Kryeprokurori i Shtetit konfirmon se e gjithë dosja e Astrit Deharit ka shkuar në Zvicër

Aktuale

Kryeprokurori i Shtetit konfirmon se e gjithë dosja e Astrit Deharit ka shkuar në Zvicër

Më: 26 maj 2018 Në ora: 14:14
Aleksander Lumezi

Rasti i ish- aktivistit të Vetëvendosjes, Astri Deharit, që ndërroi jetë në burgun e Prizrenit, tashmë është dërguar për superekspertizë në shtetin e Zvicrës, ashtu siç ishin dakorduar familja dhe kishte pranuar shteti. Dërgimin e këtij rasti në autoritetet e Zvicrës e ka konfirmuar kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi. Vetëvendosje ka insistuar se Dehari nuk ishte vetëvrarë ashtu siç e nxori mjekësia ligjore e Kosovës.

Shteti e ka plotësuar kërkesën e familjes Dehari e cila në shkurt të vitit 2017 vendosi që ekspertizën për vdekjen e djalit të tyre ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicër. 

Prindërit e ish- aktivistit të Vetëvendosje nuk u besuan institucioneve të vendit për shkaqet e vdekjes së Astritit duke kërkuar kështu hetime ndërkombëtare.

Tash, shteti ka shkuar një hap më tej. 

Kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi e ka konfirmuar se janë dërguar të gjitha informatat e rëndësishme tek autoritete e Zvicrës.

“ Po, i kemi dërguar të gjitha informatat relevante për procedurën penale dhe të dhënat mjekësorë autoriteteve zvicerane për t’u proceduar në institucionin profesional për ekzaminimin e nevojshëm”, është shprehur ai.

Ndërkaq ka bërë të ditur se janë duke e pritur raportin dhe konstatimin e ekspertëve zviceran. Lumezi nuk ka treguar se sa do të jetë periudha që do të zgjas për këtë ekzaminim.

Astrit Dehari, një aktivist i Vetëvendosjes, vdiq më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin me granatahedhës në Kuvend në gushtin e 2016-ës.

Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2016 miratoi rekomandimet për rastin Dehari, ndër të cilat “familja mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së, ose SHBA dhe Qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet”.

Familja Dehari në shkurt të vitit 2017 vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze. Për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit janë bërë vazhdimisht protesta.

Kujtojmë se në vitin 2016 kishte ndodhur një shpërthim rreth orës 23:00, te objekti i Kuvendit të Kosovës.

Ky shpërthim ndodhi në ditën kur Qeveria e kishte proceduar në Kuvend projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi. Ndërkaq, katër aktivistët e VV’së të dënuar për sulmin ndaj Kuvendit, pritet të rigjykohen për sulmin me zollë në 4 gushtin e vitit 2016. Gjykata e Apelit ka kthyer rastin në piken zero, duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës që dënoi aktivistet me 21 vite e gjysmë burgim. 

Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti të hënën janë liruar nga paraburgimi. Të tre këta të dënuar për terrorizëm, së bashku me Adea Batushen, do të rigjykohen për hedhje me zollë të Kuvendit të Kosovës, gati dy vite më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat