthehet në vend të vdekjes”, thuhet tutje.

Kujtojmë se Koalicioni për Drejtësi Sociale u themelua në vitin 2015, më qëllim të veçantë për të ndikuar dhe avancuar drejtësinë sociale në Kosovë, me anëtarë; Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS, Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office – FES, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK, Olof Palme International Center, OJQ Lens, Instituti Columbus, Partners Kosova, Leadership and Growth Council – LGC.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat