“Nxehet” Kuvendi, flitet për afera seksuale, dështon interpelanca e tretë e Haradinajt - Bota Sot
“Nxehet” Kuvendi, flitet për afera seksuale, dështon interpelanca e tretë e Haradinajt

Aktuale

E enjte, 20 shtator 2018

“Nxehet” Kuvendi, flitet për afera seksuale, dështon interpelanca e tretë e Haradinajt

Më: 8 qershor 2018 Në ora: 11:37

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj që nga mëngjesi ishte në inteperlancë.

E para ishte interpelanca sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës,

e dyta ishte interpelanca sipas kërkesës së GP-LVV dhe të GP të LDK në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës,

dhe e treta ishte sipas kërkesës së GP- LDK, në lidhje me vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione.

Por, kjo e fundit është shtyrë për një ditë tjetër.

Kryeministri kishte angazhime pas orës 20:00, kështu interpelanca e tretë është shtyrë, deri në një vendim tjetër të kryesisë, bashkë me vazhdimin e seancës paraprake për të votuar disa çështje që kanë mbetur ende pa u votuar, për mungesë të kuorumit.

Haradinaj: Kriza në Telekom për shkak të menaxhimit të dobët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në interpelancën për Telekomin dhe Postën e Kosovës, ka thënë se borxhi total i Postës dhe Telekomit të Kosovës është 60 milionë euro dhe gjendja e rënd ka ardhur për shkak të menaxhimit të dobët, pezullimit të investimeve, kontratat e dëmshme, proceset gjyqësore, arbitrazhet e humbura dhe mungesa e një strategjie se si të dilet nga kjo gjendje.

Ai tha se dikur i ka dhënë pare shtetit por pas një periudhe të caktuar kohore, kompania ka shënuar rënie dhe ka minus të mëdhenj ekonomik. Sipas tij, në vitin 2018 janë punësuar 104 punëtorë, kontratë mbi vepër por nuk janë si rezultat i bordit të ri, pasi vetëm tre persona janë punësuar pas zgjedhjes së bordit të ri.

Haradinaj: Borxhi total i Telekomit, 60 milionë euro

“Kemi trashëguar një gjendje financiare, borxhi total i kësaj kompanie është 60 milionë euro në të dhënat që i posedojmë ne, dhe ky borxh ka vazhduar kështu ndër vite, në 2015 , 51 milionë, me radhë nëpër vite, deri  në këtë vit janë shtuar 4 milionë, por edhe në këtë vit është me humbje. Çka e ka shkaktuar këtë rënie, e para menaxhimi i dobët me krejt projektet, mungesa e një plani të mirëfilltë, pastaj pezullimi i investimeve që kanë mundur të krijojnë pozicion më të favorshëm në treg, kontratat e dëmshme, proceset gjyqësore, arbitrazhet e humbura dhe mungesa e një strategjie të çart si me dal nga kjo gjendje“, tha ai.

Ai shtoi se Qeveria mendon se duhet të ndërmerren një varg masash që duhet të ndërmerren, do ta ndihmojnë Telekomin.

Haradinaj: Ulja e pagave në Telekom është logjike

“Ne mendojmë që edhe ulja e pagave është logjike për faktin se paga mesatare është e lartë, është mbi mesataren e vendit dhe një ulje për një kohë të caktuar që do të ishte 10 % ose ku ta di unë, nuk do të ishte rrezik për punëtorët, por përkundrazi një përkrahje që me nxjerr kompaninë nga gjendja që është, me këtë nuk po them që barra për ta shpëtuar kompaninë me ra vetëm mbi punëtorët, por iu sigurojë se nëse nuk ndërmerren një zinxhirë i masave, e uljes së shpenzimeve, ndërprerjes ose sanimit ose mos vazhdimit të kontratave të dëmshme, kompania është në një gjendje të vështirë“, tha ai.

Ai tha se ka vendosur ta shkaktojë bordin e Telekomit, pasi ata nuk kanë pranuar përgjegjësi si të tejkalohet gjendja e rënd në këtë kompani.

***

Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, derisa ka shpjeguar ardhjen e PTK-së në këtë situatë, në interpelancën e kryeministrit për gjendjen në PTK, ka thënë se në këtë ndërmarrje është bërë krim i organizuar.

Kontratën me Z-Mobile, kreu i VV-së e ka cilësuar si kulmin e krimit. Sipas Kurtit, kuadrot e brendshme të Telekomi të Kosovës janë margjinalizuar, janë eliminuar nga postet vendimmarrëse, madje janë larguar krejt.

Kurti: Në PTK ka krim të organizuar

“Natyrisht kulmi i krimit të organizuar në Telekomin e Kosovës është kontrata me Dardafonin, përkatësisht me Z-Mobilen, kontratë kjo që është aktuale dhe dëmet e së cilës vazhdojnë të thellohen. Kontrata jo ligjore e Telekomit me Z-Monile, ia plaçkitë çerekun e të hyrave Telekomit të Kosovës. Përveç kontratës së dëmshme me Z-Mobile, duhet të rishikohen edhe kontratat e tjera që janë po aq të dëmshme. Shembull kontrata me Art Motion, që për qudi është blerë nga Devolli. Marrja me qera e shumë objekteve është po ashtu pjesë e krimit të organizuar. Shembull në qendër të Prishtinës, afër Hotel Grand, objekti vlen 1 milion euro, por merret me qera për tetë vjet dhe paguhen 3 milionë euro. E deri të luksi i drejtorit të Telekomit të Kosovës, sikurse shkuarja në udhëtime zyrtare në Monte Carlo e Dubai”, tha Kurti.

Kreu i VV-së theksoi se ka mësuar që legalisht nuk ka më “Devolli Company” në Kosovë, e kanë bartur kapitalin e tyre në Maltë. Sipas tij, ata po e ndjejnë rrezikun e tyre të ndryshimeve të mëdha në Kosovë dhe po e humbin kapitalin përmes vendimeve gjyqësore.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se nga viti 2010 kur Telekomi i Kosovës vlente 600 milionë euro dhe kishte interesim nga “Deutche Telekom” për të investuar, sot me disa vendime politike është sjellë buzë falimentimit.

Ai ka paraqitur të dhëna të të hyrave në këtë kompani dhe rënien që ka pësuar nga viti 2011.

Abdixhiku: PTK shënoi 130 për qind rënie te të hyrave nga viti 2011

“Një ndër raportet me shqetësuese të Telekomit është ai i të hyrave të Telekomit nëpër vite. Në vitin 2011 të hyrat e Telekomit ishin 160 milionë euro, ndërsa sot kur flasim këtu janë 70 milionë euro. Ky është grafikoni i të hyrave të PTK-së. Ky grafikon tregon rënie të lirë, prej 160 milionë euro, në më pak së shtatë vite, ne kemi rënë në 70 %, pra bëhet fjalë për 130 për qind rënie të të hyrave të Telekomit”, theksoi Abdixhiku. 

Sipas tij, në kohën kur kishte rënie të të hyrave në PTK, ndodhi rritja e të punësuarve, kryesisht militantë partiak.

Abdixhiku: Veprimet që duhet t’i marrë Qeveria

“E para, ne ftojë Qeverinë që të vendos moratorium të punësimit në Telekom. Vetëm këtë vit janë punësuar mbi 70 njerëz në Telekom, pra në kohën kur kemi rënie të të hyrave, kemi rrëshqitje drejt falimentimit, Telekomi punëson njerëz me tutje. Ne kërkojmë që të vendoset moratoriumi i Qeverisë për punësim. E dyta, kërkojmë që të shkarkoni gjithë menaxhmentin e lartë të PTK-së dhe të shikoni mundësinë t’ia kaloni kompetencat menaxhuese preferueshëm tek një institucion menaxhues potencialisht i jashtëm...e treta Qeveria duhet të ftoj prokurorinë e vendit për të hetuar të gjitha kontratat, punësimet e marrëveshjet e dëmshme që janë aty dhe qeveria duhet të formoj një task forcë që ndihmon prokurorinë në qasje e dokumente relevante. E katërta, të vogëlohet proporcionalisht me qarkullimin dhe kompensimin financiare të pagave në PTK”, u shpreh Abdixhiku.

Debati për Telekomin dhe Postën po vazhdon

***

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën në të cilën është paraparë interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës.

Për sot është paraparë edhe interpelanca e Haradinajt në lidhje me vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se para disa dite ia kanë dërguar Malit të Zi një letër informuese me të cilën kanë shprehur gatishmërinë për korrigjimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adem Mikullovci, fillimisht e tha një poezi të Nolit që lidhet me kryeministrin Haradinaj, duke i thënë se kishte shumë skandale por që asnjëherë nu ra qeveria e tij.

Ai i tha Haradinajt që ia fal kur ka shpenzuar buxhetin e Kosovës, por edhe emërimin e zëvendësministrave por nuk ia fal që ka ndërruar qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi.

Mikullovci: Jep dorëheqje Ramush

“Dil në foltore dhe thuaju deputetëve, ju me votën e tyre ma dhatë postin e kryeministrit, unë atë post ia kthej se nuk po mundëm të jem kryeministër, nuk po di, nuk po më duan, jep dorëheqje Ramush, kjo është për të mirën e Kosovës dhe për të mirën tënde personale”, tha ai.

Kurse, kryeministri Haradinaj e dha një shpjegim për demarkacionin me Malin e Zi, duke thënë se para disa dite kanë pas tri opsione të letrës për ta informuar shtetin tjetër për demarkacionin.

Haradinaj: Këtë letër ia kemi dërguar Malit të Zi

“Opsioni i parë është letër stendat që thotë parlamenti ynë e ka ratifikuar marrëveshjen, opsioni i dytë ka qenë e ka ratifikuar atë por i ka edhe do tjera, opsioni i tretë ka qenë se parlamenti ynë ka marrë vendim bazuar në deklaratën e dy presidentëve dhe një raport që e parasheh korrigjimin, iu informojmë se jemi të gatshëm për korrigjim, kjo letër i ka shkuar Malit të Zi. Tash me siguri publikohet ndonjëherë por kjo letër i ka shkuar. Deklarimet e dikujt tjetër për këtë temë kanë të drejt sido që e thonë por e kam vetëm një pyetje, a merziteni nëse ndodhë njëmend korrigjimi, çka bëhet “, tha ai.

Mikullovci ia kërkon dorëheqjen Haradinajt: Nuk ta fali që e ndërrove qëndrimin për demarkacion

Deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci i ka kërkuar dorëheqjen kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Mikullovci ka thënë se nuk ia falë kryeministrit ndryshimin e qëndrimit sipas tij, për demarkacionin.

“Ta fali që e t’hollove buxhetin, emërove një batalion zv/ministra, po nuk ta fali që e ndërrove qëndrimin ndaj demarkacionit”, tha Mikullovci.

“Dil para këtyre deputetëve dhe thuj ashtu qysh ma keni dhënë mandatin po ua dorëzoj. Thuaj Nuk po mundem, nuk po di, nuk po du. Jep dorëheqje Ramush, për të mirën tande personale”, theksoi Mikullovci.

E ndaj kësja kërkese nuk foli Haradinaj.

Ai vetëm konfirmoi se e ka informuar Malin e Zi për miratimin e marrëveshjes, duke theksuar se kjo marrëveshje do të korrigjohet.

Shokon Milaim Zeka: Kryeprokurorja e EULEX-it ka fjetur me një politikan të Kosovës

Deputeti nga Nisma Socialdemokrate Milaim Zeka ka dal në foltoren e Kuvendit për ta mbrojtur kryeministrin Ramush Haradinajn nga sulmet e opozitës në interpelancën për korrupsion.

Ai madje kritikoi liderin e VV-së se nuk po distancohet nga deputetja Fitore Pacolli që i ka thënë kryeministrit ‘po rren’.

Zeka në fjalimin  e tij foli edhe për kërkesën e opozitës që të dorëhiqen ministrat duke bërë një kërkesë që së pari të dorëhiqen deputetët që kanë aktakuza.

Zeka: Me nisë me dhënë deputetët dorëheqje Kuvendi mbetet ‘tangall’

“Hajde ta fillojmë nga shembulli jonë personal, sa deputet jemi nën aktakuzë hajde të dhamë na dorëheqje kqyrni që ka me met parlamenti ‘tangall’, po po tu fillu prej Dardan Sejdiu e teposhtë. Na kemi deputetë që jemi nën aktakuzë, unë jam kanë nën aktakuzën e EULEX-it”, tha Zeka.

Duke e mbrojtur Haradinajn Zeka tha se ky nuk ka shancë që t’i bëjë shokë gjykatësit dhe prokurorët sepse nuk i ‘gjallë Hashim Thaçi s’i le ren kujt’.

Zeka shkoi edhe më larg për akuzat e tij jo vetëm drejt zyrtarëve vendor por edhe ndërkombëtar. Madje ai tha se krejt faqet e zeza Kosovës ia ka bërë EULEX-i dhe UNMIK-u.

Ai përmendi një rast të një afere dashurie në mes të kryeprokurores së EULEX-it Isabelle Arnall dhe një politikani të lartë të Kosovës, por që deputeti i Nismës nuk ia përmendi emrin.

Kjo aferë sipas Zekës është bërë që kryetarit të Nismës Fatmir Limajt  t’i ngriten aktakuza ‘për me ia fut’.

Zeka: Kryeprokurorja e EULEX-it ka bërë ‘sex’ me një politikan të kalibrit të lartë

“Kam raport me shkrim sekret se kryeprokurorja e EULEX-it Isabelle  Arnall përpos që ka bërë marrëdhënie intime me një politikan se nuk po guxoj me përdor fjalën ‘ sex’ ,  përpos që ka bërë marrëdhënie intime me një politikan të kalibrit të lartë në një vilë në Brezovicë ‘i ka thënë futja Fatmir Limës tu bë lezet në krevet’ ” tha Zeka.  Këto fjalë të Zekës bën që kryesuesi Xhavit Haliti t’ia ndërpres fjalën.

Qeverinë Haradinaj Kurti e krahason me atë të Gruevskit, këto janë pyetjet për kryeministrin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, theksoi se ka pasur shumë krime në të kaluarën, por që sipas tij, gjatë kësaj qeverisje nëntë mujore nuk kanë parë përgjigje për krimet për të cilat në vazhdimësi nuk ka drejtësi.

Deputeti Kurti shtoi se drejtësia po vonohet, që do të thotë se drejtësia po mohohet dhe krimi po gjallon.

Kurti: Kjo Qeveri është pro integrimit në BE sepse e dinë që nuk jemi as afër

“Qeveria është për integrim në Bashkimin Evropian, unë besoj për shkak se jemi shumë larg anëtarësimit në BE. Po të ishim afër anëtarësimit, Qeveria do të ishte kundër anëtarësimit, sikur Gruevski dikur në Maqedoni, që ishte kundër anëtarësimit të Maqedonisë në BE. Qeverisë së Kosovës dhe presidentit të Kosovës nuk iu konvenon anëtarësimi i Kosovës në BE. Sepse anëtarësimi i Kosovës në BE do të ishte lëvizje e Kosovës majtas dhe kah rendi dhe ligji. Qeveria aktuale është për BE vetëm sepse e dinë që as afër kjo nuk është për të ndodh”, tha Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes, si shpeshherë edhe kësaj radhe ka pasur një pyetje për kryeministrin Haradinaj.

 Kurti: A beson ende se shteti është i kapur

 “Unë besoj kryeministër se shteti është i kapur. Pyetja ime kryeministër është, a besoni ju që Kosova vazhdon të jetë shtet i kapur siç keni thënë para dy viteve. Nëse nuk besoni a mun të na jepni datën kur u ç’kap”, pyeti Kurti.

Por, kryeministri Ramush Haradinaj pati një përgjigje për Kurtin, ani pse me disa çështje që ai tha se pajtohet.

Haradinaj: Kah po i merr këto konstatime se s’po e duam integrimin në BE

 “E para as në kohë, as në hapësirë as në çfarëdo matematike nuk mund ta krahasosh një Qeveri Haradinaj me Qeverinë Gruevski, nuk të takon ta bësh. T’i mundësh ndoshta je ekspert të gjesh diçka të ngjashme por, prapë nuk është ashtu, mos bëni këso gabimesh. E dyta nëse dua të shkoj në Evropë unë nuk shkoj majtas e në kligj, por shkoj djathtas e drejt në ligj...tash kur po flasim në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë të martën, është në rend dite një pikë e rendit të ditës, adresimi i Apostolovës Qeverisë së vendit, është vetëm për prioritetet evropiane dhe për zbatimin dhe detyrat që do t’i merr kjo Qeveri. Nuk po e di ku po i merr këto konstatime se kjo Qeveri nuk paska dëshirë ta dërgoj vendin në BE, s’po di ku po i gjenë..a ai është konstatimi zëvendësministrat po na pengojnë të shkojmë në BE”, theksoi Haradinaj.

Image
Hajdar Beqa

Beqa: Kundër korrupsionit të kemi veprime dhe jo vetëm fjalime

Deputeti Hajdar Beqa në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar forcimin e institucioneve përgjegjëse të sistemit të drejtësisë, në mënyrë që të kenë zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit.

Beqa: Institucionet s’duhet të kenë tolerancë ndaj korrupsionit

“Të forcojmë institucionet përgjegjëse që të jenë të pavarura në kryerjen e punëve të tyre dhe të kemi zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kur them zero tolerancë kjo duhet të kuptohet që të kemi edhe veprim, e mos të kemi vetëm fjalime por të kemi mekanizma. Sepse të gjithë ata që kanë pozita publike në këtë vend të përgjigjen dhe nëse ata bëjnë shkelje ligjore duhet të kemi veprime konkrete e jo të kemi lëndë, nëse kemi lëndë për ndonjë zyrtarë, të paktën kështu është një përceptim i qytetarëve nëse ka të bëjë me zyrtarë politik, pavarësisht a është në pozitë a opozitë, konsiderojnë se nuk shkon efikas sistemi i drejtësisë”, tha Beqa.

Image
Armend Zemaj

Zemaj: Qeveria me rekord të zi në luftën kundër korrupsionit

Deputeti Armend Zemaj, në emër të grupit parlamentar të LDK-së, ka kritikuar ashpër institucionet e vendit për mos luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Sipas tij, krimi dhe korrupsioni, sidomos krimi i organizuar janë dhe mbeten kërcënim për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

Zemaj: Qeveria Haradinaj mban një rekord të zi në luftën kundër korrupsionit

“Sistemi gjyqësor i Kosovës është larg nga përçimi i kërkesave të BE-së për t’i dhënë fund mos ndëshkimit të korrupsionet ndaj profilit të lartë dhe nxjerrjes së rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në tërësi...Qeveria Haradinaj e përbërë me Kadri Veselin dhe kupolën Hashim Thaçin mban një rekord të zi në këtë drejtim. Sikurse asnjë qeveri tjetër e pas luftës dhe shumë zyrtarë të lartë ministra, zëvendëskryeministra, zyrtarë publik janë nën akuza publike nga prokuroria speciale dhe nga prokuroritë e tjera themelore”, tha Zemaj.

'Dikush po rren këtu', debati Pacolli -Haradinaj

Deputetja e VV-së Fitore Pacolli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë akuzuar njëri tjetrin për se janë duek gënjyer rreth një raporti të BE-së, për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 Pacolli: Kryeministër a po rreni ju a BE-ja?

“Bashkimi Evropian po thotë se në këtë vend nuk po luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe se nuk ka as qëllim dhe as vullnet për ta bërë një gjë të tillë. Ndërsa, ju po e thoni të kundërtën. Atëherë kryeministër me tregoni a po rreni ju apo po rren BE-ja. Këtu duhet të përgjigjeni, sepse ju po thoni plotësisht kundër asaj që ka thënë BE”, tha Pacolli.

Me gjuhë të njëjtë, deputetes Pacolli, iu përgjigj edhe kryeministri Haradinaj, i cili tha se me gjasë po gënjen ajo.

Haradinaj: Ndoshta po rreni ju, zonja Pacolli

“Fjala rren prita që vjen dikur kah fundi i interpelancës, por meqë erdh në fillim, ndoshta po rreni ju zonja Pacolli. Se tre janë kah flasin, ju jeni një, Qeveria dhe BE-ja, pra nuk përjashtohet mundësia që edhe ju po rreni. Pra, nëse për dy po thuhet cili, edhe ju jeni palë në këtë rast, muind të ndodh që po rreni ju”, u shpreh Haradinaj.

Image
Ramush Haradinaj

Haradinaj: Kosova është ndryshe prej se jam unë kryeministër

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk është ajo që ka qenë kur e ka marrë drejtimin e Qeverisë, sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Sipas tij, punën që po e bëjnë ndaj këtyre fenomeneve tregon se Kosova e tanishme dallon me atë që ishte para marrjes së Qeverisjes.

Haradinaj: Atë që po bëjmë në luftë ndaj krimit e korrupsionit dallon me ata para meje

 “Gjendja në rend dhe ligj nuk është e kënaqshme në Kosovë, edhe gjendja në rend dhe ligj është sfidë për Kosovën, veçanërisht luftimi i llojeve të ndryshme të krimit dhe korrupsionit. Rezultat i kësaj fokusimi ka shkuar kryesisht për t’i ndihmuar institucioneve të rendit dhe të ligjit që t’i ushtrojnë funksionet e veta në bazë të mandatit të tyre kushtetues e ligjor. Që ta rifitoj në tërësi fuqinë e tyre kushtetuese e ligjore të punojnë të pa ndikuar dhe pa penguar nga askush...mund t’iu them pra se dinamika ose treguesi i asaj që po ndodh në rend dhe ligj dallon nga kohërat e mëhershme, nuk them se Kosova i ka zgjedhur problemet e korrupsionit dhe se mund të mburremi me vendet e tjera, por në raport me gjendjen e marrë dhe këtë kohë, bëhet fjalë për një Kosovë tjetër, nuk është e njëjta”, u shpreh Haradinaj.

Image
Fitore Pacolli

Pacolli kërkon dorëheqjen e kryeministrit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Ajo, si iniciuese e interpelancës për kryeministrin rreth korrupsionit në institucione dhe zyrtarët e lartë të Kosovës, theksoi se kreu i ekzekutivit nuk mund të ndalë presionet mbi institucionet e drejtësisë.

Pacolli: Dorëheqja juaj kryeministër vendimi më i mirë për qytetarët dhe vendin

“Presioni që bëtë mbi Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e vendimit për rritjen e pagave për zyrtarët e lartë publik, përfshirë edhe pagën tënde kryeministër, vendosjen e Nijazi Thaçit në krye të KEK-ut, mos shkarkimin e ministrave Besim Beqaj dhe Pal Lekaj që kanë aktakuzë të ngritur, e sidomos vendimin që morët për t’ia paguar Bechtelit 53 euro pa kërkuar fare përgjegjësi. Përderisa nuk kemi barëra esenciale dhe shumë qytetarë po jetojnë në varfëri ekstreme dhe nuk kemi as çerdhe të mjaftueshme për fëmijët e këtij vendi. Nëse nuk mund ta frenosh vetën dhe këtë Qeveri nga ndërhyrjet dhe çështjet që ju përkasin institucioneve të drejtësisë, vendimin me të mirë që mund ta marrësh për këtë vend dhe qytetarët e këtij vendi, është të dorëhiqesh kryeministër”, tha Pacolli.

Vazhdimi i seancës plenare (Drejtpërdrejt)

Edhe sot po mbahet seanca plenare në të cilën janë paraparë tri interpelanca të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test